Çfarë na Mëson Bibla rreth Jezusit?

Bibla na mëson për shëmbëlltyrat, mrekullitë e Jezusit dhe më e rëndësishmja, për jetën e Tij. Ai është një shembull i përkryer për ne. Nëpërmjet Biblës, ne mund të arrijmë ta njohim dhe duam Jezusin.

Një burrë i ulur në një kolltuk, studion Biblën e Shenjtë me faqen të hapur te letra e Palit drejtuar Filemonit

Katër Ungjijtë

Jeta e Jezu Krishtit tregohet me hollësi në katër librat e parë të Dhiatës së Re, të cilët njihen si katër Ungjijtë. Secili ungjill njihet si vepër e një autori të ndryshëm: Mateut, Markut, Llukës dhe Gjonit. Mateu dhe Gjoni qenë Apostujt e Jezusit që i dëshmuan këto ngjarje me sytë e tyre. Në vend që secili ungjill të vazhdojë aty ku ndërpritet i fundit, secili autor jep një rrëfim nga fillimi në fund të shërbesës së Jezusit në Judenë e lashtë. Kjo do të thotë se kemi katër këndvështrime të ndryshme mbi jetën e Jezu Krishtit, secili me idetë dhe pikëpamjet e veta të pashembullta. Bashkërisht, ata japin një dëshmi të paharrueshme për mësimet e Jezusit, shembullin e Tij dhe flijimin e Tij.

Mësimet e Jezusit

Gjatë jetës së Tij, mësimet e Jezu Krishtit morën shumë forma të ndryshme. Ndonjëherë ato ishin përgjigje për pyetjet që iu bënë Atij. Herë të tjera, ato ishin predikime që ua dha pasuesve të Tij të mbledhur, të tilla si Predikimi në Mal. Shpesh, mësimet e Tij morën formën e shëmbëlltyrave: tregimeve të thjeshta që Ai i tregonte për të ilustruar parime të rëndësishme të ungjillit në një mënyrë që do të kuptoheshin nga kërkuesit e sinqertë të së vërtetës.

Por pavarësisht se si Ai zgjodhi ta përçonte mesazhin e Vet, në pah dolën tema të përbashkëta. Jezusi dha mësim për rëndësinë që ka të sigurohemi që të jemi të drejtë jo vetëm në veprimet tona, por edhe në mendimet, ndjenjat dhe shtysat tona. Ai shprehu nevojën për t’u kujdesur për ata që janë më të cenueshëm mes nesh ndërkohë që e dënoi hipokrizinë dhe krenarinë. Ai e lëvdoi vazhdimisht Atin e Tij Qiellor dhe i nxiti pasuesit e Tij që ta forconin marrëdhënien e tyre me Perëndinë nëpërmjet lutjes.

Shëmbëlltyrat e Jezusit

Djali Plëngprishës
Lexoni
Jezusi jep mësim rreth faljes nëpërmjet historisë së një babai që e mirëpret rikthimin e fëmijës së pabindur.
Samaritani i Mirë
Lexoni
Jezusi jep mësim rreth dashurisë për të afërmin nëpërmjet historisë së një burri i cili ndaloi së bëri gjithçka për të ndihmuar një të huaj të cilin e kishin rrahur dhe grabitur.
Delja e Humbur
Lexoni
Jezusi jep mësim rreth vlerës së çdo shpirti nëpërmjet historisë së bariut që lë pas 99 delet e tij për të gjetur atë një që ka humbur.
Shëmbëlltyra e Talentave
Lexoni
Jezusi jep mësim rreth rëndësisë së rritjes vetjake nëpërmjet historisë së tre shërbëtorëve të cilëve u jepen dhurata për të cilat pritet të kujdesen e që t’i zhvillojnë.

Shembulli i Jezusit

Jezusi na tregoi udhën për të jetuar jo vetëm nëpërmjet fjalëve të Tij, por nëpërmjet veprimeve të Tij. Kur t’i lexoni katër Ungjijtë, do të shihni shembuj se si Jezusi e përdor kohën e Tij për të shëruar të sëmurët, për të ushqyer të uriturit dhe për të ngushëlluar të pikëlluarit. Ai u shprehu dashuri të tjerëve dhe qe i gatshëm të mbante qëndrim për atë që e dinte se ishte e drejtë. Ndryshe nga Jezusi, ne nuk mund të jetojmë një jetë pa mëkat, por mund të bëjmë çmos për të ndjekur shembullin që na ka dhënë Ai.

Flijimi i Jezusit

Pavarësisht se sa fort përpiqemi t’i mësojmë mësimet e Jezu Krishtit dhe ta ndjekim shembullin e Tij, ne do të bëjmë gabime. Kjo është pika kur fuqia e vërtetë e Jezu Krishtit, siç jepet mësim në katër Ungjijtë, fillon të veprojë. Te Gjoni 3:16 thuhet: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”. Katër Ungjijtë na mësojnë se, gjatë javës së fundit të jetës së Tij, Jezu Krishti vuajti dhe vdiq për të paguar çmimin për mëkatet tona. Ky flijim quhet Shlyerja. Për shkak të flijimit shlyes të Jezusit, ne mund të pendohemi dhe të falemi që një ditë të mund të kthehemi në praninë e Perëndisë.

Pasi Jezu Krishti vdiq, Ai mrekullisht u ringjall. Për shkak se Jezu Krishti e mposhti vdekjen, të gjithë ne e kemi mundësinë për jetë pas vdekjes. Nga gjithçka që mund të mësojmë rreth Jezusit në Bibël, realiteti i flijimit të Tij është parimi më i fuqishëm që mund të arrijmë të kuptojmë.

