4 Gjëra që Duhet t’i Dijë Kushdo për Librin e Mormonit
Libri i Mormonit është një anal i lashtë që na mëson për Jezusin. Burrat, gratë dhe familjet te Libri i Mormonit u ndeshën me sfidat e jetës ashtu siç bëjmë ne. Ne mund të shohim vetveten te historitë e tyre dhe mund të frymëzohemi për të qenë më të mirë e për t’i ndihmuar të tjerët siç bëri Jezusi. Këtu janë katër gjëra që duhet të dini për këtë libër të shenjtë:
1. Libri i Mormonit, ashtu si Bibla, është fjala e Perëndisë
Ashtu siç Perëndia i foli Moisiut dhe Noeut në Bibël, Ai gjithashtu i udhëzoi profetët e Tij në kontinentet e lashta amerikane që të mbajnë një anal të mësimeve dhe ligjeve të Tij. Shkrimet e tyre përfundimisht u mblodhën në një libër nga një profet i quajtur Mormon. Fjalët te Libri i Mormonit pohojnë jetën, shërbesën e Jezusit dhe veprat e Tij për të na shpëtuar nga mëkati dhe për ta mposhtur vdekjen. Në fakt, pjesa më interesante e Librit të Mormonit është koha kur Jezusi erdhi për të vizituar popullin në kontinentet e lashta amerikane.
Në Bibël, Apostulli Pal dha mësim: “Çdo gjë do të qëndrojë me gojën e dy a tre dëshmitarëve” (2 Korintasve 13:1). Kur Perëndia na mëson një parim të rëndësishëm, Ai dërgon një burim tjetër për ta vërtetuar atë. Libri i Mormonit dhe Bibla janë dëshmitarë të njëri tjetrit. Ndërsa shumë njerëz sot largohen nga Perëndia dhe feja, pasja e më shumë se një dëshmitari për fjalën e Perëndisë mund të na ndihmojë të qëndrojmë në shteg (shih 2 Nefi 29:7–8).
2. Ai mund t’i shtojë paqe dhe kuptim jetës suaj
Libri i Mormonit është një libër udhëzues mbi mënyrën se si të jetojmë një jetë të mbushur me paqe dhe lumturi.
Një apostull i kohës së sotme, Presidenti Marion G. Romni, premtoi se kur ne e lexojmë Librin e Mormonit “shpirti i atij libri të mrekullueshëm do të arrijë që t’i përshkojë shtëpitë tona dhe të gjithë ata që banojnë aty. Shpirti i nderimit do të rritet; respekti reciprok dhe interesimi për njëri tjetrin do të rriten. Shpirti i grindjes do të largohet. Prindërit do t’i këshillojnë fëmijët e tyre me dashuri e urtësi më të madhe. Fëmijët do të reagojnë më mirë ndaj këshillës së prindërve të tyre dhe do të jenë më të bindur. Drejtësia do të rritet. Besimi, shpresa dhe dashuria hyjnore – dashuria e pastër e Krishtit – do të gëlojnë në shtëpitë dhe jetët tona, duke sjellë në zgjimin e tyre paqe, gëzim dhe lumturi” (“The Book of Mormon”, Ensign, maj 1980, f. 67).