Shërbesat e së Dielës

“Sepse, kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre.” – Mateu 18:20

Njerëz në kishë

Çfarë të Prisni në Kishë

1:13

Ndaluni për pak, reflektoni dhe adhuroni

Frekuentimi i kishës çdo të diel është një prehje nga jeta e përditshme e ritmeve të shpejta. Ne e ulim ritmin për dy orë çdo javë për të reflektuar, adhuruar Perëndinë, forcuar lidhjet tona shpirtërore dhe për ta përqendruar sërish jetën tonë te Jezu Krishti. Ne frekuentojmë një komunitet shenjtorësh të cilët që të gjithë po përpiqen të bëhen më shumë si Krishti dhe të mësojnë nga njëri‑tjetri.

Oraret dhe programet e shërbesave të Kishës ndryshojnë nga bashkësia në bashkësi. Sidoqoftë, ju mund të prisni gjithmonë një format të ngjashëm: një mbledhje kryesore për të gjithë dhe një orë tjetër mësimore të ndarë sipas grupmoshave ose interesave të përgjithshme.

Mbledhja e sakramentit

Mbledhja kryesore çdo të diel quhet mbledhja e sakramentit. Kjo mbledhje përbëhet nga këngë, lutje dhe predikime (ose “biseda”) që bëhen nga anëtarë të ndryshëm të bashkësisë çdo javë. Por pjesa më e rëndësishme e mbledhjes është koha kur marrim sakramentin (në ngjashmëri me kungatën).

Kur marrim sakramentin çdo javë, ne premtojmë që gjithmonë ta kujtojmë Jezu Krishtin, të bëjmë çmos nga ana jonë që të jetojmë siç jetoi Ai dhe të zbatojmë urdhërimet e Tij. Sakramenti përfshin një lutje të posaçme për të bekuar bukën, e cila përfaqëson trupin e Krishtit, që më pas i jepet bashkësisë. Pastaj ka një lutje të posaçme për ujin, i cili përfaqëson gjakun e Krishtit, që përsëri i jepet bashkësisë. Kjo është pjesa më me nderim e të gjitha mbledhjeve tona, gjatë të cilës bashkësia rri ulur në qetësi dhe përsiat për flijimin e Shpëtimtarit.

Një mbledhje karakteristike sakramenti do të ketë dy ose tri himne që këndohen nga e gjithë bashkësia. Mund të ketë edhe numra shtesë muzikorë nga një kor, një grup i vogël apo një solist. Muzika i shton një frymë të veçantë mbledhjeve tona dhe na ndihmon të ndihemi më të afërt me Perëndinë, edhe nëse këndojmë duke stonuar!

Të folurit për besimin tuaj

Të dielën e parë të çdo muaji, nuk ka predikime si zakonisht. Në vend të kësaj, çdo anëtar i bashkësisë, mund të dalë në foltore dhe të shprehë ndjenjat e tij ose të saj rreth ungjillit. Ndërsa i dëgjojmë përvojat e të tjerëve dhe e ndiejmë Shpirtin e Perëndisë të na mbushë zemrat, bindjet dhe besimet tona vetjake mund të forcohen.

Orët mësimore të së dielës

Përpara ose pas mbledhjes së sakramentit, ka një larmi klasash të tjera, si për fëmijët, edhe për të rriturit. Ka diçka për gjithkënd, nga mosha 18 muajsh e lart! Ne kemi një grup të grave, një grup të burrave, një grup të të rinjve dhe të rejave, një grup të fëmijëve dhe klasa të përgjithshme të Shkollës të së Dielës. Secili prej tyre mblidhet së bashku për një mësim dhe diskutim të përgatitur nga një anëtar/e që i është caktuar grupit të tyre. Këto mësime bazohen në një pjesë të ndryshme të shkrimit të shenjtë çdo javë. Nëse do të doni t’i frekuentoni këto mbledhje të tjera, pyeteni dikë në kishë dhe ata do të jenë të lumtur t’ju ndihmojnë për ta gjetur klasën e duhur.

Ejani, bashkohuni me ne

Mbledhjet tona të së dielës drejtohen tërësisht nga një grup udhëheqësish me profesion jo klerik dhe nga anëtarë të bashkësisë sonë. Ne të gjithë kontribuojmë dhe shërbejmë në detyra të ndryshme ose “thirrje”. Kjo na jep mundësitë për të provuar gjëra të reja dhe për t’u rritur personalisht, por edhe për të mësuar prej përvojave dhe këndvështrimeve të të tjerëve. Po, ne kemi nevojë për ju! Ejani të jini pjesë e komunitetit tonë. Shfaqini talentet tuaja me ne dhe na ndihmoni që të rritemi.

Një familje e re në moshë duke shijuar kohën e tyre në kishë

Ka një Vend për Ju në Komunitetin tonë të Kishës

Gjeni një kishë afër jush.

Veçojeni të Dielën Tuaj si një Ditë Ndryshe. Mësoni më Shumë rreth Adhurimit me Ne.