Çfarë Ndodh Pasi Vdesim?
Shumë prej nesh e pyetin veten se çfarë ndodh pasi vdesim. Disa njerëz besojnë se ne nuk ekzistojmë më, ndërkohë që të tjerë besojnë në një parajsë dhe një ferr. Ne jetuam përpara se të vinim në tokë dhe ne do të vazhdojmë të jetojmë pasi vdesim. Ne e dimë këtë pasi Perëndia e ka përvijuar planin e Tij të plotë për ne në shkrimet e shenjta. Njohja e këtij plani mund të japë ngushëllim dhe paqe rreth vdekjes. Ndërkohë që vajtojmë për njerëzit e dashur që kemi humbur, ka shpresë – vdekja nuk është fundi.

Çfarë ndodh kur vdesim?
Kur vdesim, shpirti dhe trupi ynë ndahen. Edhe pse trupi ynë vdes, shpirti ynë – që është thelbi i asaj që jemi – vazhdon të jetojë. Shpirti ynë shkon në botën e shpirtrave, e cila ndahet në parajsën shpirtërore dhe burgun shpirtëror. Për ata shpirtra që jetuan një jetë të mirë, parajsa është një vend prehjeje nga përkujdesjet dhe hidhërimi tokësor.
Mësoni për Planin e Perëndisë për Shpëtimin

Përpara se ju të lindnit, ju jetuat me Atin tuaj Qiellor. Ai ju njihte, ju donte dhe ju mësoi për zgjedhjet që do t’ju drejtonin te lumturia e përhershme. Kjo periudhë quhet ekzistenca para lindjes.

Perëndia donte që ne të vinim në tokë për të marrë një trup fizik. Këtu, ne hasim sfida dhe situata që na ndihmojnë të mësojmë dhe të rritemi që të mund të bëhemi si Ai.

Perëndia e dinte se do të bënim gabime, ndaj Ai zgjodhi Jezu Krishtin që të vinte në tokë dhe të vuante për mëkatet tona. Sakrifica e Jezusit na lejon të marrim falje dhe të pastrohemi nga mëkatet tona që të mund të jetojmë me Perëndinë sërish një ditë.

Ne nuk mbajmë mend të kemi jetuar me Perëndinë përpara se të vinim në tokë. Si pasojë, ne duhet të mësojmë të kemi besim dhe të zgjedhim midis të drejtës dhe të gabuarës. Jeta nuk është e lehtë, por kohët e vështira na ndihmojnë ta vlerësojmë lumturinë dhe paqen.

Jezusi vuajti dhe vdiq për mëkatet tona. Megjithatë, flijimi i Tij nuk na e heq përgjegjësinë. Ne duhet të zgjedhim që ta pranojmë Jezusin duke u penduar kur bëjmë gabime, duke u pagëzuar dhe duke i zbatuar urdhërimet e Tij.

Kur vdesim, shpirti dhe trupi ynë ndahen. Shpirti ynë shkon në botën e shpirtrave. Është një vend çlodhjeje dhe lumturie për ata që kanë bërë zgjedhje të mira dhe një gjendje skëterre për ata që kanë bërë zgjedhje të këqija.

Bota e shpirtrave nuk është vendmbërritja ose gjykimi përfundimtar. Në fakt, ngaqë Perëndia është kaq i dashur dhe i drejtë, atyre njerëzve në ferr, që kurrë nuk dinin për Jezusin në jetë, u mësohet ungjilli i Tij dhe u jepet mundësia që ta pranojnë Atë.

Jezusi e mposhti vdekjen kështu që ne të gjithë të mund të jetojmë përsëri. Kjo quhet Ringjallje. Kur ne ringjallemi, shpirtrat dhe trupat tanë ribashkohen. Trupat tanë do të jenë të përsosur dhe nuk do të vdesin më.

Jezusi do të na gjykojë sipas veprimeve tona dhe dëshirave të zemrave tona. Ai do të jetë aq i mëshirshëm sa të mundet. Për shkak se veprimet dhe dëshirat tona ndryshojnë, qielli përfshin mbretëri ose shkallë të ndryshme lavdie.

Ati ynë Qiellor dhe Jezusi jetojnë në mbretërinë çelestiale. Nëse jetoni sipas mësimeve të Jezusit dhe jeni pastruar nga mëkati nëpërmjet flijimit të Tij, ju do të shkoni atje. Ju do të jetoni në praninë e Perëndisë dhe do të përjetoni gëzim të përhershëm.

Njerëzit që refuzojnë ta pranojnë ungjillin e Jezu Krishtit por që ndryshe jetojnë jetë të ndershme, do të marrin një vend në mbretërinë terrestiale.

Ata të cilët vazhdojnë me mëkatet e tyre dhe nuk pendohen, do të marrin një vend në mbretërinë telestiale.