Çfarë Është Libri i Mormonit?
Të lexuarit e fjalëve të tij mund të na ndihmojë të afrohemi më shumë me Jezu Krishtin dhe ta kuptojnë qëllimin tonë në jetë.
Libri i Mormonit përmban fjalët e Perëndisë
Libri i Mormonit përmban shkrime të shenjta nga pasues të Jezusit. Ashtu si Perëndia u foli Moisiut dhe Noeut në Bibël, Ai u foli edhe njerëzve në kontinentin amerikan. Këta burra, të quajtur profetë, e shkruan fjalën e Perëndisë. Shkrimet e tyre përfundimisht u mblodhën në një libër nga një profet i quajtur Mormon.
Njerëzve të Perëndisë gjithmonë u është dhënë mësim nga profetët e gjallë. Ashtu si ne sot, gratë dhe burrat e atyre kohëve u ndeshën me tundime, kërkuan urtësi dhe jetuan jetë më të lumtura kur i ndoqën mësimet e Jezu Krishtit. Ne mund ta shohim veten në historitë e tyre, ato anale shpirtërore të frymëzuara dhe që na frymëzojnë. Libri i Mormonit është provë se Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij dhe përfshihet në jetën e tyre. Ai shërben si dëshmi e të vërtetave në Bibël dhe e hyjnisë dhe mësimeve të Jezu Krishtit.
Libri i Mormonit u jep përgjigje pyetjeve të mëdha
Libri i Mormonit mund të na ndihmojë të kuptojmë pyetjet thelbësore që të gjithë ne i kemi në ndonjë pikë të caktuar:
A ka jetë pas vdekjes?
Çfarë na pret në jetën tjetër?
Cili është qëllimi i jetës?
Si mund të gjej lumturi dhe paqe tani?
A më njeh Perëndia mua dhe a i dëgjon lutjet e mia?
Si mund ta shmang mëkatin dhe të mësoj të pendohem vërtet?
Nëse dëshironi, misionarët mund të takohen me ju dhe të diskutojnë për fragmentet që u japin përgjigje këtyre pyetjeve. Ata do t’ju sjellin edhe një kopje falas të Librit të Mormonit.
Libri i Mormonit Mund t’ju Ndihmojë në Jetë
Dëgjoni njerëz realë që e kanë gjetur Librin e Mormonit dhe shihni ndikimin që ka pasur ai në jetën e tyre.
Premtimi i Librit të Mormonit
Perëndia premton që, nëse e lexojmë Librin e Mormonit me një zemër të çiltër e mendje të hapur, Ai do t’ia zbulojë secilit prej nesh hyjninë dhe të vërtetën e këtij libri nëpërmjet frymëzimit nga Shpirti i Shenjtë. Mbi 50 000 misionarë po u japin mësim njerëzve rreth këtij libri në 6 kontinente, në 107 gjuhë; dhe këta njerëz po e vënë në provë vërtetësinë e atij premtimi. Misionarët japin kopje të Librit të Mormonit falas, megjithatë miliona njerëz e llogaritin atë mes zotërimeve të tyre më të çmuara. Burra e gra nga të gjitha anët e botës, me çfarëdo formim të mundshëm, po mësojnë se Libri i Mormonit mund të na ndihmojë të gjejmë paqe e besim në këtë jetë dhe shpëtim të përjetshëm në jetën që vjen.
Si e morëm ne Librin e Mormonit sot?
Në vitin 1823, Jozef Smithi u drejtua nga një engjëll tek analet e lashta dhe i përktheu ato nëpërmjet fuqisë së Perëndisë. Si profetët e lashtë të cilët jetuan përpara tij, Jozef Smithi shërbeu si lajmëtar i Perëndisë dhe dëshmoi për Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe për aftësinë e Tij që ta ndryshojë jetën tonë për mirë.
Përse është i rëndësishëm Libri i Mormonit?
Parimet që u shënuan në Librin e Mormonit – besimi te Jezu Krishti, pendimi, pagëzimi, gëzimi, shpëtimi – ia ndryshuan jetën një populli të lashtë. Në kohën tonë, Libri i Mormonit ka ndikuar në jetën e miliona njerëzve nëpër botë duke i bërë më të afërt me Jezu Krishtin.
Si mund të jetë dobiprurës për jetën time Libri i Mormonit?
Shkrimet e shenjta janë më shumë sesa thjesht fjalë dhe histori të vjetra. Ato janë mesazhe domethënëse dhe aktuale për problemet me të cilat përballemi. Kur i qaseni leximit të Librit të Mormonit duke i bërë shpesh vetes pyetjen: “Çfarë do të thotë kjo gjë në të vërtetë?”, ju do të zbuloni se ai ka shumë mesazhe domethënëse për ju sot. Libri u shkrua për t’i frymëzuar lexuesit që të marrin vendime, të cilat përfundimisht do ta përmirësojnë jetën e tyre dhe do t’i bëjnë më të afërt me Perëndinë. Ishte shpresa e autorëve që fjalët e tyre do t’i udhëhiqnin njerëzit drejt Jezu Krishtit dhe do të sillnin ndryshim të sjelljeve; do ta lehtësonin trishtimin, pasigurinë dhe frikën në jetë; do të ofronin qëllim dhe drejtim ndaj këndvështrimit të njerëzve për jetën; dhe do t’u jepnin njerëzve një provë se Perëndia është ende “një Perëndi mrekullish” (Mormoni 9:10).
Rëndësia e Librit të Mormonit në botë mund të çmohet nga sasia e kopjeve të shpërndara ose nga rritja e përgjithshme e numrit të njerëzve që zgjedhin ta ndjekin Jezu Krishtin pasi e lexojnë atë. Ndikimi më i rëndësishëm, sidoqoftë, është tërësisht vetjak. Libri i Mormonit jep përgjigje për pyetjet, ofron shpresë dhe e përforcon fuqinë shpirtërore tek njerëzit, një e nga një.
Njerëzit, jeta e të cilëve ka ndryshuar nga leximi i Librit të Mormonit, e gjetën atë kur ishin mëkatarë ose kur ishin besnikë, kur ndiheshin të pashpresë ose kur ishin të lumtur. Që të gjejnë domethënie në Librin e Mormonit, njerëzit mund të jenë të mësuar ose të pamësuar, të vetmuar ose të rrethuar nga miq e familjarë, të suksesshëm financiarisht ose ekonomikisht në gjendje të vështirë. I vetmi tipar i përbashkët është që njerëzit, të cilët ndikohen nga ky libër, e marrin atë në dorë me një dëshirë të thjeshtë që të dinë e të kuptojnë të vërtetën e tij.