Si të Luteni

Perëndia është Ati juaj i dashur në Qiell dhe Ai dëshiron të dëgjojë prej jush. Ju mund t’i drejtoheni Atij për përkrahje duke iu lutur. Si fëmija i Tij, ju mund t’i kërkoni Atit tuaj Qiellor për ndihmë dhe udhërrëfim në jetën tuaj.

Një grua gjunjëzohet në lutje pranë shtratit të vet
Një grua gjunjëzohet në lutje pranë shtratit të vet

Gjeni Paqe nëpërmjet Lutjes

Katër hapa për lutjen

Lutja mund të bëhet me zë ose në mendje. Ju mund të flisni me Perëndinë ashtu siç do të bënit me çdo person tjetër. Fjalët tuaja nuk kanë pse të jenë të rrjedhshme ose të mësuara përmendsh. Është më e rëndësishme ta hapni zemrën dhe të mos ngurroni. Besoni se Ai është pranë dhe po ju dëgjon, pasi Ai vërtet po e bën atë. Besoni se Ai do t’ju ndihmojë, pasi Ai do ta bëjë atë.

Lutja është një nga dhuratat më të vyera që keni marrë nga Ati juaj i dashur Qiellor.

1

Fillojeni lutjen tuaj

Përpara se të filloni, gjeni një vend të qetë ku ndiheni rehat. Një mënyrë e mirë për të filluar është t’i drejtoheni Perëndisë me emër. Ju mund të provoni të thoni: “I dashur Perëndi”, “I dashur Atë Qiellor”, “Ati ynë që je në qiell” ose thjesht “Perëndi”.

2

Bëni një bashkëbisedim me Perëndinë

Flisni nga zemra dhe shprehni shpresat e dëshirat tuaja, si edhe shqetësimet e problemet tuaja. Ju mund t’i kërkoni Perëndisë ndihmë, drejtim, falje ose shërim. Çfarëdo të keni në mendje, paraqitjani Atij, duke pranuar se dituria e Tij dhe koha e duhur prej Tij janë më të madhërishme se tuajat. Ju mund ta pyesni Atë se çfarë dëshiron Ai për ju.

Tregojani Perëndisë ndjenjën tuaj të shqetësimit për të tjerët. Ju mund të luteni për nevojat e tyre ose të pyesni për mënyrat se si mund t’i doni dhe t’i ndihmoni ata.

Shprehjani Perëndisë vlerësimin për të gjitha bekimet në jetën tuaj. Edhe sfidat mund të jenë një bekim. Mirënjohja na ndihmon të ndihemi të përulur, gjë që na e mban zemrën dhe mendjen më të hapur ndaj përgjigjeve të Perëndisë.

3

Mbylleni lutjen tuaj

Pasi të keni thënë gjithçka që donit të thoshit, mund ta mbyllni lutjen duke thënë: “Në emrin e Jezu Krishtit, amen”. Ne e bëjmë këtë sepse Jezusi na urdhëroi të lutemi në emrin e Tij.

“Prandaj, ju duhet t’i luteni gjithmonë Atit në emrin tim.

Dhe çdo gjë që ju do t’i kërkoni Atit në emrin tim, që është e drejtë, duke besuar se do ta merrni, vini re, ajo do t’ju jepet.” – 3 Nefi 18:19–20

4

Veproni sipas dëshirave tuaja të drejta

Ka urtësi në frazën: “Lutuni sikur gjithçka të varej nga Zoti, pastaj punoni sikur gjithçka të varej nga ju”. Shpesh marrim udhërrëfim dhe ndihmë nga Perëndia pikërisht në procesin e veprimit.

Koha kur të luteni

Nuk ekziston diçka e tillë si lutja me tepri. Perëndia dëshiron të dëgjojë prej jush kur jeni të lumtur apo të trishtuar ose thjesht nëse keni nevojë për dikë me të cilin të bisedoni. Mund të luteni sa herë t’ju lindë dëshira ose të keni nevojë të luteni. Në fakt, nëse nuk ju vjen të luteni ose ju duket sikur Perëndia nuk dëshiron të dëgjojë prej jush, ky mund të jetë një nga çastet më të mira për t’u lutur.

Pasi, në qoftë se ju do të mbanit vesh Shpirtin, i cili i mëson një njeriu të lutet, do të dinit se ju duhet të luteni.” – 2 Nefi 32:8

Lutuni vetëm dhe me të tjerë

Ju duhet të flisni me Perëndinë individualisht dhe rregullisht. Por lutuni edhe me të tjerët: gjatë shërbesave të adhurimit, përpara një vakti dhe në lutje familjare. Një person zakonisht e bën lutjen në emër të grupit ndërkohë që të tjerët dëgjojnë me respekt, mendojnë për fjalët që po thuhen, dhe e tregojnë miratimin e tyre duke thënë “amen” në fund të lutjes.

Lutuni gjatë gjithë ditës

Te Psalmeve 55:17, mbreti David tha se lutej “në mbrëmje, në mëngjes dhe në mesditë”. Rastet tipike për lutje vetjake janë kur e filloni ditën në mëngjes, përpara çdo vakti ushqimi dhe përpara se të shkoni në shtrat në mbrëmje. Por nuk ka kurrë një kohë të gabuar për t’u lutur. Perëndia dëgjon gjithmonë, ndaj ne mund të “lut[emi] pa pushim” (1 Thesalonikasve 5:17).

Lutuni për rrethana të veçanta

Ka periudha kur kërkohen lutje shtesë: si lutje për shërim, për mbrojtje ose për nevoja të ngutshme. Agjërimi (mosngrënia dhe mospirja e qëllimtë për një periudhë kohe) i ndërthurur me lutjen ndihmon për t’i treguar Perëndisë sinqeritetin tuaj dhe siguron forcë shpirtërore.

Marrja e përgjigjeve për lutjet tona

Perëndia premton se, kur i drejtohemi Atij në lutje, Ai do të na japë përgjigje dhe udhërrëfim.

Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet.” – Mateu 7:7

Perëndia komunikon me ne nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, në formën e mendimeve dhe ideve të mira ose ndjenjave të paqta e ngushëlluese. Kur i ndiejmë këto gjëra, ajo do të thotë që Perëndia po na jep zemër, po na tregon të vërtetën dhe po na jep drejtim.

Çdo njeri do ta ndiejë Shpirtin e Shenjtë në mënyrën e vet. Te Bibla, shpesh përshkruhet si “një shushuritje e ëmbël” (shihni te 1 Mbretërve 19:11–12) saqë duket pothuajse se i pëshpërit mendjes suaj.

Shpesh, Perëndia u përgjigjet lutjeve tona nëpërmjet të tjerëve. Perëndia mund të vendosë njerëz në jetën tonë në çastin e duhur, të cilët mund të japin përgjigje ose të jenë përgjigjja të cilën e kemi kërkuar. Ne gjithashtu mund të marrim përgjigje për lutjet duke e lexuar atë çfarë kanë dhënë mësim profetët e Tij në Bibël dhe në Librin e Mormonit. Kur lutemi dhe i lexojmë këto libra, Shpirti i Shenjtë mund të na japë ide dhe drejtim të individualizuar. Gjetja e kohës për ta studiuar fjalën e Tij, është gjithashtu një mënyrë se si ne mund t’i tregojmë Perëndisë se dëshirojmë vërtet një përgjigje prej Tij.

Artikuj të Ngjashëm