Kisha e Hershme e Jezusit u Shpërbë
Pas vdekjes së Apostujve të Jezusit, autoriteti i priftërisë së Perëndisë humbi.
Jezusi zgjodhi apostuj dhe profetë që ta udhëhiqnin Kishën e Tij
Kur Jezusi ishte në tokë, Ai thirri dymbëdhjetë Apostuj dhe u dha atyre autoritet për të predikuar, pagëzuar dhe për ta udhëhequr popullin e Tij. Pasi Jezusi u largua nga toka, Apostujt vazhduan ta merrnin udhërrëfimin e Tij nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë. Ata punuan për të themeluar kishat në qytetet e lashta të Romës, Greqisë dhe më tej. Por ata patën vazhdimisht vështirësi për të mbajtur rregull mes të sapokthyerve në besimin e krishterë.
Kisha e Jezu Krishtit nuk u pranua, u tjetërsua dhe si përfundim humbi
Ndërsa Kisha rritej, Apostujt u përballën me mosmarrëveshjeve midis besimtarëve dhe kundërshtim të ashpër nga jobesimtarët. Shumë Apostuj u martirizuan dhe njerëzit nuk binin në një mendje rreth kuptimit të mësimeve të Jezusit. Njerëzit filluan të krijonin kisha të ndryshme pa autoritetin e Perëndisë për ta bërë atë. Këto Kisha u shkëputën nga Kisha origjinale e Jezu Krishtit.
Për pasojë, krishterimi përjetoi një Braktisje të përhapur ose një largim nga besimet fetare bazë. Priftëria e Perëndisë, ose autoriteti për të vepruar në emrin e Tij, humbi, parimet e pastra u korruptuan dhe të vërtetat e ungjillit u shpërbënë.
Reformistët u përpoqën ta rikthenin kishën
Në shekullin e 16-të, reformistë të tillë si Martin Luteri dhe Xhon Kalvini e pranuan gjendjen e rënë të krishterimit. Ata u përpoqën ta rikthenin kishën e krishterë në gjendjen e saj të mëparshme, për të qenë më afër mësimeve biblike.
Sidoqoftë, nuk qe e mjaftueshme për Kishën origjinale të Jezu Krishtit që thjesht të “reformohej”. Parime dhe të vërteta të caktuara kishin humbur kohë më parë, bashkë me autoritetin e priftërisë për të vepruar në emër të Perëndisë. Kisha e Jezu Krishtit në tërësinë e saj do të duhej të risillej, të rikthehej si më parë ose me fjalë të tjera të rivendosej.