Shpirti i Shenjtë
Shpirti i Shenjtë na jep ngushëllim, na ndihmon të dallojmë të vërtetën dhe dëshmon për Jezusin. Mësoni më shumë rreth Shpirtit të Shenjtë dhe mënyrës se si Ai mund t’ju ndihmojë gjatë gjithë jetës suaj.
Cili është roli i Shpirtit të Shenjtë?
Shpirti i Shenjtë, ose Fryma e Shenjtë, është dëshmitar i Perëndisë dhe Jezu Krishtit. Fryma e Shenjtë konfirmon të vërtetën e ungjillit të Jezusit. Ai komunikon me ne me një “zë [të] qetë [të] një butësie të përsosur, sikur … një pëshpëritje dhe depërto[n] deri në thellësinë e shpirtit” (Helamani 5:30).
Jep udhërrëfim
Shpirti mund të na udhërrëfejë gjatë gjithë jetës sonë. Kur i kërkojmë Perëndisë ndihmë plot lutje, Shpirti i Tij i Shenjtë “do t[ë na] tregojë të gjitha gjërat që duhet të bë[jmë]” (2 Nefi 32:5). Njëra nga mënyrat se si Perëndia komunikon me ne, është nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Shpirti i Shenjtë i flet mendjes dhe zemrës sonë nëpërmjet mendimeve dhe ndjenjave.
Ofron ngushëllim
Përpara se të kryqëzohej, Jezusi u premtoi pasuesve të Tij se Ati do t’u dërgonte Ngushëlluesin ose Frymën e Shenjtë (shihni te Gjoni 14:26–27). Një rol i Frymës së Shenjtë është që të ofrojë ngushëllim dhe paqe. Shpirti na ngushëllon kur jemi të frikësuar, vetmuar ose dërrmuar dhe na mbush me “shpresë dhe dashuri të pastër” (Moroni 8:26).
E ndryshon zemrën
Shpirti mund t’jua ndryshojë dhe pastrojë zemrën. Çdonjëri prej nesh përjeton mundime të brendshme, të padukshme. Ne mund të ndiejmë zemërim, lëndim, xhelozi ose shumë ndjenja të tjera të pakëndshme të shkaktuara nga një numër çfarëdo rrethanash. Nëpërmjet besimit tonë te Jezusi, Fryma e Shenjtë mund të na e pastrojë zemrën dhe të na i ndryshojë prirjet. Ai mund të na ndihmojë që t’i falim të tjerët, ta zëvendësojmë zemërimin me dashuri dhe të bëhemi më shumë si Jezusi.
Pohon të vërtetën
Fryma e Shenjtë mund t’ju ndihmojë “të dini të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:5). Ai dëshmon për Atin Qiellor dhe për Jezu Krishtin, si dhe për rolin hyjnor të Jezusit, dashurinë e Perëndisë dhe të gjitha të vërtetat e tjera të përjetshme. Ju mund ta ndieni Shpirtin e Shenjtë t’jua pohojë të vërtetën në zemër dhe mendje ndërsa i studioni shkrimet e shenjta dhe luteni për kuptueshmëri.
Si mund ta ndiej ndikimin e Shpirtit të Shenjtë në jetën time?
Çdokush mund ta ndiejë ndikimin dhe fuqinë e Frymës së Shenjtë ndërsa kërkon të bëjë mirë dhe përpiqet fort të ndjekë shembullin e Jezu Krishtit. Veprimtari të tilla si lutja, leximi i fjalës së Perëndisë, frekuentimi i kishës dhe shërbimi ndaj të tjerëve shpesh ftojnë ndikimin e Shpirtit të Shenjtë. Shkrimet e shenjta japin shpjegime mbi mënyrën se si ta mbani Frymën e Shenjtë me vete.
Jini të përulur
Njerëzit e përulur e dallojnë fuqinë e Perëndisë dhe i japin përparësi vullnetit të Tij mbi vullnetin e tyre. Kjo fton Shpirtin. Libri i Mormonit këshillon: “Përul[u]ni para Zotit dhe … thërrisni në emrin e tij të shenjtë dhe … j[i]ni vigjilentë, dhe … lut[u]ni vazhdimisht, që ju të mos tundoheni mbi atë që mund të duroni dhe kështu të udhëhiqeni nga Shpirti i Shenjtë” (Alma 13:28).
Ushtroni besim
Bibla na mëson se “besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen” (Hebrenjve 11:1). Pasja e besimit do t’ju ndihmojë ta ndieni më shumë ndikimin e Shpirtit të Shenjtë. Libri i Mormonit pohon: “Ata që … kanë besim, kanë lidhje të ngushtë me Shpirtin e Shenjtë i cili iu shfaq fëmijëve të njerëzve, sipas besimit të tyre” (Jaromi 1:4).
Kujtojeni Jezusin
Jezusi premton se Shpirti do të jetë përherë me njerëzit që e kujtojnë atë që Ai ka bërë për ta. Libri i Mormonit tregon se si Jezusi i vizitoi njerëzit në kontinentin e lashtë amerikan pas Ringjalljes së Tij. Sikurse kishte bërë në Jerusalem, Ai u paraqiti atyre sakramentin (ose kungimin) dhe tha: “Këtë gjë do ta bëni për të kujtuar trupin tim … . Dhe do të jetë një dëshmi për Atin, që ju më kujtoni gjithnjë. Dhe në qoftë se ju më kujtoni gjithnjë, ju do të keni Shpirtin tim që të jetë me ju” (3 Nefi 18:7).
Shpirti i Shenjtë është një burim ngushëllimi që mund t’ju udhërrëfejë drejt bekimeve të mëdha dhe të pohojë të vërteta të rëndësishme. Ndërsa e kërkoni ndikimin e Shpirtit të Shenjtë, ju do të jeni në gjendje të afroheni më shumë me Perëndinë dhe të mësoni më shumë prej Tij.