Ç’Dobi Mund të Keni nga Kisha?
Secili prej nesh ka nevojat dhe arsyet e veta individuale pse kërkon një kishë. Ndonëse mund të mos ju njohim, ne besojmë se Perëndia ju njeh e ju do dhe Ai mund t’jua udhëheqë jetën teksa bëheni më të afërt me Të. Një mënyrë se si mund të afroheni më shumë me Të është duke frekuentuar kishën. Këtu janë disa dobi të adhurimit me ne.
Ndihuni më të afërt me Perëndinë
Ndoshta po hasni vështirësi me një pyetje specifike ose ju nevojitet drejtim në njëfarë mase në jetën tuaj. Ndoshta ju thjesht keni nevojë ta ndieni dashurinë e Perëndisë dhe të dini se Ai është pranë. Teksa i dëgjoni predikimet dhe i studioni mësimet e Perëndisë, ju do të keni mundësi të merrni mbresa nga Perëndia dhe të ndiheni të afërt me Të. Ai dëshiron të komunikojë me ju dhe kisha është një vend për ta dëgjuar zërin e Tij në zemrën dhe mendjen tuaj.
Merrni pjesë në sakrament (ose kungatë)
Në kishë, anëtarët marrim sakramentin (ose kungatën). Jezusi urdhëroi: “Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim” (1 Korintasve 11:24). Duke e mbajtur këtë urdhërim çdo javë në kishë, ne përkushtojmë kohë për të përsiatur, për t’u lutur dhe për t’u kujtuar për atë që Jezusi ka bërë për ne. Ne zotohemi ta ndjekim Atë dhe të kërkojmë frymëzim mbi mënyrën se si mund të bëhemi më shumë si Ai.
Shërbesat në kishë na mësojnë dhe na ngrenë shpirtërisht
Ajo që mësojmë në kishë, na jep udhërrëfimin mbi mënyrën si ta ndjekim Perëndinë, si ta përmirësojmë shpirtshmërinë tonë dhe të jetojmë jetë më të mira. Ju mund të ngriheni shpirtërisht nga bashkëbesimtarët dhe nga mundësia për të shërbyer dhe adhuruar. Ju mund ta ndieni gjithashtu Shpirtin e Shenjtë, i cili sjell “dashuri, gëzim, paq[e], durim, mirëdashj[e], mirësi [dhe] besim” (Galatasve 5:22).
Ndihuni të lidhur shoqërisht, të përkrahur dhe të mirëkuptuar
Kisha është një komunitet ku ne mund të shoqërohemi dhe ta përkrahim njëri-tjetrin. Ju mund të zini miqësi, të keni një ndjenjë përkatësie dhe të ndërtoni një rrjet përkrahjeje tek i cili të mbështeteni. Komuniteti i Kishës na ndihmon “të vajto[jmë] me ata që vajtojnë; po, dhe të ngushëllo[jmë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen” (Mosia 18:9).
Mësoni nga profetë të gjallë
Përveç shkrimeve të shenjta, ne mbështetemi te një profet i gjallë dhe apostuj të gjallë për të na udhërrëfyer sot. Ndonëse nuk dëgjojmë prej tyre çdo të diel, ne i dëgjojmë ata të paktën dy herë në vit në një mbledhje mbarëbotërore të Kishës të quajtur konferenca e përgjithshme. Profetët na ndihmojnë të dimë se si ta mbajmë Jezusin një prioritet në jetën tonë të vrullshme, si dhe japin udhërrëfim shpirtëror për sfidat dhe mundësitë unike të botës së sotme.
Dëgjojini Përvojat e të Tjerëve
Alia
“Një nga mënyrat se si e dëgjoj Atë, është duke mbajtur vesh për historitë mbi ndërtimin e besimit të të tjerëve. Më pëlqejnë shumë mbledhjet e dëshmive të dielën e parë të muajit pasi ato janë të mbushura me përvoja mbi mënyrat se si e kanë ndier njerëzit dorën e Perëndisë të ndikojë në jetën e tyre, se si kanë parë mrekulli apo janë kthyer në besim te Shpëtimtari. Këto përvoja ma forcojnë besimin dhe më kujtojnë për përvojat e mia vetjake të kthimit në besim.”
