Perëndia ju Gjendet Pranë
Njerëzit shpesh e kërkojnë ndihmën e Perëndisë në çastet më vështira të jetës. Por Perëndia, Ati juaj Qiellor, ju do dhe ju ofron dorën e Tij në kohë të mira, si edhe të këqija. Ju gjithmonë mund t’i drejtoheni Perëndisë në lutje. Lutjet drejtuar Perëndisë sjellin përgjigje dhe paqe të brendshme.
Kush është Perëndia dhe a interesohet Ai për mua?
Perëndia është Ati juaj Qiellor
Dhiata e Vjetër jep mësim se ju u krijuat “si[p]as shëmbëlltyrës së Perëndisë” vetë (Zanafilla 1:27). Ashtu si nëna dhe babai juaj krijuan trupin tuaj fizik, Ati juaj Qiellor krijoi shpirtin tuaj. Kjo është arsyeja pse Perëndia quhet “At[i i] shpirtrave” (Hebrenjve 12:9). Kjo marrëdhënie familjare do të thotë që ju mund t’i drejtoheni Atij kur keni nevojë për ndihmë.
Perëndia ju do
Për shkak se Perëndia është Ati juaj, Ai ju do dhe dëshiron t’ju ndihmojë t’i kaloni sfidat tuaja. Dashuria e Perëndisë është e pandryshueshme. Në Dhiatën e Re, Jezusi shpjegon se, për shkak se Perëndia është i përkryer, Ai e di në mënyrë të përsosur se si t’ju ndihmojë kur ia kërkoni Atij. Dhe Ai dëshiron të ndihmojë, edhe më shumë se një baba i dashur tokësor dëshiron t’i ndihmojë fëmijët e vet. “Dhe cili nga ju është baba i tillë që, po t’i kërkojë bukë djali, i jep një gur? Ose po t’i kërkojë një peshk, në vend të peshkut i jep një gjarpër? … Nëse ju, pra, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj qiellor do t’u dhurojë Frymën e Shenjtë atyre që ia kërkojnë” (Lluka 11:11, 13).
Perëndia dëshiron që ju të rriteni
Për shkak se Perëndia ju do, Ai nuk i eliminon sprovat dhe vështirësitë nga jeta juaj. Vdekjet, sëmundjet, vështirësitë financiare, fatkeqësitë natyrore dhe shumë telashe të tjera janë pjesë e planit të Perëndisë për lumturinë tuaj afatgjatë për shkak se ato ju lejojnë të mësoni e të rriteni dhe të bëheni një person më i mirë. Nuk mund t’ju duket ashtu kur jeni në mes të një sprove, por apostulli Pal dha mësim se ky “trishtim … i lehtë” është vetëm i përkohshëm dhe mund të çojë në “një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie” (2 Korintasve 4:17). Çdo sfidë me të cilën përballeni, mund t’ju ndihmojë të përparoni, veçanërisht nëse i drejtoheni Perëndisë për ndihmë.
Perëndia e respekton lirinë tuaj
Mbi disa nga telashet e jetës ju nuk keni kontroll; të tjera janë rezultat i drejtpërdrejtë ose jo i drejtpërdrejtë i zgjedhjeve tuaja. Për shkak se ju do, Perëndia ju dha lirinë e zgjedhjes ose lirinë që të merrni vendime. Liria juaj e zgjedhjes ju mundëson të bëni zgjedhje të mira që ju çojnë drejt lumturisë; ajo gjithashtu ju bën të përgjegjshëm për zgjedhjet e këqija që çojnë drejt një mungese të lumturisë në mënyrë të menjëhershme ose si përfundim. Perëndia nuk do të ndërhyjë në zgjedhjet tuaja; Ai ju lejon të vendosni vetë dhe të mësoni nga pasojat. Sidoqoftë, Ai vërtet ofron ndihmën përfundimtare për t’i kapërcyer gabimet dhe mëkatet: fuqinë shpëtuese të Jezu Krishtit. Pavarësisht se sa të këqija mund të bëhen rrethanat tuaja ose se sa shumë zgjedhje të gabuara mund të keni bërë, ju gjithmonë mund të zgjidhni të ndryshoni dhe të gjeni paqe nëpërmjet Jezu Krishtit.
Si mund ta kërkoj ndihmën e Perëndisë?
Ndonëse dashuria e Perëndisë për ju është e pandryshueshme, ju duhet t’i drejtoheni Atij për ndihmë. Ja disa gjëra që mund të bëni për të kërkuar ndihmën e Perëndisë në jetën tuaj:
Ushtroni besim te Perëndia
Besimi nënkupton që jo veç besoni se ka një Perëndi dhe Ai është Ati juaj, por edhe që keni sigurinë se Ai mund t’ju ndihmojë dhe do t’ju ndihmojë kur i drejtoheni Atij, pavarësisht nga sa e zymtë mund të duket jeta. Besimi është një hap i parë për kërkimin e ndihmës së Tij në jetën tuaj: “Ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë” (Hebrenjve 11:6).
