Përse Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme Bëjnë Pagëzime për të Vdekurit?
Jezusi dha mësim se pagëzimi është i domosdoshëm për të marrë shpëtimin. Po njerëzit që nuk e patën kurrë mundësinë të pagëzoheshin ndërkohë që ishin gjallë? Ngaqë Perëndia është i mëshirshëm, Ai ka siguruar një mënyrë që të gjithë fëmijët e Tij të marrin bekimet e pagëzimit.
Çfarë janë pagëzimet për të vdekurit?
Jezusi dha mësim për rëndësinë e pagëzimit kur tha: “Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë” (Gjoni 3:5). Shenjtorët besnikë të ditëve të mëvonshme mund të pagëzohen në emër të atyre që kanë vdekur pa qenë të pagëzuar. Këto pagëzime kryhen në ndërtesat e shenjta të Kishës që quhen tempuj. Pjesëmarrësit vishen me të bardha dhe pagëzohen me anë të zhytjes si mëkëmbës për njerëzit që kanë vdekur. Këto pagëzime duhet të kryhen nga dikush që mban autoritetin e duhur të priftërisë nga Perëndia.
Për kë i bëjmë këto pagëzime?
Çdo person që ka ndërruar jetë, i cili nuk qe pagëzuar me anë të fuqisë dhe autoritetit të Perëndisë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, mund të pagëzohet me mëkëmbës.
Anëtarët e Kishës e bëjnë historinë familjare jo veç që të mësojnë rreth trashëgimisë së tyre, por edhe që të gjejnë paraardhësit që kanë ndërruar jetë, të cilët nuk janë pagëzuar ende në Kishë. Ata më pas mund të pagëzohen në emër të paraardhësve të tyre.
Përse zgjedhim të bëjmë pagëzime për të vdekurit?
Kryerja e pagëzimeve për të vdekurit është një mundësi që ne të bëjmë për ata që kanë vdekur, atë që ata nuk mund ta bëjnë dot për veten e tyre.
Ne besojmë se kur një person vdes, shpirti i personit largohet nga trupi i vet. Këta shpirtra vazhdojnë të ekzistojnë në një vend të quajtur bota e shpirtrave. Në botën e shpirtrave, shpirtrat e atyre që kanë ndërruar jetë, mund të mësojnë më shumë rreth Jezusit dhe flijimit të Tij për ta. Ne duam që t’u japim atyre që nuk u pagëzuan kurrë ndërsa ishin gjallë, mundësinë që të marrin bekimet e pagëzimit dhe të jetës së përjetshme.
A kanë të drejtë zgjedhjeje ata që kanë ndërruar jetë?
Ngaqë koncepti i pagëzimit për të vdekurit nuk është i njohur për shumë njerëz në botë, disa mund të hamendësojnë se, kur këto pagëzime kryhen, personat që kanë ndërruar jetë, bëhen anëtarë të Kishës kundër vullnetit të vet. Nuk është kështu.
Pasi një anëtar i Kishës pagëzohet në emër të një personi që ka ndërruar jetë, shpirti i personit që ka ndërruar jetë, mund të zgjedhë që ta pranojë ose refuzojë pagëzimin. Emrat e personave të vdekur në emër të të cilëve janë kryer pagëzimet, nuk i shtohen kurrë dokumenteve të anëtarësisë së Kishës.
A kryheshin pagëzime për të vdekurit në kohët e lashta?
Kryerja e pagëzimeve për të vdekurit nuk është një ide e re që thjesht e nxori Kisha jonë. Pasuesit e Krishtit kanë kryer pagëzime për të vdekurit që nga kohët e lashta. Apostulli Pal madje e përmend pagëzimin për të vdekurit në Dhiatën e Re kur flet për Ringjalljen:
“Përndryshe çfarë do të bëjnë ata që pagëzohen për të vdekurit? Në qoftë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen, përse ata edhe pagëzohen për të vdekurit?” – 1 Korintasve 15:29
Praktika e pagëzimit për të vdekurit u rivendos kur Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u themelua në fillimet e viteve 1800.