Si Mund ta Fal Veten?

Nganjëherë, ne vazhdojmë të jemi të ashpër me veten shumë kohë pasi Perëndia na ka falur.

Një burrë me duar të kryqëzuara gjunjëzohet në lutje

Jezusi ka vuajtur tashmë për mëkatet tona

Jezusi vuajti për mëkatet tuaja në Kopshtin e Gjetsemanit dhe në kryq. Kur bëjmë diçka gabim, ne mund të pendohemi dhe të bëhemi sërish të pastër për shkak të flijimit të Jezusit. Falja e vetes është një vepër besimi ndaj Tij.

Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen.” – Doktrina e Besëlidhje 19:16

Kjo nuk do të thotë që ne mund të bëjmë çfarë të duam për shkak se Jezusi e ka marrë tashmë përsipër këtë. Por kjo do të thotë se duhet të kemi besim dhe të vazhdojmë përpara në jetën tonë kur të jemi penduar. Ne nuk duhet të jetojmë me gabimet e së kaluarës.

Faji mund ta dobësojë marrëdhënien tonë me Perëndinë

Nëse vazhdojmë ta lejojmë fajin të ndikojë te ne pasi jemi penduar dhe kemi marrë falje, ne në fakt mund ta largojmë veten nga Perëndia.

Ndonjëherë na krijohet ideja se Perëndia nuk dëshiron të na flasë ose që jemi të padenjë për t’u lutur. Kjo nuk është e vërtetë. Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij dhe është përsosurisht i gatshëm të falë kur pendohemi sinqerisht. Kur Perëndia fal, është sikur mëkati nuk ka ndodhur kurrë.

Por, kurdoherë që pendoheshin dhe kërkonin ndjesë me dëshirë të sinqertë, ata faleshin.” – Moroni 6:8

Është e rëndësishme të kuptojmë që djalli “kërkon që të gjithë njerëzit të jenë të mjeruar sikurse është ai vetë” (2 Nefi 2:27). Mjerimi që vjen nga faji, e pengon aftësinë tonë për ta ndier Shpirtin. Perëndia do që ne të përjetojmë gëzim ndërsa pendohemi për mëkatet tona dhe e ndjekim Jezu Krishtin.

Mësoni t’i hidhni gjërat pas krahëve dhe të vazhdoni përpara

Një profet nga Libri i Mormonit, i quajtur Enos, shkroi rreth përvojës së tij tek i kërkoi falje Perëndisë. Ai u lut gjithë ditën e natën dhe ai dëgjoi një zë të thoshte: “Enos, mëkatet e tua të janë falur dhe ti do të jesh i bekuar” (shihni tek Enosi 1:5). Bukuria e kësaj historie është mënyra se si reagoi Enosi. Ai shkroi: “Dhe unë, Enosi, e dija se Perëndia nuk mund të gënjente, prandaj fajësia ime u fshi” (shihni tek Enosi 1:6).

Enosi nuk vazhdoi t’i kujtonte më gabimet e tij. Përkundrazi, ai menjëherë filloi të lutej për mirëqenien e të tjerëve. Ai kaloi nga të menduarit për veten, në të menduarit për të tjerët. Nguliteni shembullin e Enosit në zemër dhe mësoni të përparoni menjëherë pasi të jeni penduar.

Të falësh veten është një gjë e mirë për shëndetin

Të falësh veten është një koncept i mbështetur nga profesionistët e mjekësisë dhe të shëndetit mendor. Ndonëse shpesh mendohet si doktrinë fetare, kërkimet shkencore i përkrahin dobitë e faljes së vetes.

Andrea Brant, me gradë doktore shkencash në Terapi për Martesën dhe Familjen, tha: “Pranojeni se jo çdokush është i vetëdijshëm ose i ndjeshëm mjaftueshëm sa ta pranojë që ka bërë diçka gabim. Vlerësojeni faktin se jeni ai lloj njeriu që mund t’i dallojë fajet dhe gabimet e veta dhe të thotë: ‘Këtë e bëra unë; unë jam përgjegjësi’. Po, keni bërë diçka të gabuar, por, në thelb, jeni një njeri i mirë” (“When Forgiving Yourself Is the Hardest Kind of Forgiveness”, Psychology Today, 2 tetor 2017, psychologytoday.com).

Në thelb, ajo po thotë se keqardhja është një tregues i mirë i karakterit tonë. Sidoqoftë, ajo sakaq thekson se “asnjë dobi apo e mirë nuk mund të vijë nga mbajtja e vetes peng të modelit shfuqizues të vetëndëshkimit. Ndëshkimi i vetes nuk i shërben askujt. Për t’u shërbyer të tjerëve dhe për ta bërë më të mirë jetën tënde, duhet ta falësh veten.”

Nëse dëshironi të mësoni më shumë rreth faljes dhe rolit të Jezu Krishtit, ne ju ftojmë të takoheni me përfaqësues të Kishës.

Mësoni më Shumë rreth Faljes dhe Dashurisë së Perëndisë për Ju