Roli i Jezu Krishtit

Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës. Kur vijmë tek Ai, Ai na shpëton, na ndihmon të ndiejmë dashurinë e Tij dhe na sjell shpresë. Roli i Tij është të na shpëtojë dhe të japë një shembull për ne.

Përse është i rëndësishëm roli i Krishtit?

Miliona njerëz kanë njohuri për Jezu Krishtin. A mjafton të dimë se cili është Jezusi dhe cili është roli i Tij në planin e Atit tonë Qiellor? Ajo njohuri është në të vërtetë vetëm fillimi.

Të kuptuarit dhe pranimi i rolit të Jezu Krishtit si Shpëtimtar është thelbi i çdo besimi të krishterë. Dhe kjo kërkon më shumë se të kesh besim teorik që Ai jetoi dhe përmbushi gjëra të mëdha. Kërkon që të kemi vetëbesim se Ai me të vërtetë u ringjall dhe se Ai vuajti jo vetëm vdekje, por edhe vuajtje shpirtërore për mëkatet tona.

Jezusi ndjeu dhembjen, fajin dhe vuajtjen që përjetojmë ne si pasojë e zgjedhjeve të gabuara. Më e rëndësishmja, Ai pranoi përgjegjësi dhe pagoi çmimin për gabimet tona në tokë – në qoftë se ne, në këmbim, pendohemi sinqerisht dhe i pranojmë urdhërimet dhe rolin e Tij hyjnor si Shëlbues. Kur e bëjmë këtë gjë, ne çlirohemi nga mëkatet tona. Ne mund të jemi shpirtërisht të pastër dhe të denjë që të hyjmë në praninë e Perëndisë.

Ky është një koncept i ndërlikuar – një koncept që mund të jetë i vështirë për t’u kuptuar nga këndvështrimi ynë i kufizuar. Por mund të kuptohet. Paqja madhështore që Ati ynë Qiellor dëshiron që ne të kemi, është gjithashtu në dispozicion për ne pikërisht tani në saje të flijimit të bërë nga Jezu Krishti.

Si mund të vij më pranë Krishtit?

Ndërkohë që nuk mund të vijmë te Krishti fizikisht siç erdhën dishepujt e parë, ne mund të vijmë tek Ai me anë të kërkimit të shkrimeve të shenjta. Ne mund të arrijmë të dimë për Të nëpërmjet dëshmive të profetëve dhe pasuesve të gjallë. Ne mund të sigurohemi për ekzistencën e Tij nëpërmjet Ngushëlluesit, Frymës së Shenjtë.

“Shumica prej nesh nuk do ta shohin Perëndinë, siç e kanë parë profetët, por nxitjet e qeta, të vogla të Shpirtit – mendimet dhe ndjenjat që Fryma e Shenjtë i sjell në mendjen dhe zemrën tonë – do të na japin njohuri të pamohueshme se Ai jeton dhe se Ai na do” (Robert D. Hejls, “Në Kërkim të Njohjes së Perëndisë, Atit Tonë Qiellor, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 32).

Jezu Krishti e njeh secilin prej nesh personalisht. Nëse thjesht shtrijmë dorën drejt Tij, edhe ne mund ta njohim Atë.