Shpirti i Shenjtë
Shpirti i Shenjtë është një anëtar i Kreut-Perëndi
Shpirti i Shenjtë është [qenie] më vete nga Perëndia dhe Jezusi, por Ata janë të bashkuar në qëllim. Shpirti i Shenjtë na ndihmon ta kuptojmë të drejtën nga e gabuara, na ngushëllon gjatë hidhërimit dhe na ndihmon që të arrijmë ta njohim Perëndinë dhe Birin e Tij.
Mënyra se si Shpirti i Shenjtë mund ta bekojë jetën tonë
Shpirti i Shenjtë mund të na ndihmojë në shumë mënyra. Këtu janë disa.
1. Udhërrëfyesi Ynë Qiellor
Kur një zgjedhje na duket e drejtë ose e gabuar në mënyrë të pashpjegueshme, ajo do të thotë që Fryma e Shenjtë po na ndihmon ta dallojmë të vërtetën. Ndjenjat tona shpirtërore mund të na ndihmojnë t’i udhërrëfejnë zgjedhjet dhe vendimet tona. Nganjëherë ato madje mund të na paralajmërojnë ose të na ndihmojnë ta shmangim rrezikun.
2. Ngushëlluesi Ynë
Shpirti i Shenjtë është një burim ngushëllimi kur jemi të trishtuar ose të vetmuar. Ai mund ta fashitë frikën tonë dhe na ndihmon të ndiejmë paqe kur brengosemi. Kur i kërkojmë Perëndisë ngushëllim, ne mund ta ndiejmë fuqinë e Frymës së Shenjtë.
3. Mësuesi Ynë
Shpirti i Shenjtë mund të na ndihmojë të mësojmë mësime që mund ta ndryshojnë për mirë jetën tonë. Shpirti i Shenjtë na ndihmon të dimë se Perëndia është i vërtetë, se Jezu Krishti vdiq për mëkatet tona dhe se ne mund të marrim falje dhe të mbushemi me gëzim.
4. Ndërtuesi i Karakterit Tonë
Kur e ndiejmë dhe e dëgjojmë Shpirtin e Shenjtë, ne rritemi personalisht dhe bëhemi më shumë si Jezusi. Ne mund ta përjetojmë jetën me më shumë dashuri, gëzim, besim dhe mirësi. Bibla shpall se “fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli” (Galatasve 5:22–23).
Dallimi i Shpirtit të Shenjtë
Perëndia komunikon me ne nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë. Shpirti i Shenjtë mund të vijë te ne në formën e mendimeve dhe ideve të mira ose si ndjenja plot paqe e ngushëlluese. Kur kemi mendime ose ndjenja të mira, do të thotë që Perëndia po na jep zemër, duke na treguar të vërtetën dhe duke na dhënë drejtim.
Të gjithë ne e ndiejmë Shpirtin e Shenjtë në mënyrën tonë. Nganjëherë te Bibla përshkruhet si “një shushuritje e ëmbël” (1 Mbretërve 19:12) saqë duket pothuajse si pëshpëritje në mendjen tuaj.
Ta Ndiejmë Shpirtin e Shenjtë më shpesh
Nëse doni të jeni të hapur ndaj Shpirtit të Shenjtë, shpesh është e dobishme të luteni dhe të meditoni në një vend të qetë. Ju mund ta ndieni Shpirtin e Shenjtë gjithashtu kur luteni dhe lexoni Biblën dhe Librin e Mormonit. Kur gjeni kohë për t’i studiuar fjalët e Perëndisë, ju i tregoni Atij se dëshironi vërtet ta njihni Atë dhe të mësoni prej Tij.
Libri i Mormonit mund t’ju ndihmojë ta ndieni Shpirtin e Shenjtë
Libri i Mormonit jep një premtim për këdo që lexon dhe lutet rreth tij:
“Dhe kur ju t’i merrni këto gjëra, unë do t’ju këshilloja që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë” (Moroni 10:4).
Nëse lexoni dhe luteni sinqerisht për Librin e Mormonit, ju do ta ndieni Shpirtin e Shenjtë ta pohojë të vërtetën e tij. Libri i Mormonit mund t’ju ndihmojë të dini se Perëndia jeton dhe se Ai ju do, dhe se Jezusi është Shpëtimtari juaj. Misionarët mund t’ju ndihmojnë të mësoni si të bëheni më të vetëdijshëm për Shpirtin e Shenjtë dhe se si të ndieni paqe dhe gëzim në jetën tuaj.