Kush e Shkroi Librin e Mormonit?
Sikurse Bibla, Libri i Mormonit ka shumë autorë. Libri i Mormonit në fakt është një koleksion historish të përcjella nga një shkrues tek tjetri.
Autori i parë në Librin e Mormonit është profeti Nefi, i cili u largua nga Jerusalemi me familjen e tij në vitin 600 pr.K. dhe lundroi drejt kontinentit amerikan. Nefi ia kaloi analin vëllait të tij më të vogël, Jakobit, i cili ia dha birit të tij, Enosit. Secili autor gjithmonë ia dha analin dikujt tek i cili kishte besim.
Përse quhet Libri i Mormonit?
Pas qindra vjetësh, anali iu dorëzua Mormonit, i cili ishte edhe profet, edhe udhëheqës ushtarak. Mormoni i përmblodhi të gjitha shkrimet në një vëllim, të gdhendur në fletë të holla metali. Ai e titulloi atë Libri i Mormonit. Përpara se të vdiste, Mormoni ia kaloi fletët birit të tij, Moronit. Moroni shtoi pak fjalë, më pas i groposi fletët.
Jozef Smithi përktheu Librin e Mormonit
Në vitin 1823, Moroni iu shfaq Jozef Smithit si një engjëll dhe i tregoi se ku ishin groposur fletët. Jozef Smithi i përktheu fletët në anglisht nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë dhe Libri i Mormonit u botua në Palmira të Nju‑Jorkut në vitin 1830.
Që nga ajo kohë, ky vëllim i shenjtë është përkthyer në më shumë se 100 gjuhë dhe janë botuar mbi 150 milionë kopje.