Misioni i Jezu Krishtit

Jezu Krishti është Qenia më e madhërishme që u lind në këtë tokë – shembulli ynë i përkryer. Ai është Zoti i zotërve, Krijuesi, Shpëtimtari ynë dhe Ai erdhi në tokë që ne të mund të jetonim përsëri me Perëndinë.

Biri i Perëndisë

Jezusi është i parëlinduri i Perëndisë, Atit, në shpirt dhe fëmija i vetëm i Perëndisë në mish. Nëna e Tij e vdekshme, Maria, e mbajti Atë përpara se ta lindte dhe e rriti ndërkohë që Ai ishte në tokë. Misioni i Tij u vendos përpara se të krijohej bota.

Mrekullitë e Jezusit i bindën shumë njerëz se Ai ishte një profet, por Ai ishte shumë më tepër se kaq. Kur Ai i pyeti dishepujt e Tij: “Kush thoni se jam unë?”, Simon Pjetri u përgjigj: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë” (Mateu 16:15–16).

Mësuesi

Jezusi ishte mësuesi më i madh që jetoi ndonjëherë dhe Ai ende na jep mësim neve sot. Në moshën 12–vjeçare, Jezusin e gjetën duke u dhënë mësim dijetarëve në tempull (shih Lluka 2:46). Ata u habitën me njohurinë e Tij. Jezusi vazhdoi të jepte mësim predikime të mëdha gjatë gjithë jetës së Tij.

Jezusi dha mësim se të gjithë njerëzit mund “të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Gjoni 10:10). Pikërisht nëpërmjet besimit te Jezusi dhe bindjes ndaj mësimeve të Tij ne mund të jetojmë me Perëndinë përsëri.

Shembulli

Jezusi jetoi një jetë të përkryer – pa mëkate – dhe siguroi një shembull të përsosur për ne sipas të cilit të jetojmë. Të gjitha gjërat fetare duhet të bëhen në emrin e Tij të shenjtë.

Jezusi nuk kishte nevojë për pagëzimin që të pastrohej nga ndonjë mëkat. Por Ai e bëri që të na tregonte se pagëzimi kërkohet nga të gjithë që të “përmbushim çdo drejtësi” (Mateu 3:15).

Jezusi është gjithashtu shembulli i përsosur i dashurisë. Gjatë jetës së Tij në tokë, Ai u kujdes për të varfrit, shëroi lebrosët (shih Lluka 17:12–19) dhe Ai kurrë nuk i largoi nga vetja fëmijët e vegjël (shih Mateu 19:13–14). Dashuria e Tij është e pafundme dhe në dispozicion të të gjithë atyre që kanë nevojë për të.

Jezusi na mësoi se duhet të falim. Edhe kur vdiq në kryq, Jezusi i fali njerëzit që e vranë Atë.

Shpëtimtari

Emri hebraik i Jezusit është Jeshua, që do të thotë “Shpëtimtar”. Jezusi e përmbushi rolin e Tij si Shpëtimtar nëpërmjet flijimit të Tij të vullnetshëm dhe Ringjalljes së Tij.

Në Kopshtin e Gjetsemanit, Jezusi ndjeu peshën e çdo mëkati dhe dhembjeje që ka njohur njerëzimi. Jezusi vuajti për çdo mëkat të çdo njeriu që ka jetuar ndonjëherë.