A u Përgjigjet Perëndia Lutjeve? Po!
Perëndia na dëgjon përherë kur lutemi. Shkrimet e shenjta tregojnë shembuj të panumërt të lutjeve që Perëndia ka dëgjuar dhe të cilave iu është përgjigjur. Ai vazhdon t’u përgjigjet lutjeve sot. Nëpërmjet fuqisë së lutjes, mund të merrni përgjigje për pyetjet tuaja dhe të merrni bekimet që Perëndia ka në ruajtje për ju. Një nga mënyrat e shumta se si Perëndia e tregon dashurinë e Tij, është duke iu përgjigjur lutjeve.
Perëndia interesohet për jetën tuaj
Duke e ditur se kush jeni dhe kush është Perëndia, ju mund të fitoni një kuptueshmëri më të thellë për fuqinë e lutjes dhe arsyen përse ajo funksionon.
Perëndia është Ati juaj
Apostulli Pal dha mësim: “Ne jemi pasardhës të Perëndisë” (Veprat e Apostujve 17:29). Ju jeni fëmijë i Perëndisë. Perëndia është vërtet Ati i shpirtit tuaj. Si çdo prind, Ai dëshiron të ketë një marrëdhënie me ju. Ai dëshiron që ju të komunikoni me Të nëpërmjet lutjes, dhe Ai përherë ju dëgjon kur e bëni atë.
Perëndia ju do
Ashtu si prindërit tokësorë kujdesen fort për fëmijët e tyre, Ati juaj Qiellor ju do dhe dëshiron që ju të jeni të lumtur. Kjo nuk do të thotë se jeta juaj do të jetë përherë e lehtë apo e gëzueshme. Perëndia do të lejojë të përjetoni sfida që ju japin mësime të rëndësishme, dhe ju ndihmojnë të bëheni një njeri më i mirë. Por Perëndia do t’u përgjigjet përherë lutjeve tuaja për shkak të dashurisë së Tij të pambarimtë për ju dhe gjithë fëmijët e Tij.
Perëndia dëshiron t’ju bekojë
Perëndia ynë i dashur dëshiron prej fëmijëve të Tij që t’i marrin të gjitha bekimet që Ai mund t’u japë. Jezu Krishti shpjegoi për dëshirën e Perëndisë që t’iu përgjigjet lutjeve tona: “A ka midis jush ndonjë njeri që, po t’i kërkojë i biri bukë, t’i japë një gur? Ose po t’i kërkojë një peshk, t’i japë një gjarpër? Në qoftë se ju … dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë” (Mateu 7:9–11).
Perëndia e di se si t’iu përgjigjet në mënyrën më të mirë lutjeve tuaja
Perëndia do t’u përgjigjet lutjeve tuaja, por kjo nuk do të thotë që Ai do t’ju japë çfarëdo që kërkoni. Për shkak se Ai e di se çfarë është më e mira për ju, Ai do t’iu përgjigjet lutjeve tuaja në mënyrën e Tij. Përpiquni fort të kërkoni gjëra që janë në harmoni me vullnetin e Perëndisë.
Lutuni që të dini vullnetin e Perëndisë
Qëllimi i lutjes nuk është të ndryshojë vullnetin e Perëndisë apo ta detyrojë Atë të bëjë atë që dëshironi ju që të bëjë. Lutja ju lejon t’i merrni bekimet që Perëndia ka tashmë në ruajtje për ju. Kur luteni për të ditur se çfarë dëshiron Perëndia që të bëni, dhe se çfarë ka përgatitur Ai për ju, do të shihni më shumë bekime në jetën tuaj dhe do të merrni më shumë përgjigje për lutjet tuaja. Jezusi dha mësim: “Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet” (Gjoni 15:7).
Lutuni me besim
Dhiata e Re na mëson: “Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia … dhe atij do t’i jepet. Por le ta kërkojë me besim” (Jakob [Bibël] 1:5–6). Besimi është një bindje për gjërat që nuk mund t’i shihni ende (shihni te Hebrenjve 11:1). Nëse luteni dhe besoni sinqerisht se Perëndia do t’ju përgjigjet, Ai do ta bëjë atë.
Perëndia do që ne të bëjmë pjesën tonë
Marrja dhe dallimi i përgjigjeve ndaj lutjeve tuaja mund të kërkojë ca punë dhe durim nga ana juaj.
Pyesni
Mund të duket e thjeshtë, por ne duhet t’i kërkojmë Perëndisë bekimet për të cilat kemi nevojë. Jezusi dha mësim: “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni” (Mateu 7:7). Kur përpiqeni fort e në mënyrë të sinqertë t’u bindeni urdhërimeve të Perëndisë, Ai do t’ju japë përgjigje për lutjet tuaja dhe ju do të jeni gati që t’i merrni ato. Perëndia i “dëgjon lutjet e të drejtëve” (Fjalët e Urta 15:29).
Agjëroni
Agjërimi është një mjet i fuqishëm për të marrë përgjigje për lutjet. Të agjërosh do të thotë të rrish pa ushqim dhe ujë për një periudhë të caktuar kohore. Kjo i tregon Perëndisë përulësinë tuaj dhe gatishmërinë tuaj për të sakrifikuar me qëllim që të merrni bekime. Kur Jezusi zbuloi se disa nga dishepujt e Tij u përpoqën në mënyrë të pasuksesshme të shëronin një djalosh, Ai vuri në dukje se bekimi i drejtë që po kërkonin, mund të merrej veç “me anë të lutjes dhe të agjërimit” (Mateu 17:21).
Jini të duruar dhe besnikë
Ndonjëherë duket sikur Perëndia nuk u përgjigjet në mënyrë të menjëhershme lutjeve ose se nuk u përgjigjet fare. A do të thotë kjo se Ai nuk merakoset apo se Ai nuk po dëgjon? Në asnjë mënyrë! Ndonjëherë Perëndia vonon t’u përgjigjet lutjeve tona pasi na mirëbeson që do marrim vendimin e duhur. Herë të tjera, Perëndia na kërkon që të presim me durim për një përgjigje në mënyrë që të mund të ndërtojmë besimin dhe mirëbesimin tonë tek Ai. Dhe në disa raste, Perëndia na jep përgjigje, por ato mund të mos jenë ajo që kishim shpresuar. Pavarësisht nga përgjigjja, gjeni ngushëllim në faktin që Perëndia mban përherë vesh kur ju luteni dhe dëshiron atë që është më e mira për ju. Ati juaj Qiellor do kujdeset për ju dhe do t’ju ndihmojë të bëheni varianti më i mirë i vetes.