Çfarë na Mëson Bibla rreth Familjes?
Familja është në qendër të planit të Perëndisë për lumturinë dhe përparimin e fëmijëve të Tij. Në Bibël na mësohet se Perëndia i krijoi familjet që nga fillimi dhe na tregon shumë shembuj të familjeve të forta. Gjithashtu na mësohet se si të kemi një familje të dashur, të lumtur.
Familja e parë: Adami dhe Eva
Pikërisht njerëzit e parë në tokë formuan një familje. Që nga fillimi, Perëndia i bekoi dhe i nxiti familjet, duke i urdhëruar Adamin dhe Evën: “Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën” (Zanafilla 1:28).
Nderoje atin dhe nënën tënde
Një nga Dhjetë Urdhërimet dhënë Moisiut në Dhiatën e Vjen flet drejtpërsëdrejti për marrëdhënien midis prindërve dhe fëmijëve: “Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep” (Eksodi 20:12).
Jezusi dha mësim për martesën
Jezu Krishti dha mësim se martesa është e shenjtë dhe thelbësore në planin e Perëndisë: “Në fillim të krijimit, Perëndia i bëri mashkull e femër. Për këtë arsye njeriu do ta braktisë babanë e tij dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm; kështu nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj njeriu të mos ndajë atë që Perëndia e ka bashkuar” (Marku 10:6–9).
Jezusi u kujdes për familjen e Tij
Jezusi u kujdes për familjen e Tij. Në të gjithë Dhiatën e Re, ne mësojmë se si Jezu Krishti tregoi dashuri për pjesëtarët e familjes së Tij, veçanërisht për nënën e Tij, Marien. Madje edhe kur ishte në agoni në kryq, Jezusi tregoi shqetësim për kujdesin e nënës së Vet: “Atëherë Jezusi, kur pa nënën e tij dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha nënës së tij: ‘O grua, ja biri yt!’. Pastaj i tha dishepullit: ‘Ja nëna jote!’ Dhe që në atë moment ai e mori në shtëpinë e vet” (Gjoni 19:26–27).
Shembujt nga Bibla na mësojnë për rëndësinë e familjes
Disa shembuj të mirënjohur të familjeve në Bibël gjenden në fillim të Dhiatës së Vjetër.
-
Abrahami, Isaku dhe Jakobi të gjithë e zbatuan urdhërimin e Perëndisë për t’u martuar dhe për të pasur fëmijë.
-
Abrahami dhe Sara ushtruan besim për të gëzuar më në fund bekimet që erdhën për të pasur birin e tyre, Isakun (shih Zanafilla 21).
-
Nën drejtimin e Zotit, shërbëtori i Abrahamit përshkoi një largësi të madhe që të gjente Rebekën, një grua të drejtë, që të ishte bashkëshortja e Isakut (shih Zanafilla 24).
-
I biri i Isakut, Jakobi punoi për shumë vite me qëllim që të martohej dhe të krijonte familjen e tij, e cila u bë shtëpia e Izraelit (shih Zanafilla 29–30).
Mësimet e Palit
Apostulli Pal foli shpesh rreth marrëdhënieve familjare. Ai këshilloi: “Fëmijë, binduni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë. Ndero babanë tënd dhe nënën tënde; ky është urdhërimi i parë me premtim, që ti të jesh mirë dhe të jetosh gjatë mbi dhe. Dhe ju, etër, mos provokoni për zemërim fëmijtë tuaj, por i edukoni në disiplinë dhe në këshillë të Zotit” (Efesianëve 6:1–4).