Jeta e Jezu Krishtit

Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari ynë. Gjithçka, që nga shërbesa e Tij deri në vdekjen e Tij, Ai e bëri për ne.

Lindja

Jezusi është Biri i Perëndisë, por Ai u lind nga një grua në tokë. Kjo grua besimtare quhej Maria. Kur Maria e lindi Jezusin, shumë shenja dhe engjëj u shfaqën kështu që njerëzit besimtarë të mund ta gjenin Atë dhe t’i shprehnin Atij nderimin e tyre. Ju mund ta keni parë këtë skenë të përshkruar nëpërmjet skenave të lindjes së Krishtit gjatë kohës së Krishtlindjes.

Fëmijëria

Madje dhe kur ishte djalë i vogël, Jezusi po u mësonte njerëzve fjalën e Perëndisë. Në moshën 12–vjeçare, Jezusin e gjetën “në tempull, të ulur në mes të dijetarëve, duke i dëgjuar dhe duke u bërë atyre pyetje. Dhe të gjithë ata që e dëgjonin, habiteshin nga zgjuarsia e tij dhe nga përgjigjet e tij” (Lluka 2:46–47).

Pagëzimi

Kur Jezusi filloi shërbesën e Tij në moshën 30–vjeçare, Ai eci shumë kilometra drejt lumit Jordan që të pagëzohej nga kushëriri i Tij, Gjon Pagëzori, i cili kishte autoritetin për të kryer pagëzimin.

Edhe pse Ai ishte pa mëkat, Jezusi prapëseprapë u pagëzua me qëllim që të na mësonte bindjen ndaj Perëndisë, mënyrën e duhur se si të pagëzohemi dhe rëndësinë e pagëzimit me anë të autoritetit të duhur.

Pas pagëzimit të Jezusit me anë të zhytjes, Perëndia shpalli: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur” (Mateu 3:17).

Shërbesa dhe mrekullitë

Jezusi shëroi të sëmurët, u dha shikim të verbërve dhe madje solli njerëz nga vdekja në jetë. Më e rëndësishmja, Ai ua fali njerëzve mëkatet e tyre. Edhe pse veprat e Tij konsideroheshin si sjellje blasfemuese nga priftërinjtë judeas, Jezusi vazhdimisht u kujtoi njerëzve se veprat e Tij ishin në përputhje me vullnetin e Perëndisë kështu “që Ati të përlëvdohet në Birin” (Gjoni 14:13).

Kryqëzimi

Gjatë gjithë jetës së Tij, shumë njerëz ishin të zemëruar me Jezusin ngaqë nuk e kuptonin Atë. Ai dha mësim gjëra të panjohura dhe tregoi dhembshuri për mëkatarët. Ai shfaqi fuqi të pabesueshme dhe disa udhëheqës civilë dhe kishtarë u ndien të kërcënuar nga ndikimi i Tij.

Jezusin e arrestuan dhe më pas e kryqëzuan, ose e vranë, gjë që Ai e lejoi me qëllim që të plotësonte vullnetin e Perëndisë. “Unë e lë jetën time”, tha Zoti, “që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri” (Gjoni 10:17–18). Edhe pse Jezusin po e vriste vetë populli i Tij, Ai thirri që Perëndia të mund të kishte mëshirë për ta.

Ringjallja

Tri ditë pas vdekjes së Tij, Jezusi u ngrit nga varri – dhe pak kohë më pas Zoti i ringjallur iu shfaq miqve dhe pasuesve të Tij. Ai ishte i pari që u ringjall, që do të thotë se pas vdekjes shpirti i Tij u bashkua sërish me trupin e Tij të përsosur fizik. Për shkak se Jezusi jetoi përsëri, ne të gjithë do të ringjallemi një ditë.