Ndjekja e Jezu Krishtit
Kush është Jezu Krishti? Jezusi është Shpëtimtari i botës. Ndërsa e ndjekim Atë, ne gjejmë paqe dhe lumturi më të madhe në jetë.
Jezusi është Biri i Perëndisë
Ati ynë Qiellor dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, që të vuante për mëkatet e të gjithëve që do të jetonin në këtë tokë në mënyrë që ne të mund të marrim falje. Ky flijim në emrin tonë ishte i mundur për shkak të hyjnisë së Jezusit dhe jetës së Tij të përsosur.
Jezusi ishte kryemësues dhe shërbëtor i të gjithëve, por Ai ishte pafundësisht më shumë sesa kaq. Kur Ai e pyeti Apostullin Pjetër: “Kush thoni se jam unë?”, Pjetri u përgjigj: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë” (Mateu 16:15–16).
Jezusi na dha shembullin e përsosur për ta ndjekur
Jezusi jetoi një jetë të përsosur për të na treguar neve rrugën e kthimit për tek Ati ynë Qiellor. Ndonëse asnjëherë nuk mëkatoi, Jezusi prapëseprapë u pagëzua për të treguar bindjen e Tij ndaj Perëndisë dhe për të na mësuar se pagëzimi është një kërkesë për këdo.
Jezusi është gjithashtu shembulli i përsosur i dashurisë. Gjatë jetës së Tij në tokë, Ai u kujdes për të varfrit, Ai shëroi të verbrit (shih Gjoni 9:1–7), Ai i mirëpriti fëmijët e vegjël (shih Mateu 19:13–14) dhe madje i fali ata që e kryqëzuan Atë. Dashuria e Tij është e pafundme dhe në dispozicion të kujtdo që ka nevojë për të.
Jezusi na mësoi se si të jetojmë dhe t’i trajtojmë të tjerët
Kur ishte vetëm 12 vjeç, Jezusin e gjetën duke u dhënë mësim dijetarëve në tempull (shih Lluka 2:46). Ata u habitën nga njohuria e Tij e madhe. Jezusi vazhdoi të ishte mësuesi më i madh që kishte jetuar ndonjëherë. Ai shpesh përdori shëmbëlltyra, ose histori, për të dhënë mësime të rëndësishme. Këto shëmbëlltyra ishin për njerëz dhe situata të përditshme, që i bëri të lehta për t’u kuptuar. Historitë e Tij ende na prekin në zemër dhe na nxitin ta ndjekim Atë dhe t’u shërbejmë të tjerëve sot.
Mësimet e Jezu
Jezusi dha mësim se të gjithë njerëzit besimtarë do të marrin një shpërblim të barabartë në qiell, pavarësisht se sa kohë çdo person ka qenë besnik (shih Mateu 20:1–16).
Jezusi na mësoi një mësim të rëndësishëm për faljen duke pyetur: “A nuk duhej të kishe mëshirë edhe ti për shokun tënd, ashtu si pata mëshirë unë për ty?” (Mateu 18:33)
Jezusi tha se ne duhet ta duam të afërmin tonë. Shëmbëlltyra e Samaritanit të mirë na mëson se i afërmi ynë mund të jetë kushdo, përfshirë të huajt ose armiqtë (shih Lluka 10:25–37).
Çdo person që kthehet nga Krishti, do të marrë pranimin e Tij të dashur, pavarësisht se çfarë ka bërë ai ose ajo (shih Lluka 15:11–32).
Kur kemi humbur ose jemi të vetmuar dhe kthehemi nga Jezusi, Ai jo vetëm që do të na mirëpresë përsëri, por do të gëzojë si bariu duke thënë: “Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur” (Lluka 15:1–6).
Libri i Mormonit gjithashtu përmban mësime të fuqishme për Shpëtimtarin. Gjatë vizitës së Tij në kontinentet e lashta amerikane, Ai u mësoi njerëzve se si të luten, se si të jenë të përulur dhe se si t’i trajtojnë familjet e tyre.
Jezusi vuajti dhe vdiq për mëkatet tona
Misioni i Jezusit për të ardhur në tokë ishte që të na shpëtonte nga mëkatet tona. Ai ishte i gatshëm të vuante dhe ta flijonte Veten për të paguar çmimin për mëkatet tona në mënyrë që ne të mund të pendohemi dhe të marrim falje për to.
Në Kopshtin e Gjetsemanit, Jezusi ndjeu peshën e çdo mëkati dhe dhembjeje që ka njohur njerëzimi. Ai vuajti për çdo njeri që ka jetuar ndonjëherë, gjë që e bëri Atë t’i dilte gjak nga çdo por i trupit (shih Lluka 22:44). Atë e arrestuan, e pështynë, e goditën me kamxhik dhe pastaj e kryqëzuan në kryq. Edhe pse Jezusin po e vriste vetë populli i Tij, Ai i bëri thirrje Perëndisë që të mund të kishte mëshirë për ta (shih Lluka 23:34).
Përgjatë jetës, ne të gjithë do të bëjmë gabime dhe gjëra për të cilat do të na vijë keq. Por për sa kohë i lutemi Atit tonë Qiellor për falje dhe përpiqemi të jemi më të mirë, ne mund të bëhemi të pastër sërish. Ne të gjithë jemi në borxh për dashurinë e madhe të Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit.