Jezu Krishti në Librin e Mormonit

Jezusi e kaloi jetën e Tij në vdekshmëri pranë Jerusalemit, duke u mësuar judenjve ungjillin e Tij. Gjithsesi, Jezusi u dha mësim edhe njerëzve në toka të tjera: në kontinentin amerikan. Ajo vizitë ishte jetëndryshuese për ta në atë kohë. Njohuria për atë vizitë mund të jetë po aq domethënëse për ju sot.

“Unë kam edhe dele të tjera”

Jezusi shpesh e krahasoi veten e Tij me një bari. Ai shpesh foli për dashurinë e tij për ata që e ndjekin Atë, të cilëve Ai iu drejtua si delet e Tij. Te Gjoni, kapitulli 10, teksa u fliste njerëzve në Palestinën e lashtë, Ai shpalli: “Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t’i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm”.

Cilat ishin delet e tjera për të cilat Krishti foli në atë shëmbëlltyrë? Historia e disa prej këtyre “deleve të tjera” tregohet në Librin e Mormonit.

Libri i Mormonit dhe Bibla veprojnë së bashku për të treguar historinë e Jezusit

Libri i Mormonit është një libër i shkrimit të shenjtë që jep me hollësi mësimet që iu dhanë njerëzve që jetuan në kontinentin e lashtë amerikan nga Perëndia. Ai shërben si shoqërues për Biblën, duke përforcuar dëshminë e Jezu Krishtit dhe duke i shtuar frymëzim të ri misionit të Tij të shenjtë.

Bibla tregon historinë e jetës dhe të shërbesës së Jezusit në Tokën e Shenjtë, nga lindja e Tij deri në ringjalljen e Tij. Por në Librin e Mormonit, ne lexojmë për vizitën e Tij në kontinentin amerikan pasi Ai vdiq dhe u ngrit sërish. Ai u dha mësim njerëzve atje, i bekoi ata, thirri njerëz që të shërbenin në emrin e Tij dhe më pas u ngjit në qiell.

Së bashku, Bibla dhe Libri i Mormonit tregojnë një histori më të plotë të Jezu Krishtit sesa secili prej tyre mund të tregonte më vete. Kur i lexojmë të dy librat, ne mund të fitojmë një kuptueshmëri më të mirë të mësimeve të Krishtit dhe të planit të Perëndisë për jetën tonë.

Çfarë do të thotë për ju Libri i Mormonit

Shfaqja e Jezusit në Librin e Mormonit ishte e rëndësishme, sepse do të thotë që Perëndia ua shtrin të njëjtat bekime dhe mundësi të gjithë fëmijëve të Tij. Ajo shfaqje tregon se dashuria e Perëndisë nuk është e kufizuar për njerëzit nga një zonë e vetme e botës. Pavarësisht nga vendi ku jetojmë apo se kush jemi, pavarësisht nga gjuha që flasim apo se si dukemi, Perëndia na do dhe dëshiron që ne ta dëgjojmë të vërtetën e Tij.