Si Mund të më Ndihmojë Libri i Mormonit që të Afrohem më Shumë me Jezusin?
A e dinit se Jezusi vizitoi besimtarët e krishterë në kontinentin amerikan pasi u ngrit nga varri? Ai u mësoi atyre ungjillin e Tij, i bekoi ata dhe shëroi të sëmurët. Ajo vizitë ishte jetëndryshuese për ta në atë kohë. Dijenia për atë vizitë mund të jetë po aq domethënëse për ju sot.
Çfarë domethënie ka për ju Libri i Mormonit
Shfaqja e Jezu Krishtit në Librin e Mormonit qe me rëndësi, sepse do të thotë që Perëndia i jep të njëjtat bekime dhe mundësi të gjithë fëmijëve të Tij. Ajo shfaqje tregon se dashuria e Perëndisë nuk është e kufizuar veç për njerëzit nga një zonë e vetme e botës. Pavarësisht nga gjuha që flasim apo se çfarë pamje kemi, Perëndia na do dhe dëshiron që ne ta dëgjojmë të vërtetën e Tij. Libri i Mormonit përmban histori të lashta, por u shkrua pikërisht për ju.
Shikojeni se si Mund t’ju Ndihmojë Libri i Mormonit
Dëgjoni njerëz realë që e kanë gjetur Librin e Mormonit dhe shihni ndikimin që ka pasur ai në jetën e tyre.
Për çfarë flet Libri i Mormonit?
Libri i Mormonit është i mbushur me figura të cilët ju duket se i njihni, njerëz që kanë përjetuar të njëjtat vështirësi që po kaloni ju. Një familje që la pas pjesën më të madhe të gjërave të veta për të filluar një jetë të re në një tokë të re. Një i ri që luftoi me gabimet e veta të së shkuarës dhe përvijoi një shteg të ri për të bërë përpara. Një grua që i qëndroi në krah të shoqit kur ky u sëmur.
Ai tregon histori të njerëzve që u përpoqën e dështuan dhe u përpoqën sërish. Njerëz që i mbrojtën bindjet e tyre, të cilët mësuan të mirëbesonin te Perëndia dhe t’i drejtoheshin Jezu Krishtit për paqe. Është një libër i mbushur me mendimet dhe dëshirat e shqetësimet e tyre. Është një libër për ju.
Libri i Mormonit dhe Bibla veprojnë së bashku për të treguar historinë e Jezusit
Dhiata e Vjetër. Dhiata e Re. Dhe Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit. Kjo është seria më e mrekullueshme e librave të shkruar ndonjëherë dhe ne e pranojmë atë të jetë fjala e Perëndisë. Së bashku, Bibla dhe Libri i Mormonit përshkojnë shekuj, kultura e kontinente.
Pasi Jezusi u tradhtua, u kryqëzua dhe u ngrit së vdekuri, Ai iu shfaq Maries dhe dishepujve të Tij. Ai, më pas, iu shfaq njerëzve në kontinentin e lashtë amerikan, siç qe profetizuar te Gjoni 10:16. “Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t’i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm.”
Gjatë vizitës së Jezusit, njerëzit prekën gjurmët e gozhdëve në duart dhe këmbët e Tij. Ai u lut me ta. Ai shëroi të sëmurët dhe i mblodhi fëmijët rreth Vetes dhe i bekoi. Ai u mësoi atyre që ta donin njëri‑tjetrin, të merrnin sakramentin (apo kungimin) dhe ta kujtonin Atë. Pasi mësimet dhe Kisha e Tij u themeluan, Ai u ngjit në qiell. Libri i Mormonit e dokumenton këtë histori dhe fjalët e tjera të frymëzuara të pasuesve të drejtë të Jezu Krishtit.
Nuk ka asfare fjalë të tjera që i japin kuptim më të madh jetës sonë. Nuk ka asfare mësime të tjera që na çojnë drejt një lumturie më të madhe. Bibla dhe Libri i Mormonit mund të jenë libra të veçantë, por tregojnë të njëjtën histori të Shpëtimtarit Jezu Krisht. Shikojeni se si mund t’jua ndryshojnë zemrën.