Pagëzimi

Pagëzimi është një besëlidhje – ose premtim – që ju e bëni me Perëndinë. Kur pagëzoheni, ju premtoni t’i shërbeni Atij dhe t’i zbatoni urdhërimet e Tij sa më mirë që të mundeni.

Ndiqeni shembullin e përkryer të Shpëtimtarit

Nëse e keni lexuar ndonjëherë Dhiatën e Re, ka të ngjarë që ta njihni historinë kur Jezusi viziton Gjon Pagëzorin për t’u pagëzuar.

“Atëherë erdhi Jezusi nga Galileja në Jordan te Gjoni për t’u pagëzuar prej tij. Por Gjoni e kundërshtoi fort duke i thënë: ‘Mua më duhet të pagëzohem prej teje dhe ti po vjen tek unë?’. Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur, u tha: ‘Lejo të bëhet për tani, sepse në këtë mënyrë përmbushim çdo drejtësi’” (Mateu 3:13–15).

Edhe Jezusi, që nuk mëkatoi kurrë, u pagëzua për t’i treguar bindje Perëndisë dhe të ishte shembulli që ta ndiqnim ne.

Për të hyrë në Qiell kërkohet pagëzimi

Jezusi dha mësim se ne duhet të pagëzohemi për t’u kthyer që të jetojmë në praninë e Perëndisë pasi të ketë kaluar kjo jetë.

Pagëzimi është të “lind[esh] nga uji”. Ai bën të mundur që ne të pastrohemi nga mëkatet tona, çka është e nevojshme për ne që të kthehemi te Perëndia.

Zbuloni se si të pagëzoheni
Flitni me Misionarët

Pagëzimi duhet të kryhet me anë të zhytjes

Pagëzimet në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kryhen me anë të zhytjes, që do të thotë se një njeri “zhytet” i gjithi nën ujë dhe nxirret prapë. Bibla na tregon se “sapo [Jezusi] u pagëzua, [Ai] doli nga uji” (Mateu 3:16). Pagëzimi me anë të zhytjes është simbolikë e bukur, jo vetëm e heqjes së mëkateve por e vdekjes, varrimit dhe ringjalljes. Pagëzimi përfaqëson mbarimin e mënyrës së vjetër të jetës dhe lindjen në një jetë të zotuar ndaj vlerave të krishtera (shih Romakëve 6:3–6).

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se pagëzimi duhet të kryhet nga dikush që mban autoritetin e duhur të priftërisë. Ai autoritet drejtpërsëdrejti nga Jezu Krishti u rikthye nëpërmjet rivendosjes së Kishës së Krishtit.

Pagëzimi dhe Shpirti i Shenjtë

Ndonëse vetë pagëzimi është një ngjarje domethënëse, nuk është tërësisht i plotë pa marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë (ose Shpirtin e Shenjtë). Marrja e Frymës së Shenjtë është të lindesh nga Shpirti (Gjoni 3:5). Dhurata e Frymës së Shenjtë ju jepet pas pagëzimit, kështu që ju të mund të merrni ndihmën, udhërrëfimin dhe ngushëllimin e Perëndisë gjatë gjithë jetës suaj.

Premtimet e Pagëzimit

JU PREMTONI: T’u Shërbeni të Tjerëve

“… Të mbani barrat e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta” (Mosia 18:8)

JU PREMTONI: Të Tregoni Dashuri dhe Dhembshuri

“… Të vajtoni me ata që vajtojnë; po, dhe të ngushëlloni ata që kanë nevojë të ngushëllohen” (Mosia 18:9)

PERËNDIA PREMTON: T’ju Japë Shpirtin e Shenjtë

“… Që ai të mund të derdhë mbi ju Shpirtin e tij më me shumicë” (Mosia 18:10)

JU PREMTONI: Të Jeni një Shembull i Mirë

“Të qëndroni si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që ju të gjendeni” (Mosia 18:9)

JU PREMTONI: T’i Zbatoni Urdhërimet e Perëndisë

“… Ju do t’i shërbeni atij dhe do të zbatoni urdhërimet e tij” (Mosia 18:10)

PERËNDIA PREMTON: T’ju Japë Jetën e Përjetshme

“… Që ju të mund të shëlbeheni nga Perëndia dhe të numëroheni me ata të ringjalljes së parë, që ju të mund të keni jetën e përjetshme” (Mosia 18:9)

Ju mund të pagëzoheni

Apostulli Pjetër e bëri të qartë gjithashtu se pagëzimi është një urdhërim për të gjithë njerëzit: “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve, dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë” (Veprat e Apostujve 2:38).

Përpara se të pagëzoheni, ju tregoni dëshirën tuaj për t’i zbatuar urdhërimet e Perëndisë duke u penduar për gjërat që i keni bërë gabim. Kjo mund të kërkojë rrëfimin e mëkateve tuaja përpara se të pagëzoheni (shih Mateu 3:6) ose ndreqjen e gabimeve aty ku mundeni.

Kur pagëzoheni, ju keni mundësinë të nisni një jetë të re – një jetë të përkushtuar në ndjekjen e Jezu Krishtit. Mëkatet tuaja falen dhe ju mund ta përkushtoni sërish veten ndaj bërjes së zgjedhjeve që çojnë në lumturi. Pasi të jeni pagëzuar dhe ta merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë, Ai do t’ju ndihmojë, ngushëllojë dhe udhërrëfejë në përpjekjet tuaja.

Pyetje të Zakonshme

Njerëzit kanë shumë pyetje në lidhje me “mormonët”, ose e thënë më me respekt, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Klikoni këtu për të parë listën e plotë.