Letrat e Dhiatës së Re

Pas Ringjalljes së Tij, Jezu Krishti i organizoi dishepujt e Tij që të sigurohej se puna e ungjillit të Tij do të vazhdonte. Një rrëfim i udhëtimeve dhe përvojave të tyre mund të gjendet te Libri i Veprave të Apostujve, i cili vjen menjëherë pas katër Ungjijve në Dhiatën e Re. Pjesa tjetër e Dhiatës së Re përbëhet gjerësisht nga një sërë shkrimesh prej Apostujve të hershëm. Këto shpesh quhen Letrat, mund të na ndihmojë të mendojmë për to si letra apostolike. Në këto letra, mund të gjejmë shumë mësime të mrekullueshme rreth Jezu Krishtit nga Apostujt e hershëm teksa shkruanin për ta përforcuar besimin e të kthyerve më të hershëm në besim të krishterimit.

Krishti te Letrat

1 Gjon 4:19
Lexoni
“Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari.”
Romakëve 8:16–17
Lexoni
“Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë. Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit.”
1 Korintasve 12:27
Lexoni
“Dhe ju jeni trupi i Krishti dhe gjymtyrët e tij, veç e veç.”
1 Gjon 1:7
Lexoni
“Por, po të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi njeri me tjetrin, dhe gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.”

Libri i Zbulesës

Te Libri i Zbulesës, Apostulli Gjon e tregon me hollësi vegimin e tij për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit, kur Ai do të kthehet në lavdi dhe do të themelojë mbretërinë e Tij në tokë. Ky është momenti kur e gjithë bota do ta dijë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë. Te Zbulesa 5:13 thuhet: “Edhe dëgjova çdo krijesë që është në qiell, mbi dhe, nën dhe dhe ato që janë në det dhe gjitha gjërat sa janë në to, që thoshnin: ‘Atij që rri ulur mbi fron dhe Qengjit i qofshin bekimi, nderi, lavdia dhe forca në shekuj të shekujve’”.

Dhiata e Vjetër

Ndonëse Dhiata e Vjetër nuk i referohet kurrë Shpëtimtarit si “Jezu Krishti”, ne shohim shumë prej emrave të tjerë të Tij nëpër gjithë faqet e tij. Mesia, Jehova, Emanuel, Shëlbues, I Shenjti i Izraelit, Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i Fuqishëm, Atë i Përjetshëm dhe Princ i Paqes janë vetëm disa nga emrat me të cilët identifikohet Ai. Profetët e Dhiatës së Vjetër profetizuan për lindjen e Tij, shërbesën e Tij dhe flijimin e Tij shpëtues. Për shembull, në librin e Isaias, ne marrim një përshkrim të bukur shumëplanësh të Mesias i cili do të vinte për të shëlbuar popullin e Perëndisë. Lindja e Krishtit tregohet me hollësi tek Isaia 7:14, ku thuhet:

“Prandaj vet Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel”.

Isaia 61:1 profetizon për shërbesën e Jezu Krishtit:

“Fryma e Zotit, Zoti është mbi mua, sepse Zoti më ka vajosur për t’u dhënë një lajm të mirë të përulurve; më ka dërguar të lidh plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, të shpall çlirimin e atyre që janë në robëri, hapjen e burgut të burgosurve”.

Ne marrim një dëshmi prekëse për flijimin e ardhshëm të Jezusit tek Isaia 53:4–5, ku thuhet:

“Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar.”

Këto vargje janë vetëm disa nga mënyrat se si Dhiata e Vjetër na drejton te Jezu Krishti. Në fakt, gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri sikurse tregohet me hollësi në Dhiatën e Re, Jezusi shpesh theksoi pikërisht shkrimet e shenjta të Dhiatës së Vjetër të cilat po përmbushte. Fjalët e Tij sigurojnë një urë lidhëse mes dy gjysmave të Biblës së Shenjtë, duke i bashkuar ato në një zë të vetëm që shpall se Ai është Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, Shëlbuesi i Izraelit dhe Shpëtimtari i të gjithë njerëzimit.

Simbolika në Dhiatën e Vjetër

Abrahami dhe Isaku
Lexoni
Kur Abrahami u përball me sakrifikimin e birit të tij të parëlindur, kjo simbolizoi sakrificën e papërfytyrueshme që do të bënte Ati Qiellor nëpërmjet vdekjes së Birit të Tij të Parëlindur, Jezu Krishtit.
Gjarpri në Shkretëtirë
Lexoni
Kur sulmuan gjarpërinjtë helmues, Moisiu ngriti lart një shkop në shkretëtirë për t’u shpëtuar jetën izraelitëve, të cilëve thjesht iu duhej të vështronin në drejtim të shkopit që të shëroheshin. Në mënyrë të ngjashme, ne duhet ta drejtojmë vështrimin nga Jezu Krishti si i vetmi burim i vërtetë i shpëtimit.
Ligji i Moisiut
Lexoni
Kur Perëndia e udhëzoi Moisiun të vendoste një ligj për flijimin e kafshëve mes popullit të tij, ky qe një simbol i flijimit që Jezu Krishti do të bënte në emrin tonë.
Jona dhe Peshku i Madh
Lexoni
Kur Jonan e gëlltiti një peshk i madh, ai qëndroi në barkun e tij tri ditë përpara se të shpëtonte e dilte sërish në dritën e ditës, duke na sjellë në mendje tri ditët në të cilat Krishtit do të qëndronte në varr përpara se të ringjallej në mënyrë të lavdishme.

Mësoni më shumë rreth Biblës, Jezusit dhe Mësimeve të Tij