Cilësitë e Krishtit
Po aq jetike sa ajo që bëjmë në jetë, është se çfarë njeriu bëhemi. Jezusi na e ka treguar udhën dhe dha shembullin e përsosur.
Bërja si Krishti
Ftesa për të ndjekur Jezusin është një ftesë për të ndjekur shembullin e Tij dhe për t’u bërë si Ai. Mësoni nga Ai dhe përpiquni t’i bëni cilësitë e Tij pjesë të jetës suaj. Nëpërmjet fuqisë së hirit të Tij, ju mund të bëheni një njeri më i mirë, më i ngjashëm me Krishtin.
Besimi
Kur keni besim te Krishti, ju besoni tek Ai si Biri i Perëndisë, i Vetëmlinduri i Atit në mish. Ju e pranoni Atë si Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin tuaj dhe i ndiqni mësimet e Tij. Ju besoni se mëkatet tuaja mund të falen për shkak të flijimit të Tij shlyes. Besimi në Të do të thotë se ju i mirëbesoni Atij dhe jeni të sigurt se Ai ju do.
Besimi është një parim fuqie. Perëndia vepron me anë të fuqisë, por fuqia e Tij zakonisht ushtrohet si përgjigje ndaj besimit. Ai vepron sipas besimit të fëmijëve të Tij. Dyshimi e frika janë të kundërtat e besimit. Besimi juaj te Jezu Krishti rritet teksa arrini ta njihni më mirë Atë dhe mësimet e Tij. Ndërsa i eksploroni shkrimet e shenjta, ju mësoni rreth udhëve të Tij, dashurisë së Tij për të gjithë njerëzit dhe urdhërimeve të Tij.
“Dhe besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen.”
– Hebrenjve 11:1
Shpresa
Shpresa është një mirëbesim i qëndrueshëm se Zoti do t’i plotësojë premtimet që ju ka bërë. Ajo shfaqet në besimin tuaj tek vetja, optimizmin, entuziazmin dhe durimin tuaj. Ajo është të besosh dhe të presësh që diçka do të ndodhë. Kur keni shpresë, ju ia dilni përmes sprovave dhe vështirësive me sigurinë dhe besimin se të gjitha gjërat do të bashkëveprojnë së bashku për të mirën tuaj (shihni te Romakëve 8:28). Shpresa ju ndihmon ta mundni shkurajimin. Shkrimet e shenjta shpesh e përshkruajnë shpresën te Jezu Krishti si siguria që ju do të trashëgoni jetë të përjetshme.
“Kështu që, ju duhet të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Prandaj, në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme.”
– 2 Nefi 31:20
Dashuria hyjnore dhe dashuria
Dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit. Ajo përfshin dashurinë e pakufishme të Perëndisë për të gjithë fëmijët e Tij. Ne duhet të synojmë ta zhvillojmë atë lloj dashurie. Ndërsa luteni me sinqeritet për dhuratën e dashurisë hyjnore, përpiqeni fort të jetoni me drejtësi dhe u shërbeni të tjerëve, do të arrini të ndieni një interesim të sinqertë për mirëqenien dhe lumturinë e njerëzve të tjerë. Do t’i shmangni ndjenja të tilla negative si zemërimi, zilia, epshi ose thënien e gjërave negative rreth njerëzve. Do të përpiqeni t’i kuptoni ata dhe pikëpamjet e tyre. Do të jeni të duruar me ta dhe do të përpiqeni t’i ndihmoni kur të jenë të shkurajuar ose duke u përballur me vështirësi. Dashuria hyjnore lulëzon nga veprimet. Do ta zhvilloni dashurinë hyjnore kur të kërkoni mundësi për t’u shërbyer të tjerëve dhe për të dhënë nga vetja.
“Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq; nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën, i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, i mban çdo gjë. Dashuria nuk ligshtohet kurrë.”
– 1 Korintasve 13:4–8
Bëhuni varianti më i mirë i vetes nëpërmjet Jezu Krishtit. Misionarët mund të ndihmojnë.
Ndryshimi është i mundur. Niseni rrugëtimin tuaj sot duke u takuar me misionarë nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Kërkoni një vizitë.
Faleminderit! Shihni për një mesazh konfirmimi për pak.
