Duajeni Njëri‑Tjetrin
Jezusi ishte shembulli më i madh i dashurisë. Ne mund ta ndjekim shembullin e Tij kur kërkojmë t’u shërbejmë njerëzve përreth nesh.
Një urdhërim i ri
Gjatë jetës së Tij në tokë, Jezu Krishti dha mësim për rëndësinë e dashurisë për të tjerët. Ai e quajti atë një nga urdhërimet më të mëdha.
“Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde. Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’” – Mateu 22:37–39
Jezusi dha mësim se dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin tonë është themeli i ungjillit të Tij. Afër fundit të shërbesës së Tij, Ai e zgjeroi këtë mësim kur na mësoi: “Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur. … Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” (Gjoni 13:34–35). Kur kemi dashuri për njëri‑tjetrin, është më e lehtë të jemi si Jezusi – jemi më të durueshëm, më falës dhe më të dhembshur me njerëzit përreth nesh.
Si e tregoi Jezusi dashurinë e Tij?
Jezusi shëroi shumë njerëz gjatë shërbesës së Tij. Ai shëroi njerëz nga lebra, i ktheu shikimin një të verbri, trajtoi sëmundjen kronike të një gruaje dhe ndihmoi një burrë të paralizuar që të ecte.
Gjatë shërbesës së Jezusit, një turmë e madhe u mblodh për të dëgjuar fjalët e Tij. Ai u dha mësim atyre thuajse gjithë ditën, dhe ata i mori shumë uria pasi nuk kishin asgjë për të ngrënë. Në mënyrë të mrekullueshme, Ai ishte në gjendje t’i ushqente që të 5000 njerëzit në turmë me pesë bukë dhe dy peshq.
Jezusi ua fali mëkatet e mëparshme njerëzve, kur ata u penduan, dhe i inkurajoi ata të korrigjonin drejtimin e tyre duke ecur përpara.
Jezusi njihej për ofrimin e ndihmës ndaj atyre që jetonin në zgrip të shoqërisë. Ai u tregoi dashuri njerëzve nga të gjitha formimet dhe bindjet fetare.
Misioni i Jezusit i ardhjes në tokë ishte që të na shpëtonte nga vdekja dhe mëkati. Ai vuajti dhembje të papërfytyrueshme në mënyrë që ne të mund të pendohemi dhe të marrim falje për mëkatet tona.
Ndjekja e shembullit të Jezusit
Sikurse Jezusi, ne mund të sjellim një ndryshim në jetën e njerëzve kur tregojmë dashuri të sinqertë kundrejt njëri‑tjetrit. Ja se si:
1. Shërbejuni të tjerëve
Jezusi dha mësim se sa herë që u shërbejmë të tjerëve – sa herë që ushqejmë të uriturit ose veshim të zhveshurit apo kujdesemi për të sëmurët – ne po i shërbejmë Atij.
“Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.” – Mateu 25:40
Ide për t’u shërbyer të tjerëve
Dëshironi më Shumë Ide për Shërbim?
Gjeni mundësi për të shërbyer në komunitetin tuaj vendor (në dispozicion në shumicën e zonave).
2. Jini mirëdashës
Jezusi ishte mirëdashës, i duruar dhe i dhembshur. Ai e zgjati dorën dhe tregoi dashuri për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga rrethanat e tyre. Ai tregoi ndjeshmëri dhe ishte përkrahës për përparimin e të tjerëve në të ardhmen.
3. Shtrini dorën për njerëzit në nevojë
Ndonjëherë njerëzit që kanë më shumë nevojë për ne, nuk na tregojnë gjithmonë. Ndërsa vazhdoni ditën tuaj, kërkoni njerëz që mund të kenë nevojë për ndihmën tuaj. Perëndia shpesh na përdor për t’u shërbyer njerëzve në nevojë. Kushtojini vëmendje çdo mendimi dhe ndjenje që ju frymëzon të veproni, kjo mund të jetë Perëndia duke ju inkurajuar të shtrini dorën e ndihmës.