4 Mënyra për të Gjetur Paqe në Kohë të Vështira
Gjatë kohëve të vështira, jeta mund të duket e mbingarkuar. Por Perëndia e di atë që po kaloni. Ai mund t’ju ndihmojë të gjeni paqe të vërtetë.
Jeta është plot me sfida dhe ndonjëherë mund të jetë e vështirë të gjeni paqe të vërtetë. Ngjarjet e jetës dhe problemet aktuale mund të jenë burim frike, brenge dhe ankthi. Të drejtuarit Perëndisë nuk do t’jua heqë domosdoshmërisht dhembjen, por mund t’ju ndihmojë të gjeni pak ngushëllim.
Drejtojuni Jezusit
Në kohë të vështira, mund të jetë e zorshme të parafytyrojmë se ndokush i kupton mundimet tona. Ne mund të ndihemi të pashpresë, të izoluar dhe të kapluar prej dëshpërimit. Por ka një person i cili e kupton gjithçka që po ndieni. Jezusi e ka përjetuar të gjithë dhembjen dhe frikën tuaj. Ai i njeh shqetësimet dhe ankthet tuaja dhe Ai mund t’ju ndihmojë t’i kapërceni ato. Ai jetoi, vuajti dhe vdiq për secilin prej nesh, në mënyrë që neve të mos na duhej kurrë të ishim vetëm.
Ju mund të gjeni paqe më të madhe ndërsa i drejtoheni Jezusit dhe ia lini disa prej shqetësimeve tuaja Atij. Ai mund të ndihmojë për t’i mbajtur ato kur nuk ndiheni mjaftueshëm të fortë. Jezusi do që ju të jeni të lumtur, Ai ju gjendet përherë për të dhënë përkrahje gjatë kohëve të vështira.
Dëgjojeni Shpirtin e Shenjtë
Jezusi mund të dërgojë edhe Shpirtin e Shenjtë ose Frymën e Shenjtë për t’ju ngushëlluar. Ndonjëherë Shpirti i Shenjtë mund të vijë si një ndjenjë e ngrohtë ose si një zë që ju jep siguri në kokën tuaj. A keni pasur ndonjëherë një mendim ose ndjenjë që ju bëri të ndiheshit në paqe ose që ju ndihmoi të merrnit një vendim të vështirë? Kjo është mënyra se si na flet Shpirti i Shenjtë.
Në raste të tjera, Shpirti i Shenjtë mund të frymëzojë njerëz të tjerë që t’ju ndihmojnë. Perëndia ndonjëherë na përdor ne për të ndihmuar në të treguarit e dashurisë që Ai ka për fëmijët e Tij. Nëse ndiheni të nxitur për t’i shërbyer dikujt, mund të jetë Shpirti i Shenjtë që ju inkurajon t’i afroheni për ndihmë.
Studiojini shkrimet e shenjta
Ju gjithashtu mund të gjeni paqe kur e studioni fjalën e Perëndisë në shkrimet e shenjta. Studimi i shkrimeve të shenjta mund të jetë një rast i mirë për të reflektuar mbi marrëdhënien tuaj me Perëndinë dhe për të kujtuar premtimet e Tij ndaj jush.
Klikoni me radhë deri në fund që të lexoni disa vargje frymëzuese nga Bibla dhe Libri i Mormonit.
Vargje frymëzuese për të ndier dashurinë e Perëndisë
“Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.”
“Dhe unë do të jem gjithashtu drita juaj në vendin e shkretë; dhe unë do të përgatis udhën para jush, në qoftë se ju do t’i mbani urdhërimet e mia.”
“Gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju.”
“Po, dhe përgjëroju Perëndisë, për gjithë mbështetjen tënde; po, le të jenë të gjitha veprimet e tua në Zotin dhe kudo që të shkosh, le të jetë në Zotin; po, le të jenë të gjitha mendimet e tua të drejtuara te Zoti; po, le të jetë dashuria e zemrës sate e vendosur përgjithnjë te Zoti.”
“Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.”
“Dhe unë do t’ju lehtësoj gjithashtu barrat që ju janë vënë mbi shpatulla, që ju të mos i nd[i]eni në shpinat tuaja, … dhe këtë do ta bëj që ju të qëndroni si dëshmitarë për mua në të ardhmen dhe që ju të dini me siguri se unë, Zoti Perëndi, i vizitoj [vërtet] njerëzit e mi në pikëllimet e tyre.”
“Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon.”
“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!”
“A nuk e dini ju se jeni në duart e Perëndisë?”
“Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!”
Afrohuni që t’i ndihmoni të tjerët
Miqtë dhe njerëzit e dashur mund të jenë një burim i mrekullueshëm mbështetjeje dhe ngushëllimi. Kur ndiheni të frikësuar ose të mbingarkuar, të folurit me njerëz të tjerë mund të ndihmojë në lehtësimin nga një pjesë e presionit.