Cili Është Qëllimi i Jetës Sime?
Jeta ka qëllim dhe kuptim. Perëndia, Ati ynë i dashur, do që ne të gjejmë lumturi dhe gëzim. Ai krijoi një plan që ne të rritemi, të jetojmë me anë të besimit dhe të kthehemi për të jetuar me Të një ditë. Plani i Perëndisë, shpesh i quajtur plani i shpëtimit, i jep kuptim dhe kontekst jetës sonë këtu në tokë duke u dhënë përgjigje pyetjeve të mëdha: “Nga erdha?”, “Përse jam këtu?” dhe “Çfarë ndodh pasi vdes?”
Jeta është një vend ku ne vihemi në provë
Perëndia na dërgoi në tokë që të mësojmë e të rritemi nëpërmjet përvojave, si të këndshme ashtu edhe të dhembshme. Ai na lejon të zgjedhim midis së mirës e së ligës dhe na lejon të vendosim a do t’u shërbejmë të tjerëve ose do të përqendrohemi vetëm te vetja. Sfida është të kemi besim në planin e Tij, edhe pse nuk i kemi të gjitha përgjigjet. Për shkak se të gjithë ne bëjmë gabime, Perëndia dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, që të mund të pastrohemi dhe të marrim falje. Kur e pranojmë Jezusin dhe e ndjekim shembullin e Tij, ne bëhemi më pak egoistë dhe mund të gëzojmë dashuri, paqe dhe gëzim më të madh.