Përkujdesja për Njerëzit Nevojtarë
Kisha e Jezu Krishtit ka një mision për t’u kujdesur për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Kjo përfshin si shëndetin shpirtëror të njerëzve, edhe mirëqenien e tyre fizike.
Përpjekjet vendore
Shumë kohë më parë, Jezusi na tha: “Duaje … të afërmin tënd”. Për ne, kjo do të thotë të sigurohemi që njerëzit që na rrethojnë, të kenë atë që iu nevojitet. Këtu janë disa shembuj:
Ofertat e agjërimit
Anembanë Kishës, anëtarët nxiten të agjërojnë të dielën e parë të çdo muaji. Kjo do të thotë të rrinë pa dy vakte që do të hanin dhe pinin. Kjo na ndihmon të bëhemi më të ndjeshëm shpirtërisht. Ndihmon edhe në përkujdesjen për nevojtarët. Në ç’mënyrë? Kur agjërojmë, ne ia dhurojmë koston e vakteve që kemi lënë pa ngrënë, një fondi që shkon për përkujdesjen për anëtarët e bashkësisë të cilët kanë nevojë për ndopak ndihmë. Kjo quhet oferta e agjërimit. Mësoni më shumë rreth arsyeve përse agjërojmë këtu.
Shërbimet e mirëqenies
Kush e vendos se ku shkojnë ofertat e agjërimit? Udhëheqësit vendorë, të quajtur peshkopë dhe presidentë dege, kanë përgjegjësinë të sigurohen që ata të cilët kanë më shumë nevojë, i marrin ato – në mënyrë konfidenciale, sigurisht. Njerëzit që marrin ndihmë nga Kisha, caktojnë një plan me peshkopin e tyre për t’u bërë të mbështetur te vetja.
Depot e ushqimeve
Ofertat e agjërimit dhe dhurimet e tjera ndihmojnë në mbushjen e depove ruajtëse që financohen nga Kisha, ku njerëzit që janë në nevojë, mund të shkojnë për ushqime dhe furnizime të tjera. Shumë shpejt pas njoftimit, ushqime dhe furnizime prej depove ruajtëse shkojnë gjithashtu tek ata, jetët e të cilëve janë prekur katërcipërisht nga fatkeqësi natyrore, luftëra ose ngjarje të tjera katastrofash.
Përpjekjet globale
Ndonjëherë “[i] afërmi…” [apo fqinji] i përmendur tek urdhërimi “duaje … të afërmin tënd” banon paksa jashtë lagjes sonë të të afërmve. Pavarësisht se ku jetojmë në botë, ne të gjithë jemi vëllezër e motra, prandaj Kisha administron programe humanitare në thuajse 200 vende. Mësoni më shumë rreth përpjekjeve të Kishës për t’u kujdesur për njerëzit nevojtarë.
Duart Ndihmëtare
Qoftë nëse janë duke pastruar pas katastrofave apo thjesht duke mbledhur plehra, bluzat dhe veshjet e verdha që veshin vullnetarët e Duarve Ndihmëtare shfaqen në të gjithë botën. Mësoni më shumë për këtë program shërbimi këtu.
Ujë i pastër
Uji i pastër është diçka që shumë njerëz e marrin për të mirëqenë – dhe shumë të tjerëve iu duhet t’ia dalin pa të. Programi për ujë të pastër ofron kohën dhe aftësitë e vullnetarëve për të krijuar sisteme uji të freskët dhe tualete nëpër botë, duke u siguruar që vendësit t’i kenë mjetet për të bërë që uji të vazhdojë të jetë i rrjedhshëm shumë kohë pasi të jenë larguar vullnetarët. Mësoni më shumë këtu.
Përkujdesja për nënat dhe të porsalindurit
Në vendet me qasje ndaj kujdesit shëndetësor modern, lindja e fëmijëve është relativisht një përvojë e parrezikshme në këto kohë. Por për shumë gra e foshnja në vendet në zhvillim, çështja qëndron ndryshe. Ne punojmë me organizata vendore që të ndihmojmë në rikthimin e funksionit zemër‑mushkëri të bebeve në lindje, që të kujdesemi për të porsalindurit dhe të përmirësojmë mbijetesën e nënave.
Përpjekjet në përgjigjen ndaj refugjatëve
Kur njerëzit nuk kanë më një shtëpi tek e cila të kthehen, ata shpesh kanë nevojë për ndihmë që të bëjnë përpara. Refugjatëve mund t’iu duhen nevojat bazë si ushqime, ujë, ilaçe dhe veshje. Ne bashkëpunojmë me partnerë të ndryshëm dhe agjenci të sistemit në strehim të ri për t’i ndihmuar njerëzit të nisin një jetë të re.