Të Jetuarit e Shëndetshëm
Ju mund ta dini se shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk pinë alkool ose duhan. Por a e dini arsyen?
Kudo në Bibël, Perëndia i kërkoi popullit të Tij të hiqte dorë nga ushqime të caktuara. As në ditët tona nuk është ndryshe. Perëndia ka dhënë këshillë të urtë për t’i ndihmuar të gjithë fëmijët e Tij që të jenë të shëndetshëm. Kjo quhet Fjala e Urtësisë. Ajo përvijon mënyra frymëzuese për ta përmirësuar mirëqenien tonë fizike dhe shpirtërore. Sipas saj, ne këshillohemi të hamë ushqime me vlera ushqyese dhe të shmangim substanca që krijojnë varësi.
Gjërat që “Duhen Bërë” dhe “Nuk Duhen Bërë” sipas Fjalës së Urtësisë
“Çdo bimë në stinën e saj dhe çdo frut në stinën e tij; të gjitha për t’u përdorur me maturi dhe falënderim.” (DeB 89:11)
“Dhe përsëri, pijet e forta nuk janë për barkun, por për larjen e trupave tuaj.” (DeB 89:7)
“Po, gjithashtu mishin e kafshëve dhe të shpendëve të ajrit, unë, Zoti, e kam shuguruar për përdorimin e njeriut me falënderim; megjithatë ato duhet të përdoren me pakicë.” (DeB 89:12)
“Dhe përsëri, duhani nuk është për trupin, as për barkun, dhe nuk është i mirë për njeriun.” (DeB 89:8)
“Për t’u kujdesur për trupin tuaj, përdorni ushqime me vlera ushqyese, bëni rregullisht ushtrime fizike dhe flini mjaftueshëm.” (Për Forcën e Rinisë)
“Dhe përsëri, pijet e nxehta nuk janë për trupin apo barkun.” (DeB 89:99)
“Gjithë drithi shugurohet për përdorimin e njeriut dhe të kafshëve, për t’u bërë burim jete.” (DeB 89:14)
“Çdo gjë e dëmshme që njerëzit fusin me qëllim në trupat e tyre, nuk është në harmoni me Fjalën e Urtësisë. Kjo është veçanërisht e vërtetë me drogat e paligjshme.” (Të Vërtetë ndaj Besimit)
Ne nxitemi gjithashtu të flemë mjaftueshëm, të bëjmë rregullisht ushtrime fizike dhe të agjërojmë një herë në muaj – ku heqim dorë nga dy vakte të njëpasnjëshme – që të na ndihmojnë të jemi të shëndetshëm, të ushtrojmë disiplinën dhe të bëhemi më të harmonizuar shpirtërisht.
Bekimet nga të jetuarit sipas Fjalës së Urtësisë
Atyre që e ndjekin këshillën e Perëndisë në Fjalën e Urtësisë, u premtohet se do të marrin shëndet, do të gjejnë urtësi dhe “do të vrapojnë e nuk do të lodhen, dhe do të ecin e nuk do të këputen” (DeB 89:18–20).
Është e mrekullueshme të mendosh se kur u zbulua Fjala e Urtësisë në vitin 1833, bota nuk i kuptonte arsyet shkencore që gjendeshin pas pasojave të gjërave të tilla si dieta, alkooli dhe duhani. Tani, kodi i shëndetit i përshkruar në Fjalën e Urtësisë pranohet gjerësisht madje edhe në rrethet shkencore. Studiuesit kanë treguar herë pas here pasojat negative të pirjes së alkoolit, cigareve dhe përtypjes së duhanit, duke përfshirë sëmundje të tilla si cirroza, pankreatiti dhe shumë lloje kanceri.