Kush e Shkroi Librin e Mormonit?

Sikurse Bibla, Libri i Mormonit ka shumë autorë.

Libri i Mormonit në fakt është një përmbledhje e historive të përcjella nga një shkrimtar tek tjetri. Autori i parë ishte profeti Nefi, i cili u largua nga Jerusalemi me familjen e tij rreth vitit 600 pr.K. dhe lundroi drejt kontinentit amerikan. Nefi ia kaloi analin vëllait të tij më të vogël, Jakobit, i cili më pas ia dha birit të tij, Enosit. Secili autor gjithmonë ia dha analin dikujt tek i cili kishte besim.

Përse quhet Libri i Mormonit?

Pas qindra vitesh, anali i kaloi Mormonit, i cili ishte një profet dhe një udhëheqës ushtarak. Mormoni i përmblodhi të gjitha shkrimet në një vëllim, të gdhendur në fletë të holla metali. Ai i vuri titullin Libri i Mormonit. Përpara se të vdiste, Mormoni ia dha fletët birit të tij, Moronit. Moroni shtoi pak fjalë, më pas i groposi fletët.

Jozef Smithi përktheu Librin e Mormonit

Në vitin 1823, Moroni iu shfaq Jozef Smithit si një engjëll dhe i tha atij se ku ishin groposur fletët. Jozef Smithi i përktheu fletët në anglisht me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë dhe Libri i Mormonit u botua në Palmira të Nju–Jorkut në vitin 1830.

Që nga ajo kohë, ky vëllim i shenjtë është përkthyer në më shumë se 100 gjuhë dhe janë shtypur mbi 150 milionë kopje.

Merrni një kopje falas të Librit të Mormonit
Porositni Tani