Kisha e Jezusit u Rivendos
Në vitin 1820, Perëndia dhe Jezusi thirrën një profet të ri për ta rivendosur Kishën e vërtetë. Emri i tij ishte Jozef Smith.
Jozefi Smithi u rrit si një djalë i përulur ferme në Palmira të Nju-Jorkut. Shumë kisha dhe predikues po konkurronin në zonë për të kthyerit në besim. Jozefi ishte i pështjelluar rreth asaj se me cilën kishë duhej të bashkohej sepse që të gjitha jepnin mësim gjëra të ndryshme. Ai hasi një varg në Bibël që thoshte të pyesje Perëndinë nëse kishe pyetje dhe Ai do të përgjigjej.
Jozefi vendosi të lutej. Ai shkoi në një vend të veçuar në pyje dhe u gjunjëzua, duke e pyetur përulësisht Perëndinë në lutje se me cilën kishë duhej të bashkohej. Perëndia dhe Jezusi i erdhën atij në një vegim. Më vonë, Jozefi e përshkroi këtë përvojë të shenjtë:
“Unë pashë një shtyllë drite tamam mbi kokën time, më e shkëlqyeshme se dielli, e cila zbriti gradualisht derisa ra mbi mua. … Kur drita pushoi mbi mua, unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin – Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” (Joseph Smith – Historia 1:16–17.)
Perëndia Ati dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, i thanë Jozefit që të mos bashkohej me asnjërën nga kishat ekzistuese. Ata i thanë se nëpërmjet tij, Jezusi përfundimisht do të rivendoste Kishën e Tij origjinale. Jozef Smithi do të bëhej një profet, pikërisht si profetët e lashtë të Biblës. Me kalimin e kohës, atij iu dha autoriteti i rëndësishëm i priftërisë që kishte humbur, dhe bashkë me të fuqia për të pagëzuar, për të shëruar të sëmurët dhe për të thirrur apostuj dhe udhëheqës të tjerë. Kisha e rivendosur u organizua zyrtarisht më 6 prill 1830.
Roli i Librit të Mormonit në rivendosjen e Kishës së Jezusit
Ndërsa Jezusi e themeloi sërish Kishën e Tij, Ai nxori në dritë një anal të lashtë që u përkthye nga Jozef Smithi. Ai njihet si Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit. Ai e përkrah dhe e qartëson Biblën, duke na siguruar se mësimet e Jezu Krishtit mbeten të paprekura dhe të sakta. Ju mund të arrini të dini se Libri i Mormonit, ashtu si Bibla, është fjala e Perëndisë duke e lexuar atë e duke u lutur për të ditur nëse është i vërtetë. Nëse Perëndia përgjigjet se është i vërtetë, ju do ta dini se Jozef Smithi ishte një profet dhe se ju e keni gjetur Kishën e vërtetë të Jezusit.