8 Gjëra që Libri i Mormonit Mund t’ju Mësojë për Perëndinë
Libri i Mormonit, ashtu si Bibla, është një libër me shkrime të shenjta që përmban fjalën e Perëndisë, që na u dha nëpërmjet profetëve të Tij. Këtu janë tetë të vërteta të çmuara që na mëson për Perëndinë, Atin tonë të dashur Qiellor.
Perëndia është i vërtetë
Libri i Mormonit dëshmon se Perëndia ekziston vërtet. Njerëz në të gjithë Librin e Mormonit mësojnë e dëgjojnë për shenjat e Perëndisë dhe shohin shenja të tilla. Një shembull është Nefi, një i ri i cili kishte “dëshira të mëdha për të ditur misteret e Perëndisë” (1 Nefi 2:16). Lutjet e tij për ta njohur Perëndinë morën përgjigje: “Vini re, [Zoti] më vizitoi dhe ma zbuti zemrën, saqë unë besova” vërtet (1 Nefi 2:16). Secili prej nesh mund të arrijë të dijë se Perëndia është i vërtetë duke e kërkuar Atë nëpërmjet lutjes.
Dora e Perëndisë është në të gjitha gjërat
Në Librin e Mormonit, një burrë kërkoi që profeti Alma t’i tregonte atij një shenjë për të vërtetuar ekzistencën e Perëndisë. “Të gjitha gjërat tregojnë se ka një Perëndi”, theksoi Alma, “po, madje edhe toka e të gjitha gjërat që gjenden mbi faqe të saj, po edhe lëvizja e saj, po, dhe gjithashtu të gjithë planetët të cilët lëvizin në mënyrën e tyre të rregullt, dëshmojnë se ka një Krijues Suprem” (Alma 30:44). Nëse e kërkojmë, mund ta shohim dorën e Perëndisë në gjithë bukurinë rreth e rrotull nesh.
Perëndia ka një trup
Perëndia ua shfaqi Veten njerëzve në Librin e Mormonit, ashtu siç bëri me njerëzit në Bibël. Në librin e Mosias na mësohet se “njeriu u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë” (Mosia 7:27). Kjo do të thotë se ju u krijuat që të ngjanit me Të dhe se Ai ka një trup fizik.
Perëndia mund t’ju flasë juve
Shumicën e kohës, Perëndia komunikon nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë. Por në disa raste, njerëzit kanë dëgjuar Vetë Perëndinë të flasë, zakonisht të dëshmojë për Birin e Tij, Jezu Krishtin. Në Librin e Mormonit ne lexojmë për një grup të madh njerëzish që e dëgjojnë Perëndinë të shpallë: “Vini re Birin tim të Dashur, në të cilin unë jam shumë i kënaqur, në të cilin unë kam lartësuar emrin tim – dëgjojeni atë” (3 Nefi 11:7).
Perëndia i do fëmijët e Tij
Kur profetit Nefi iu bë pyetja nëse e kuptonte apo jo “denjimin e Perëndisë”, ai me ndershmëri u përgjigj: “Unë e di se ai i do fëmijët e tij; megjithatë, unë nuk e di kuptimin e të gjitha gjërave” (1 Nefi 11:16–17). Ne mund të ndjekim shembullin e Nefit dhe të mbahemi fort te njohuria se Perëndia na do ne, fëmijët e Tij, dhe do më të mirën për ne pavarësisht nga pasiguritë me të cilat përballemi në jetë.
Dashuria e Perëndisë është e përsosur
Dashuria e Perëndisë për ju nuk varet nga pozita juaj shoqërore, formimi juaj ose madje se sa dashuri keni ju për Të. Përkundrazi, dashuria e Perëndisë është e përsosur dhe e pafundme. Në Librin e Mormonit na mësohet: “Ai i fton të gjithë të vijnë tek ai dhe të marrin pjesë në mirësinë e tij; dhe ai nuk ia mohon askujt që shkon tek ai, të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra; dhe ai nuk harron idhujtarët; dhe të gjithë janë njësoj para Perëndisë” (2 Nefi 26:33).
Perëndia ka një plan për ju
Perëndia ju njeh përsosurisht sepse Ai ju krijoi. Ai ka një plan që t’ju ndihmojë të vini në shtëpi tek Ai dhe të jeni të lumtur. Në Librin e Mormonit na mësohet se Perëndia i krijoi fëmijët e Tij “që ata të mund të kenë gëzim” (2 Nefi 2:25).
Perëndia dëshiron që ju të ktheheni të jetoni me Të
Nëpërmjet flijimit të Birit të Perëndisë, Jezu Krishtit, ju mund të pendoheni për mëkatet tuaja dhe të ktheheni në praninë e Perëndisë. Profeti i Librit të Mormonit, Samueli, dha mësim: “Ringjallja e Krishtit shëlben njerëzimin … dhe e sjell përsëri në praninë e Zotit” (Helamani 14:17).
Si nga Bibla, edhe nga Libri i Mormonit, ju mund të mësoni që Perëndia ekziston, se Ai ju do dhe që Ai ka një plan për ju. Të jetuarit e ungjillit të Tij dhe të mësuarit nga Ai, do t’ju ndihmojnë të jeni të lumtur në këtë jetë dhe në jetën tjetër.