Gjetja e Kishës së Duhur të Krishterë për Ju
“Në cilën kishë duhet të shkoj? A shqetësohet Perëndia për faktin se cilën kishë frekuentoj?” Ju mund të keni bërë pyetje si këto ndërsa keni marrë parasysh rolin e fesë në jetën tuaj. Këtu janë disa gjëra që thuhen në Bibël, të cilat kanë ndihmuar në dhënien formë Kishës sonë.
Gjeni një komunitet besimtarësh
Si një nga Dhjetë Urdhërimet e Tij, Perëndia tha: “Mbaje mend ditën e [Shabatit] për ta shenjtëruar” (Eksodi 20:8). Një nga mënyrat se si ne e mbajmë të shenjtë ditën e Shabatit është duke shkuar në kishë. Jezusi gjithashtu dha mësim: “Ju do të mblidheni shpesh së bashku” (3 Nefi 18:22). Perëndia dëshiron që ne të shkojmë rregullisht në Kishë për ta adhuruar Atë dhe që të forcohemi nga besimtarët e tjerë.
Jepni dashuri, shërbeni, tregoni
Përveçse të shkojmë në Kishë të dielave, Perëndia dëshiron që ne ta ushtrojmë besimin tonë çdo ditë. Ai na tha: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Mateu 22:39). Ndërsa kërkojmë mënyra për të dashur, shërbyer dhe shfaqur rregullisht talentet tona si pjesë e një komuniteti të kishës, ne jemi duke bërë atë që Perëndia dëshiron nga ne.
Një kishë e udhëhequr nga Jezu Krishti
Në Bibël, Apostulli Pal dha mësim se Kisha e Jezusit është “ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke q[e]në Jezu Krishti vetë guri i qoshes” (Efesianëve 2:20). Jezusi është kreu i Kishës së Tij dhe Ai thërret apostuj dhe profetë për ta ndihmuar Atë t’i udhërrëfejë dhe mësojë njerëzit e Tij. Po i njëjti organizim me apostuj dhe profetë ekziston sot në Kishën e Krishtit – Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Në vitin 1820, një i ri i quajtur Jozef Smith u gjunjëzua në lutje, duke i kërkuar Perëndisë se me cilën nga të gjitha kishat e krishtera duhej të bashkohej. Kjo lutje çoi në fillimin e Rivendosjes nga Perëndia të të vërtetave të humbura dhe të komunikimit të drejtpërdrejtë sërish nëpërmjet një profeti. Perëndia dhe Jezu Krishti e udhëzuan Jozefin që të mos bashkohej me ndonjë kishë ekzistuese. Përkundrazi, Jozefi u thirr të ishte profet dhe të organizonte Kishën e rivendosur të Krishtit, Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Bekimet nga adhurimi dhe shërbimi
Perëndia dëshiron që t’ju japë bekime, përfshirë bekimin e lumturisë. Ju mund të gjeni lumturi thjesht duke qëndruar me bashkëbesimtarët dhe duke shërbyer e duke adhuruar me ta.
Një bekim tjetër nga ardhja në kishë rregullisht është pjesëmarrja në sakrament (ose kungatë). Përpara se të vdiste, Jezusi mori bukë dhe verë, i bekoi dhe ua dha dishepujve të Tij. Ai u tha atyre se ato përfaqësonin trupin dhe gjakun e Tij dhe se ata duhej të vazhdonin të merrnin bukë dhe verë shpesh për ta kujtuar Atë (shihni te Lluka 22:19–20 dhe 3 Nefi 19:1–11). Mësoni më shumë rreth sakramentit këtu.
Kushtojini vëmendje të veçantë mënyrës se si ndiheni në kishë. Perëndia do t’jua bëjë të ditur nëse jeni në vendin e duhur, nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë. Shpirti do t’ju ndihmojë të ndieni “dashuri, gëzim, paq[e], durim, mirëdashj[e], mirësi, [dhe] besim” (Galatasve 5:22).