Çfarë Është Nisma Ndriçoje Botën?

“Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.” – Mateu 5:16

...
Një djalë ndihmon një djalë tjetër të ngrihet pasi është rrëzuar duke luajtur futboll nga materiali filmik Ndriçoje Botën

Çfarë është nisma Ndriçoje Botën?

#NdriçojeBotën është një ftesë për ta shndërruar Krishtlindjen në një periudhë shërbimi. Është një lëvizje mbarëbotërore për të prekur zemrat dhe për të ndryshuar jetën e njerëzve duke bërë gjërat që bëri Jezusi: ushqyerjen e të uriturve, ngushëllimin e të vetmuarve, vizitat tek të sëmurët dhe të përvuajturit dhe shfaqjen e dashamirësisë ndaj gjithkujt. Jezusi tha: “Ju jeni drita e botës” (Mateu 5:14). Nisma #NdriçojeBotën është mënyra e përsosur për ta lënë dritën tonë – dhe dritën e Tij – të shkëlqejë ndritshëm.

Sugjerime për shërbim të përditshëm

Nisma #NdriçojeBotën na sfidon të tregojmë dashuri për të tjerët në të njëjtat mënyra sikurse bëri Jezusi gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri. Për muajin dhjetor, jepen shtysa specifike për të shërbyer që të na ndihmojnë ta përqendrojmë jetën tonë te ndihma ndaj të tjerëve gjatë periudhës së Krishtlindjes. Për të marrë pjesë, mund të shkarkosh një kalendar ku përvijohen idetë.

Makineritë e Dhurimit

Zakonisht, ne shkojmë në një makineri me monedha për të blerë diçka për veten, por Makineritë e Dhurimit të nismës #NdriçojeBotën janë një mënyrë për t’i dhuruar dikujt tjetër. Makineritë e Dhurimit e bëjnë të lehtë përkrahjen e organizatave bamirëse globale që u sigurojnë njerëzve në nevojë artikuj të tillë si veshmbathje, syze, barna, mjete për higjienën, karrige me rrota, pajisje sportive madje edhe bagëti.

Në vitin 2019, Makineritë e Dhurimit grumbulluan më shumë se 3,9 milionë dollarë dhurime. Artikujt e blerë përfshinë afro 63 000 zogj pule, 1,6 milion vakte, 955 000 vaksina, mbi 3 500 palë këpucë dhe mbi 7 200 palë syze. Njëqind përqind e kontributeve u shkojnë organizatave bamirëse të përfaqësuara te Makineritë e Dhurimit dhe Kisha mbulon çdo tarifë për kartat e kreditit.

Në numërimin e fundit, Makineritë e Dhurimit mund të gjendeshin në dhjetë vende – tetë vendndodhje në SHBA dhe dy vendndodhje ndërkombëtare.

Shërbesat e veçanta të së dielës

Të dielën përpara ditës së Krishtlindjes, ne zhvillojmë një mbledhje të veçantë të ditës së Shabatit që përqendrohet te lindja dhe jeta e Jezu Krishtit. Miq e të njohur jo të besimit tonë, janë të mirëpritur çdo të diel, por janë veçanërisht të ftuar të vijnë dhe të adhurojnë me ne atë ditë.

#NdriçojeBotën çdo ditë

Çdo vit për Krishtlindje, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme bën një përpjekje madhështore për ta përhapur mesazhin dhe misionin e nismës #NdriçojeBotën. Sidoqoftë, ti mund ta bësh atë gjatë gjithë vitit duke menduar se kujt mund t’i shërbesh çdo ditë.

Mënyra të Tjera për ta Zbatuar Nismën Ndriçoje Botën