Ju do të merrni disa mesazhe nëpërmjet celularit ose programit WhatsApp për të konfirmuar kërkesën tuaj dhe për t’ju ndihmuar të përgatiteni për vizitën tuaj.
Misionarët në zonën tuaj do t’ju kontaktojnë së shpejti.
Jemi të emocionuar që do të flasim me ju rreth mësimeve të Jezu Krishtit. Mund të takohemi me prani fizike ose nëpërmjet internetit.
Gabim: Formulari nuk mund të dorëzohej në këtë moment. Ju lutemi, provojeni sërish ose rifreskojeni faqen për të filluar nga e para.
Pyetje dhe Shkrime të Shenjta për t’u Studiuar
Virtyti
Virtyti buron nga mendimet dhe dëshirat tuaja më të brendshme. Virtyti është një stil mendimi dhe sjelljeje bazuar në standarde të larta morale. Ajo që zgjidhni të mendoni dhe bëni kur jeni vetëm dhe kur besoni se askush nuk po vëzhgon, është një masë e fortë e virtytit tuaj.
Njerëzit e virtytshëm janë të pastër dhe të panjollë shpirtërisht. Ata përqendrohen në mendime të drejta e lartësuese dhe i largojnë nga mendja e tyre mendimet e padenja që çojnë në veprime të pahijshme. Ata iu binden urdhërimeve të Perëndisë. Ata luten për forcë që t’i bëjnë ballë tundimit dhe të bëjnë atë që është e drejtë. Ata pendohen shpejt për ndonjë mëkat apo veprim të gabuar.
“Duke qenë se fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdinë dhe virtytin e vet, … t’i shtoni besimit tuaj virtytin, dhe virtytit diturinë, diturisë vetkontroll, vetkontrollit qëndresën, qëndresës perëndishmerinë, mëshirës dashurinë vëllazërore dhe dashurisë vëllazërore dashurinë. Sepse nëse këto gjëra gjendën në ju me shumicë, nuk do t’ju lejojnë të bëheni përtacë dhe as të pafryt në njohjen e Zotit tonë Jezu Krisht.”
– 2 Pjetër 1:3–8
Durimi
Durimi është aftësia për ta duruar vonesën, shqetësimin, kundërvënien ose vuajtjen pa u inatosur, merakosur ose pa u bërë i paduruar. Është aftësia për të bërë vullnetin e Perëndisë dhe për të pranuar kohën e caktuar prej Tij. Kur jeni të duruar, ju qëndroni të fortë nën trysni dhe jeni në gjendje ta përballoni fatkeqësinë me qetësi dhe shpresë. Durimi lidhet me shpresën dhe besimin – duhet të prisni që të përmbushen bekimet e premtuara nga Zoti. Duhet të jeni të duruar me të gjithë njerëzit, përfshirë veten tuaj, ndërkohë që bëni punë për t’i kapërcyer fajet dhe dobësitë.
“Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen, këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën. Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.”
– Romakëve 5:3–5
Përulësia
Përulësia është gatishmëri për t’iu nënshtruar vullnetit të Zotit dhe për t’ia dhënë Zotit meritën për atë që është arritur. Ajo përfshin mirënjohjen për bekimet e Tij dhe pranimin e nevojës suaj të vazhdueshme për ndihmën e Tij hyjnore. Përulësia nuk është një shenjë dobësie; është shenjë e forcës shpirtërore.
E kundërta e përulësisë është krenaria, e cila dënohet në shkrimet e shenjta. Të jesh krenar do të thotë të kesh më shumë besim te vetja sesa te Perëndia ose te shërbëtorët e Tij. Kur i mirëbesoni përulësisht Perëndisë dhe e pranoni fuqinë dhe mëshirën e Tij, ju mund të keni sigurinë se urdhërimet e Tij janë për të mirën tuaj. Ju keni vetëbesim se mund të bëni çfarëdo që Zoti kërkon prej jush nëse mbështeteni tek Ai.
“Dhe në qoftë se njerëzit vijnë tek unë, unë do t’u tregoj atyre dobësinë e tyre. Unë u jap njerëzve dobësi, që ata të jenë të përulur dhe hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit që përulen para meje; pasi në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë, atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta.”
– Ethëri 12:27