Ide për Shërbim të Përditshëm nga Nisma “Ndriçoje Botën”
Ne mund ta bëjmë këtë periudhë të Krishtlindjes më të lumtur duke treguar dashuri në të njëjtën mënyrë se si e tregoi Jezusi gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri. Nëse nuk je i sigurt se si, këto sugjerime janë një vend i shkëlqyer për të filluar.
Për të filluar trajnimin e muskujve të tu të mirëdashjes – rri syçelë për dikë që ka nevojë për një dorë ndihmëtare.
Një veprim i vogël mund të sjellë një ndryshim të madh. Shih se sa njerëzve mund t’u japësh një buzëqeshje sot.
Dil për një shëtitje në dritën e pakët të ditës – dhe ftoje një mik të vijë me ty.
Jezusi është shembulli më i mirë i dritës dhe i dashurisë. Shikoje historinë e lindjes së Tij këtu: ndricojeboten.org
Muzika e ngre humorin. Sill më shumë dritë në botë duke i dërguar një këngë dikujt.
Gjej një çast për të reflektuar mbi një rast kur dikush ishte një dritë për ty. Shpërndaje me ne në rrjetet shoqërore me nismën #NdriçojeBotën!
Përgëzimet na bëjnë të ndihemi mirë, si kur i japim, ashtu edhe kur i marrim. Tregoje vlerësimin tënd duke bërë përgëzime të sinqerta.
Mirëdashja është ngjitëse! Studimet tregojnë se ata që e shohin të mirën ka më shumë të ngjarë të bëjnë mirë. Rendit 5 gjëra të mira që mund t’i shohësh tani!
Para se të hapësh gojën sot, mendo se si mund të përdorësh fjalë më dashamirëse.
Të gjithë duan që të dëgjohen. Trego interes duke bërë më shumë pyetje të mëtejshme.
Shpërndaje koncertin e sotëm të Krishtlindjes në internet te miqtë, fqinjët dhe familja jote. Hyr këtu: ndricojeboten.org
Kë ke në mendje sot? Gjej një mënyrë për t’ia ndriçuar jetën atij personi.
Çfarë e bën dritën tënde të ndriçojë më shumë brenda vetes sate? Shkruaj një listë me 10 gjëra dhe zgjidh një ku mund të përqendrohesh sot.
“Sa herë vini re dikë në nevojë dhe … [e] ndihm[oni] me dashuri, drita [e Perëndisë] rritet dhe shtohet.” – Plaku Diter F. Uhtdorf
Organizatat bamirëse janë veçanërisht të zëna gjatë kësaj periudhe të vitit. Çfarë mund të bësh për ta përkrahur një organizatë bamirëse vendore me kohë apo burime të tjera?
Si mund ta përhapësh dritën tënde këtë Krishtlindje? Merr 30 sekonda për të reflektuar, pastaj shko dhe bëj!
“Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë?” (Psalmeve 27:1.) Merr më shumë dritë duke lexuar te Psalmeve 27.
Këtë të diel, bashkohu me ne për një shërbesë Krishtlindjeje të përqendruar te Krishti. Të gjithë janë të mirëpritur të adhurojnë me ne. Madje mund të ftosh një mik që të vijë me ty.
Perëndia na ka dhënë një botë të bukur, edhe në mes të dimrit. Shpërndaje në rrjetet shoqërore se si e sheh bukurinë përreth teje tani.
Kur je mirëdashës, qendra e trurit tënd për shpërblimin aktivizohet sikur të ishe marrësi dhe jo dhënësi. Jepi trurit një fuqizim sot!
Cila është një gosti e parapëlqyer për Krishtlindje? Me kë mund ta ndash për t’ia ndriçuar ditën?
Mendo për ata që ta ndriçojnë shtegun: Si mund t’ua shprehësh mirënjohjen sot?
A ke një traditë Krishtlindjeje? Ftoje dikë të të bashkohet ose krijo një të re.
Teksa kremton lindjen e Jezusit, kujto fjalët e Tij: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek … do të ketë dritën e jetës” (Gjoni 8:12).