Si të Lutemi
Lutja është më e thjeshtë nga sa mund ta mendoni. Perëndia është atje dhe do t’i dëgjojë dhe do t’u përgjigjet lutjeve tuaja.
Katër hapa drejt lutjes
Perëndia është Ati juaj i dashur në Qiell dhe Ai dëshiron të dëgjojë nga ju. Ju mund të zgjateni drejt Tij duke iu lutur Atij. Si fëmija i Tij, ju mund t’i kërkoni Atit tuaj Qiellor ndihmë dhe udhërrëfim në jetën tuaj.
Lutja mund të bëhet me zë ose në mendje. Ju mund të flisni me Perëndinë ashtu siç do të bënit me çdo person tjetër. Fjalët tuaja nuk kanë përse të jenë shprehëse ose të mësuara përmendsh. Është më e rëndësishme ta hapni zemrën dhe të mos ngurroni. Besoni se Ai është pranë dhe po ju dëgjon, pasi Ai vërtet po e bën atë. Besoni se Ai do t’ju ndihmojë, pasi Ai do ta bëjë atë.
Lutja është një nga dhuratat më të vyera që keni marrë nga Ati juaj i dashur Qiellor.
1. Fillojeni lutjen tuaj
Përpara se të filloni, gjeni një vend të qetë ku ndiheni rehat. Një mënyrë e mirë për të filluar është t’i drejtoheni Perëndisë me emër. Ju mund të provoni frazat “I dashur Perëndi”, “I dashur Atë Qiellor”, “Ati ynë që je në qiell” ose thjesht “Perëndi”.
2. Bëni një bashkëbisedim me Perëndinë
Flisni me zemër dhe shprehini shpresat e dëshirat tuaja si dhe shqetësimet e problemet tuaja. Ju mund t’i kërkoni Atij ndihmë, drejtim, falje ose shërim. Çfarëdo të keni në mendje, paraqitjani Atij, duke pranuar se dituria dhe koha e Tij janë më të madhërishme se tuajat. Ju mund ta pyetni Atë çfarë dëshiron Ai për ju.
Shprehini Perëndisë ndjenjat tuaja rreth të tjerëve. Ju mund të luteni për nevojat e tyre ose të kërkoni mënyra se si mund t’i doni dhe t’i ndihmoni ata.
Shprehini Perëndisë vlerësimin për të gjitha bekimet në jetën tuaj. Edhe sfidat mund të jenë një bekim. Kjo na ndihmon të ndihemi të përulur, gjë që i mban zemrat dhe mendjet tona më të hapura ndaj përgjigjeve të Perëndisë.