Perëndia na Flet Nëpërmjet Profetëve
Profetët i udhërrëfyen njerëzit e Perëndisë përgjatë kohëve biblike – dhe ata na udhëheqin ende sot.
Përse kemi profetë?
Perëndia do që ne t’i kapërcejmë sfidat tona, të bëhemi njerëz më të mirë dhe të kthehemi për të jetuar me Të pas kësaj jete. Por Ai nuk pret që ta bëjmë të vetëm këtë. Ai na udhërrëfen nëpërmjet lutjes, shkrimeve të shenjta dhe profetëve. Një profet është dikush që është thirrur nga Perëndia për t’i dhënë udhërrëfim të gjithë botës. Nga Abrahami dhe Moisiu deri te profetët e gjallë sot, Perëndia ndjek një model të udhërrëfimit të fëmijëve të Tij nëpërmjet profetëve.

Si ndikojnë profetët në shoqëri?
Ndërkohë që urdhërimet e Perëndisë nuk ndryshojnë kurrë, bota në të cilën jetojmë është gjithmonë në ndryshim. Periudha të ndryshme kohore kanë sjellë secila me vete rrethana të reja dhe sfida të pashoqe. Profetët marrin drejtim nga Perëndia për t’i ndihmuar njerëzit të gjejnë udhën përmes sfidave dhe situatave.
Në Bibël, profetët i nxitën njerëzit të pendoheshin dhe parashikuan për lindjen, vdekjen dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit. Sot, profetët vazhdojnë të dëshmojnë për Jezusin. Ata gjithashtu i paralajmërojnë dhe i këshillojnë të gjithë njerëzit rreth temave të rëndësishme.
Mësimet profetike të kohëve të fundit trajtojnë çështje shoqërore të tilla si martesa dhe marrëdhëniet familjare, raste praktike si arsimimi dhe përgjegjësia financiare dhe tema shpirtërore që na ndihmojnë t’i kapërcejmë sprovat vetjake dhe të gjejmë siguri më të madhe te vetja dhe besim më të madh.