Ndjekja e Jezu Krishtit, Shembullit Tonë të Përkryer

Kush është Jezu Krishti? Jezusi është Shpëtimtari i botës dhe shembulli ynë i përkryer. Ndërsa e ndjekim Atë, ne gjejmë paqe dhe lumturi më të madhe në jetë.

Jezusi është Biri i Perëndisë

Ati ynë Qiellor dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, që të merrte mbi Vete mëkatet e gjithkujt që do të jetonte në tokë, në mënyrë që të mund të merrnin falje. Ky flijim për ne u bë i mundur për shkak të hyjnishmërisë së Jezusit dhe jetës së Tij të përkryer.

Jezusi ishte mësues mjeshtër dhe shërbëtor i të gjithëve. Por Ai qe pafundësisht shumë tepër se aq. Kur Ai e pyeti Apostullin Pjetër: “Po ju, kush thoni se jam unë?” Pjetri u përgjigj: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë” (Mateu 16:15–16).

Jezusi na dha shembullin e përkryer për ta ndjekur

Jezusi jetoi një jetë të përkryer për të na treguar udhën e kthimit për tek Ati ynë Qiellor. Ndonëse nuk mëkatoi kurrë, Jezusi prapëseprapë u pagëzua për të qenë i bindur ndaj Perëndisë dhe për të na mësuar që pagëzimi është një kërkesë për të gjithë. Zbuloni se si mund të pagëzoheni. Takohuni me misionarët.

Jezusi është gjithashtu shembulli i përkryer i dashurisë. Në jetën e Tij në tokë, Ai u kujdes për të varfrit, shëroi të verbrit (shihni te Gjoni 9:1–7), mirëpriti fëmijët e vegjël (shihni te Mateu 19:13–14) dhe madje i fali ata që e kryqëzuan (shihni te Lluka 23:34). Dashuria e Tij është e pafundme dhe në dispozicion të kujtdo që ka nevojë për të.

Hapat e Jezusit

Jezusi na mësoi se si të jetojmë dhe si t’i trajtojmë të tjerët

Kur ishte veç 12 vjeç, Jezusin e gjetën duke u dhënë mësim shkollarëve të ditur në tempull (shihni te Lluka 2:42–52). Ata u habitën nga ajo se sa shumë dinte Ai. Jezusi vijoi të bëhej mësuesi më i madh që jetoi ndonjëherë. Ai shpesh përdori shëmbëlltyra ose histori për të dhënë mësime të rëndësishme. Këto shëmbëlltyra kishin të bënin me njerëz dhe situata të përditshme, kështu që ato kuptoheshin lehtësisht. Historitë e Tij ende na prekin në zemër dhe na japin shtysë ta ndjekim Atë e t’u shërbejmë njerëzve të tjerë sot.

Edhe Libri i Mormonit përmban mësime të fuqishme të Shpëtimtarit. Ai u mësoi njerëzve se si të luteshin, si të ishin të përulur dhe si t’i trajtonin familjet e tyre.

Jezusi vuajti dhe vdiq për mëkatet tona

Misioni i Jezusit me ardhjen në tokë ishte që të na shpëtonte nga mëkatet tona. Ai ishte i gatshëm të vuante dhe ta flijonte Veten për të paguar çmimin për gabimet tona me qëllim që ne të mund të pendohemi dhe të marrim falje.

Në Kopshtin e Gjetsemanit, Jezusi ndjeu peshën e çdo mëkati dhe dhembjeje të njohur nga njerëzimi. Ai vuajti për çdo person që ka jetuar ndonjëherë, duke i dalë gjak nga çdo por i trupit të Tij (shihni te Lluka 22:44). Ai u arrestua, u pështy, u fshikullua dhe u kryqëzua. Edhe ndërsa Jezusin po e vriste vetë populli i Tij, Ai i thirri Perëndisë që të kishte mëshirë për ta (shihni te Lluka 23:34).

Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” – Gjoni 3:16

Jezusi u ringjall që ne të mund të jetojmë përsëri

Tri ditë pas vdekjes së Tij, Jezusi u ngrit nga varri dhe iu shfaq shumë prej miqve dhe pasuesve të Tij. Ai ishte i pari që u ringjall, që do të thotë se pas vdekjes shpirti i Tij u bashkua sërish me trupin e Tij të përsosur fizik. Për shkak se Jezusi e mundi vdekjen, ne të gjithë do të ringjallemi një ditë.

Mësoni më Shumë rreth Jezusit dhe Mënyrës se si ta Ndiqni Atë