Një Përmbledhje e Shpejtë për Librin e Mormonit
Mund të keni dëgjuar për Librin e Mormonit, por mund të mos e dini se për çfarë flet ai. Këtu është një konspekt i historisë epike mijëvjeçare.
Libri i Mormonit është një histori rreth një familjeje
Lehi është një profet në Jerusalem. Perëndia e paralajmëron Lehin në një ëndërr që të marrë familjen e tij dhe të largohet nga Jerusalemi, sepse qyteti do të shkatërrohet. Ai dhe familja e tij kalojnë oqeanin për në kontinentin amerikan.
Lamani dhe Lemueli, bijtë më të mëdhenj, nuk besojnë te babai i tyre. Ata përherë ankohen dhe e kanë të vështirë ta ndjekin Perëndinë. Por vëllai i tyre më i vogël, Nefi, është plot besim. Nefi zgjidhet nga Perëndia për të udhëhequr familjen dhe për të qenë mësuesi i tyre.
Familja ndahet në dy kombe
Vëllezërit dhe bashkëshortet e tyre lindin fëmijë dhe përhapen nëpër vend. Lamani dhe Lemueli e urrejnë kaq shumë Nefin sa duan ta vrasin. Njerëzit përfundimisht ndahen në dy grupe: nefitët dhe lamanitët. Këto grupe shpesh janë në luftë dhe besimi i tyre vihet vazhdimisht në provë. Ky besim mbush faqet e Librit të Mormonit në formën e predikimeve të fuqishme, mësimeve jetësore dhe përvojave shpirtërore.
Jezusi viziton kontinentin amerikan
Pasi Jezusi ringjallet, Ai u shfaqet njerëzve në kontinentin amerikan. Ai u mëson atyre rreth pagëzimit dhe faljes. Ai shëron të sëmurët mes tyre dhe i bekon fëmijët e tyre. Ai themelon Kishën e Tij. Ndryshe nga njerëzit në Jerusalem, ata ia vënë veshin Jezusit. Më pas, ata jetojnë në paqe për qindra vjet.
Nefitët kanë një fund tragjik
Me kalimin e kohës, njerëzit e humbasin besimin dhe përsëri shpërthen lufta, duke i shfarosur nefitët. Lamanitët që mbijetuan, janë ndër “paraardhësit … [e i]ndianëve të Amerikës” (Parathënia për Librin e Mormonit).