Lutuni
Kur e mbani mend marrëdhënien tuaj të vërtetë me Perëndinë, që Ai është Ati juaj dhe ju jeni fëmija i Tij, lutja bëhet një komunikim i mirëpritur, ngushëllues. Shprehjani pyetjet, konfliktet, problemet dhe pasiguritë tuaja Atit tuaj në lutje. Ai është i gjithëditur dhe sheh gjithçka. Ai ju kupton. Ai pret prej jush që ta kërkoni Atë në lutje në mënyrë që të mund t’ju udhërrëfejë, ngrejë moralisht dhe ngushëllojë.
Zbatojini urdhërimet e Perëndisë
Shkrimet e shenjta na mësojnë: “Zoti i vlerëson tërë mishrat njëlloj”. Me fjalë të tjera, çdo person është i barabartë në sytë e Perëndisë; Ai i do të gjithë fëmijët e Tij. Ai varg vijon: “Ai që është i drejtë, është i favorizuar nga Perëndia” (1 Nefi 17:35). Kjo nuk do të thotë që Perëndia ka individë të favorizuar. Ajo në të vërtetë do të thotë që ata që janë të drejtë – ata të cilët e ndjekin Atë dhe bëjnë atë që kërkon Ai – kualifikohen për favoret apo bekimet e Perëndisë. Kur i zbatoni urdhërimet, Perëndia ju bekon.
Si Mund të Merrni Ndihmë po t’i Drejtoheni Perëndisë
Shikoni mbi mënyrat se si zgjedhja për ta ndjekur Perëndinë mund të sjellë paqe, ngushëllim dhe bekime në jetën tuaj.
Si ju jep ndihmë Perëndia?
Kur e kërkoni Perëndinë nëpërmjet besimit, lutjes dhe bindjes, ju do të zbuloni ndihmën e Tij pasi Perëndia ju do. Mirëpo, Perëndia jo gjithmonë u përgjigjet lutjeve tuaja në mënyrën se si mund ta prisni ju. Por Perëndia përgjigjet vërtet dhe Ai jep ndihmë në shumë mënyra. Disa nga këto mënyra janë renditur më poshtë.
Shpirti i Shenjtë
Në mësimet e Tij të fundit për Apostujt e Tij, Jezu Krishti premtoi se do të dërgonte “Ngushëlluesi[n], Frym[ën] e Shenjtë” (Gjoni 14:26), i cili do t’u sillte paqe në shpirt. Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, ju mund të ndieni një paqe “që ia tejkalon çdo zgjua[rs]ie” (Filipianëve 4:7), edhe kur nuk i keni të gjitha përgjigjet. Problemet mund të mos zhduken dhe zgjidhjet e tyre mund të mos jenë të qarta aty për aty, por paqja e Frymës së Shenjtë sjell ngushëllim dhe inkurajim. Shpirti gjithashtu mund t’ju drejtojë për vendimet që merrni. Zoti ka dhënë mësim: “Vër re, unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë, që do të vijë mbi ty dhe që do të banojë në zemrën tënde” (Doktrina e Besëlidhje 8:2).
Përgjigjet në shkrimet e shenjta
Edhe pse u shkruan shekuj më parë, të vërtetat që gjenden në shkrimet e shenjta, janë të përjetshme. Kur i studiojnë ato tani, njerëzit mrekullohen që vargje të caktuara duket të jenë shkruar posaçërisht për ta dhe situatat e tyre. Kjo nuk është rastësi. Perëndia na e jep shkrimin e shenjtë si udhëzim dhe drejtim në kohë sprove ose pasigurie. Do të gjeni histori të ndihmës së Perëndisë për të tjerët. Do të gjeni mësime që janë jashtëzakonisht personale dhe domethënëse për ju. Kur luteni, ju i parashtroni shqetësime e pyetje Perëndisë – dhe kur i studioni e i përsiatni shkrimet e shenjta, Ai jua parashtron përgjigjet juve.
Provojeni fuqinë prej studimit të shkrimeve të shenjta në jetën tuaj. Kërkoni një kopje falas të Biblës ose të Librit të Mormonit.
Ndihma nga të tjerët
Përse jemi urdhëruar që ta duam njëri‑tjetrin dhe “t’i shërbe[jmë] njëri‑tjetrit”? (Galatasve 5:13) Një arsye është se shpesh është përmes veprimeve tona që kryhet puna e Perëndisë. Perëndia mund t’u përgjigjet lutjeve tuaja nëpërmjet fjalëve dhe veprave të njerëzve përreth jush. Pranojini ndihmën dhe interesimin nga të tjerët, kur ato ofrohen, dhe dallojeni dorën e Perëndisë në jetën tuaj.