Të Kuptuarit e Lumturive

Lumturitë na ndihmojnë t’i kuptojmë më mirë bekimet që Perëndia i ka ruajtur për ne dhe se çfarë do të thotë të jesh një pasues i Jezusit.

Jezu Krishti u jep mësim dishepujve të Tij te Predikimi në Mal

Çfarë janë Lumturitë?

Jezu Krishti dha mësim ungjillin e Tij dhe përvijoi mënyrën se si të jesh një dishepull i drejtë në një predikim të fuqishëm që quhet Predikimi në Mal. Në të, Ai dha edhe tetë mësime të rëndësishme që quhen Lumturitë. Fjala lumturi do të thotë “gjendje supreme bekimi” ose “gëzim i ekzaltuar”. Lumturitë theksojnë bekimet e premtuara, të mahnitshme që vijnë kur zhvillojmë disa tipare të drejta.

1

Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve

Të jesh skamës në frymë do të thotë të jesh i përulur dhe i mësueshëm. Jezusi dëshiron që ne gjithmonë ta pranojmë me përulësi nevojën tonë për Të.

2

Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen

Ne do të hasim sfida dhe probleme që do të na vënë në provë. Ndërsa vajtojmë për humbjet ose sprovat tona, neve na premtohet që do të bekohemi teksa durojmë. Perëndia do të dërgojë Shpirtin e Tij të Shenjtë për të na ngushëlluar në kohë nevoje.

3

Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën

Të jesh zemërbutë do të thotë të jesh i butë, dashamirës, i duruar dhe tolerant – jo krenar, i fortë ose mendjemadh. Shpëtimtari e tregoi zemërbutësinë e Tij duke qenë i gatshëm t’i nënshtrohej vullnetit të Perëndisë. Edhe në një çast agonie të skajshme, Ai i tha Perëndisë: “Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti” (Lluka 22:42).

4

Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen

Ne mund të afrohemi më shumë me Perëndinë kur përpiqemi t’i ndjekim mësimet e Tij dhe mësojmë më shumë rreth Tij. Sa më shumë dituri të kërkojmë, aq më shumë do të na bekojë Ai me të.

5

Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë

Jezu Krishti ishte një shembull i përsosur i të treguarit falje dhe mëshirë. Edhe kur po vuante në kryq, Ai tha: “Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë” (Lluka 23:34). Përderisa ne të gjithë kemi nevojë për mëshirë, ne të gjithë duhet të tregojmë mëshirë.

6

Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë

Perëndia do të na shfaqet nëse jemi të pastër në zemër. Nëse përpiqemi fort, me zell që të jemi si Perëndia, synimet dhe veprimet tona do të jenë të ndershme dhe zemrat tona do të jenë të pastra.

7

Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë

Një emër tjetër që ka Jezusi është “Princi i Paqes”. Jezusi na nxit ta ndjekim shembullin e Tij duke e dashur çdo njeri, që të mund të jetojmë së bashku në harmoni.

8

Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve

Ne mund të përballemi me kritika nga shoqëria ose grupe të tjera për mënyrën se si jetojmë, për gjërat në të cilat besojmë dhe gjërat që bëjmë. Mbrojini me guxim parimet e Perëndisë dhe Kishën e Tij. Perëndia do t’ju bekojë për këtë si në këtë jetë, edhe në tjetrën.

Mësoni më shumë rreth Biblës, Jezusit dhe Mësimeve të Tij