Bazat e Biblës
As nuk do t’ju shkonte ndër mend se një libër i shkruar mijëra vite më parë do të mund t’ju ndihmonte të përballeni me problemet e sotme, por kjo është pikërisht ajo që bën Bibla. Ajo mund t’ju ndihmojë të jeni njeri më i mirë, të zbuloni bekimet e bindjes ndaj urdhërimeve të Perëndisë dhe të qëndroni të vërtetë ndaj bindjeve tuaja edhe kur hasni në rezistencë. Mbi të gjitha, mund të mësoni rreth Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, i cili e flijoi Veten për të gjithë ne.
Dhiata e Vjetër
Bibla përbëhet nga dy pjesë kryesore, secila prej pjesëve është e përbërë nga shumë libra më të vegjël. Pjesa e parë, Dhiata e Vjetër, tregon për njerëzit që jetuan shumë vjet përpara lindjes së Jezusit. Perëndia u dha atyre ligje dhe procedura për t’i përgatitur për ardhjen e Shpëtimtarit.
Figura Kyç në Dhiatën e Vjetër
Adami dhe Eva
Perëndia krijoi Adamin dhe Evën si burrin dhe gruan e parë. Falë tyre, ne të gjithë kemi mundësinë të lindim në tokë, ku mund të mësojmë dhe zhvillohemi.
Noeu
Ky njeri i mirë u paralajmërua nga Perëndia për një përmbytje të ardhshme. Ai e shpëtoi familjen e vet duke e hipur në një barkë të madhe të quajtur arkë.
Abrahami
Gjatë një prove bindjeje, Perëndia i tha Abrahamit të flijonte të birin. Abrahami tregoi gatishmëri dhe i biri shpëtoi.
Jakobi
Jakobi, i njohur edhe me emrin Izraeli, pati dymbëdhjetë bij, pasardhësit e të cilit u bënë një komb i fuqishëm.
Moisiu
Pasi pasardhësit e Jakobit, izraelitët, ishin skllavëruar në Egjipt, Moisiu i ndihmoi që të çliroheshin dhe i udhëhoqi drejt një toke të premtuar.
Davidi
Pasi mundi një luftëtar gjigant që quhej Goliath, Davidi u rrit në pjekuri duke u bërë mbreti i izraelitëve.
Esteri
Kjo mbretëreshë trime ndihmoi për shpëtimin e popullit të saj, judenjve, nga intrigat e këshilltarit të lig të mbretit të Persisë.
Danieli
Danieli qëndroi i vërtetë ndaj bindjeve të tij madje edhe kur çmimi për t’u paguar ishte hedhja në një gropë luanësh. Perëndia e shpërbleu atë duke e ruajtur të sigurt në mënyrë të mrekullueshme.
Dhiata e Re
Dhiata e Re fillon me lindjen e Jezusit dhe vazhdon me shërbesën, vdekjen dhe Ringjalljen e Tij. Ajo mbyllet me shkrimet e njerëzve që Jezusi i dërgoi që t’ia jepnin mësim botës ungjillin e Tij. Gjatë jetës së Tij, Jezusi përmbushi ligjet që Perëndia kishte dhënë në kohët e Dhiatës së Vjetër, dhe dha mësim një ligj më të lartë që bazohej te dashuria. Ai na mësoi si të gjejmë lumturi duke u shërbyer të tjerëve, duke i zbatuar urdhërimet e Perëndisë dhe duke i lënë prapa gabimet tona.
Figura Kyç në Dhiatën e Re
Jezu Krishti
Biri i Perëndisë erdhi në tokë për të paguar çmimin për të gjitha mëkatet tona që ne të mund të faleshim. Ai vdiq dhe u ngrit nga varri që të gjithë ne të mund të jetojmë me Perëndinë sërish një ditë.
Maria dhe Jozefi
Maria ishte një grua besnike që u zgjodh nga Perëndia për të lindur Jezu Krishtin. Bashkëshorti i Maries e pranoi besnikërisht thirrjen e saj dhe e ndihmoi të rriste Jezusin.
Pjetri
Jezusi thirri Apostuj që ta ndihmonin për predikimin e ungjillit. Apostulli kryesor, Pjetri, u bë një misionar i guximshëm pas vdekjes dhe Ringjalljes së Jezusit.
Gjon Pagëzori
Kushëriri i Jezusit, një njeri i shenjtë prej meritës së vet, ndihmoi që të përgatitej udha për Jezusin dhe më vonë e pagëzoi Atë.
Maria Magdalena
Kjo dishepulle e përkushtuar e Jezu Krishtit u bë personi i parë që e pa Atë pas Ringjalljes së Tij.
Gjoni, i Dashuri
Ky Apostull “i dashur” (një tjetër, jo Gjon Pagëzori), qe mes miqve më të ngushtë të Jezusit dhe më vonë shkroi librin e quajtur Zbulesa.
Pali
Pasi përndoqi shumë të krishterë, Pali e ndryshoi katërcipërisht jetën e vet dhe duroi shumë mundime ndërsa predikonte ungjillin.
Mateu, Marku dhe Lluka
Këta pasues të Jezusit, së bashku me Gjonin, shkruan ata që do të bëheshin më vonë katër Ungjijtë, librat që tregojnë për jetën e Jezusit.