Palo‑Alto, Kaliforni
Karli
“Frekuentimi i kishës më ka ndihmuar të gjej kohën që mund të kem qenë duke e shtyrë, për t’u përqendruar vërtet te Jezu Krishti, Ati Qiellor dhe dora e Tyre përherë e pranishme në jetën time.”
Mesa, Arizonë
Eliza
“Më pëlqen shumë që çdo person është unik dhe ka arritje e sprova të ndryshme. Kjo na lejon të mësojmë nga njëri‑tjetri, të përqendrohemi më shumë tek të tjerët dhe ta kuptojmë që ne të gjithë po përpiqemi të bëhemi më shumë si Krishti. Më pëlqen shumë ta frekuentoj kishën dhe të mësoj më shumë nga të tjerët dhe të dëgjoj dëshmitë e tyre. Kjo më ka ndihmuar të vazhdoj ta rrit dëshminë time personale.”
Farmington, Jutë
Takëri
“Më pëlqen shumë që kisha është një vend plot me miq të cilët nuk do t’ju gjykojnë dhe që janë përherë të gatshëm t’ju vijnë në ndihmë.”
Kansas‑Siti, Misuri
Xhimi
“Më pëlqen shumë se si komuniteti i kishës sime është përherë i përgatitur të më ndihmojë dhe se si nuk shpejtojnë të më gjykojnë për shkak të situatës sime, por përkundrazi kërkojnë një mënyrë që të më bëjnë të ndihem më mirë dhe të më ndihmojnë për situatën time.”
Odëm, Teksas
Grejsa
“Frekuentimi i kishës më ndihmon të ndihem e ripërtërirë për javën në vijim. Më jep forcën për të pasur besim në çaste të vështira dhe që ta kujtoj Shpëtimtarin çdo ditë.”
Sidër‑Siti, Jutë
Maria
“Më pëlqen shumë që jemi të lidhur nga dashuria jonë për ungjillin, dashuria jonë për profetët dhe besimi ynë i fortë tek Ati ynë Qiellor.”
Thausënd Ouks, Kaliforni
Shiami
“Për mua, është i vetmi vend ku më lejohet të bëj gabime. Ku ka shumë duar për të më ngritur lart nëse rrëzohem. Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme përjetohet vëllazëri dhe motëri e vërtetë.”
Nju‑Delhi, Indi
Çfarë ndodh pas ardhjes sime?
Shpresojmë që do të gjeni një të diel për t’u bashkuar me ne! Nëse do t’ju pëlqejë përvoja juaj dhe dëshironi të vazhdoni ta ndërtoni besimin tuaj me ne, ju rekomandojmë të takoheni me misionarët dhe të merrni parasysh pagëzimin.
Misionarët mund t’ju ndihmojnë që të mësoni për bindjet tona fetare duke dhënë mesazhe të shkurtra rreth Jezusit, planit të Perëndisë për ju, rreth mënyrës se si mund ta forconi familjen tuaj dhe shumë temave të tjera. Ata mund t’iu përgjigjen pyetjeve tuaja rreth Kishës dhe se si të bëheni anëtar/e.
Takimi me misionarët nuk do të thotë që keni vendosur të bashkoheni me Kishën. Është thjesht një mënyrë për ju që të mund të mësoni më shumë rreth saj. Ndërsa takoheni me misionarët, ju do të fitoni një dëshmi për Jezusin dhe ungjillin e Tij, dhe mund ta ndiqni shembullin e Tij duke u pagëzuar. Jezusi u pagëzua me anë të zhytjes në lumin Jordan nga Gjon Pagëzori (shihni te Mateu 3:13–17).
Ju ftojmë që të vini të takoheni me ne, të mësoni për Jezusin dhe të gëzoni të gjitha dobitë që ofron Kisha dhe komuniteti ynë.