Krijimi i një Familjeje të Fortë
Perëndia i krijoi familjet në mënyrë që ne të mund të gjejmë lumturi, të mësojmë në një mjedis të dashur dhe të përgatitemi për jetën e përjetshme.
Pesë mënyra për ta mbajtur familjen tuaj të përqendruar te Perëndia
Krijimi i një familjeje është jashtëzakonisht shpërblyes, por mund të jetë i vështirë, sidomos në botën e sotme. Fëmijët tuaj do të duhet të marrin vendime më sfiduese se ato që morët ju në moshën tuaj të re. Këtu janë pesë mënyra se si ju mund ta forconi dhe mbroni familjen tuaj nga ndikimet e këqija të botës.
1. Mësojuni vlera të mira
Fjalët e Urta 22:6 thotë: “Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket”. Është përgjegjësia juaj si prindër që t’u mësoni fëmijëve tuaj vlera dhe parime të mira. Mësojuni për Perëndinë dhe se sa shumë Ai i do ata. Mësojuni të jenë të ndershëm. Mësojuni Rregullin e Artë – t’i trajtojnë të tjerët ashtu siç do të donin të trajtoheshin.
Vlerat e përcaktuara qartë ndihmojnë në drejtimin e zgjedhjeve të një personi. Ndërsa fëmijët tuaj rriten, ata do të përballen me sfida të vështira. Mësojuni atyre të mbeten të vërtetë ndaj standardeve të Perëndisë lidhur me seksin, drogat, financat, arsimimin dhe më tepër. Ju nuk do të jeni në gjendje ta trajtoni çdo situatë me të cilën mund të ndeshen ata. Ajo që mund të bëni, është t’u mësoni atyre se çfarë është e drejtë dhe e gabuar, dhe t’u shpjegoni se çdo zgjedhje, e mirë apo e keqe, ka pasoja. Gjatë gjithë jetës së fëmijës suaj, dëgjoni me kujdes kur ata kanë pyetje dhe sigurohuni që ata e dinë se ju përherë do t’i doni ata pavarësisht gjithçkaje.
2. Lutuni së bashku si familje
Sikurse e thotë edhe shprehja: “Familja që lutet së bashku, qëndron së bashku”. Perëndia i bekon familjet që luten së bashku me rritje të paqes, dashurisë dhe harmonisë në shtëpi. Lutja familjare është gjithashtu një mënyrë e shkëlqyer për t’i ndihmuar fëmijët më të vegjël që ta zhvillojnë zakonin e lutjes në mënyrë të pavarur. Programet e ngjeshura mund ta bëjnë lutjen si familje të vështirë për t’u bashkërenduar, por ia vlen. Përpiquni të gjeni një kohë kur zakonisht jeni së bashku, të tillë si një kohë vakti ushqimor ose pikërisht përpara se të shkoni në shtrat.
3. Lexojeni fjalën e Perëndisë
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta si familje, ju do ta ftoni Shpirtin e Shenjtë që të jetë në shtëpinë tuaj. Historitë në Biblën e Shenjtë dhe Librin e Mormonit japin mësime të vlefshme për besimin dhe mposhtjen e sfidave. Ndonëse historitë ndodhën shumë kohë më parë, ato janë ende të përshtatshme sot. Ndihmojini fëmijët tuaj të kuptojnë se ata mund të gjejnë kurajë, frymëzim dhe udhërrëfim në shkrimet e shenjta.
Plaku L. Tom Peri, një Apostull i kohëve të sotme, tha: “Unë ju premtoj se lutja familjare dhe studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta do të ndërtojnë brenda mureve të shtëpisë suaj një siguri dhe lidhje që do ta pasurojë jetën tuaj dhe do t’i përgatitë familjet tuaja për t’i përmbushur sfidat e sotme dhe të përjetësisë që do të vijnë” (“Back to Gospel Basics”, Ensign, maj 1993, f. 92).
Perëndia do ta bekojë familjen tuaj kur t’i lexoni shkrimet e shenjta së bashku.
4. Shkoni në Kishë së bashku
Familjet përfitojnë si nga aspekti shpirtëror ashtu edhe nga ai shoqëror i Kishës. Në Kishë, fëmijët tuaj do të mësojnë për mësimet e Jezusit dhe se si t’i vënë ato në zbatim në jetën e tyre. Ata gjithashtu mund të zënë miq që ndajnë bindje të ngjashme dhe që mund të jenë ndikim i mirë kur të përballen me vendime të vështira dhe trysninë e bashkëmoshatarëve. Kisha ndihmon për t’i përforcuar vlerat e dhëna mësim në shtëpi si ndershmëria dhe mirësia. Është një zotim që të merr kohë, por Perëndia na bekon kur e bëjmë pjesën tonë.
5. Kaloni kohë cilësore së bashku
Shenjtorët e ditëve të mëvonshme e ruajnë një natë në javë për familjen e tyre. Ju mund t’i dëgjoni ata t’i referohen asaj si mbrëmje e shtëpisë. Gjatë këtyre netëve, ata kalojnë kohë së bashku, mësojnë ungjillin dhe argëtohen. Mbrëmjet e shtëpisë mund të përshtaten me moshën e fëmijëve tuaj. Fëmijët më të vegjël mund të pëlqejnë të kënduarin, shikimin e një materiali të shkurtër e lartësues filmik ose interpretimin me role të historive në Bibël. Fëmijët më të rritur mund të parapëlqejnë një mësim më formal që pasohet nga një veprimtari familjare si futboll, film ose karaoke.
Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës
Në vitin 1995, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nxori një deklaratë zyrtare rreth rëndësisë së familjeve. Dokumenti përvijon përgjegjësitë e etërve dhe nënave dhe trajton tema kyç të tilla si martesa, gjinia, prindërimi dhe seksi. Lexojini pjesët e spikatura më poshtë:
Fragmente nga dokumenti Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës
“Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia.”
“Plani hyjnor i lumturisë bën të mundur që marrëdhëniet familjare të vazhdojnë përtej varrit.”
“Perëndia ka urdhëruar që fuqitë e shenjta të krijimit të jetës duhet të përdoren vetëm midis burrit dhe gruas, ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte.”
“Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi, për të plotësuar nevojat e tyre fizike dhe shpirtërore dhe për t’i mësuar ata ta duan e t’i shërbejnë njëri tjetrit.”
“Fëmijët kanë të drejtën të linden nga prindër brenda lidhjeve të martesës dhe të rriten nga një atë dhe një nënë të cilët i nderojnë me besnikëri të plotë besëlidhjet e martesës.”
“Etërit dhe nënat kanë detyrim të ndihmojnë njëri tjetrin si partnerë të barabartë.”
“Ne paralajmërojmë se individët që shkelin besëlidhjet e dëlirësisë, që abuzojnë me bashkëshorten/in ose fëmijët apo që dështojnë në përmbushjen e përgjegjësive të tyre familjare, do të qëndrojnë një ditë përgjegjës përpara Perëndisë.”
“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve dhe zyrtarëve të përgjegjshëm të qeverive kudo që janë të nxisin ato masa të krijuara për të ruajtur dhe forcuar familjen si njësia themelore e shoqërisë.”
Pyetje të Zakonshme
Njerëzit kanë shumë pyetje në lidhje me “mormonët”, ose e thënë më me respekt, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Klikoni këtu për të parë listën e plotë.