Krijimi dhe Rënia

Krijimi i tokës dhe Rënia e Adamit dhe Evës janë pjesë e planit të përkryer të Perëndisë për fëmijët e Tij.

Re të dendura në hapësirë që tregojnë dorën e Perëndisë në natyrë dhe krijimin e tokës prej Tij

Perëndia e krijoi tokën për dobinë tonë

Nën drejtimin e Perëndisë, Jezu Krishti e krijoi tokën për ne si një vend ku mund të merrnim një trup fizik dhe të fitonim përvojë duke bërë zgjedhjet tona vetjake. Ndërsa mësojmë të dallojmë të drejtën nga e gabuara dhe zgjedhim të drejtën, ne mund të bëhemi më shumë si Ati ynë Qiellor.

Shtëpia që u krijua për ne këtu në tokë, kishte qëllim të na jepte gjithçka që na nevojitet për të jetuar dhe për t’u rritur. Disa gjëra në tokë na paraqesin sfida për t’i kapërcyer, por Perëndia përfshiu edhe shumë gjëra të bukura e të këndshme që ne t’i shijojmë. Ne mund ta shohim provën e dashurisë së Perëndisë për ne kudo përreth nesh në natyrë.

Adami dhe Eva ishin fëmijët e parë të Perëndisë që erdhën në tokë

Ne ekzistuam si shpirtra pa trupa fizikë para jetës sonë të vdekshme këtu në tokë. Dy fëmijët e parë të Perëndisë që erdhën në tokë dhe morën një trup, ishin Adami dhe Eva. Perëndia i krijoi trupat e tyre të vdekshëm sipas shëmbëlltyrës së Tij (shihni te Zanafilla 1:27) dhe i vendosi në një vend të bukur të njohur si Kopshti i Edenit, në të cilin atyre nuk iu duhej të punonin për ushqim ose për gjëra të tjera që mund t’u nevojiteshin. Ata nuk përjetonin pikëllim apo dhimbje atje, por për pasojë, ata nuk e kuptonin gëzimin e vërtetë (shihni te 2 Nefi 2:2–23).

Adami dhe Eva në Kopsht

Kur Adami dhe Eva u vendosën në Kopshtin e Edenit, ata nuk ishin ende të vdekshëm dhe nuk mund të vdisnin. Zoti shpjegoi se ata mund të hanin nga fruta e çdo peme në kopsht, përveç njërës, pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes. Ai i urdhëroi të mos hanin prej saj dhe u tha se nëse do ta bënin atë, ata me siguri do “të vd[isnin]” (Zanafilla 2:17).

Perëndia i njihte në mënyrë të përsosur Adamin dhe Evën, pikërisht siç e njeh secilin prej nesh në mënyrë të përsosur. Ai e dinte se ata përfundimisht do të zgjidhnin ta provonin frutën e pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes, edhe pse ishin paralajmëruar për pasojat. Kur e bënë atë, ajo u njoh si “Rënia” dhe ajo qe pjesë e planit të Perëndisë. Si rrjedhim, Adami dhe Eva nuk u lejuan më të jetonin në Kopshtin e Edenit dhe ata u dëbuan në botë, ku u duhej të punonin për të mbajtur veten dhe ku një ditë do të vdisnin. Ata përjetuan dhimbjen dhe pikëllimet që erdhën prej largimit nga prania e Perëndisë, por gjithashtu përjetuan gëzimin e të pasurit një familje.

“Adami ra që njerëzit të mund të jenë; dhe njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim.” – 2 Nefi 2:25

Për shkak të Jezu Krishtit, ne mund të pendohemi për mëkatet tona

Perëndia e dinte se të gjithë fëmijët e Tij do të bënin gabime ndërkohë që jetonin në tokë. Plani i Atit Qiellor na siguroi një mënyrë për të marrë falje për mëkatet tona dhe për t’u bërë të pastër, në mënyrë që të jemi të denjë për t’u kthyer për të jetuar përsëri me Të pasi të vdesim.

Jezu Krishti vuan për mëkatet tona në Kopshtin e Gjetsemanit

Shpëtimi është i mundur nëpërmjet Jezu Krishtit, i cili ishte i vetmi nga fëmijët e Perëndisë që jetoi një jetë pa mëkat në tokë. Para se të krijohej toka, Jezu Krishti u zgjodh nga Ati Qiellor për të qenë Shpëtimtari ynë. Ai erdhi me vullnetin e Vet në këtë tokë, vuajti për mëkatet e të gjithë njerëzve dhe vdiq për ne. Përmes vuajtjeve të Tij në Kopshtin e Gjetsemanit dhe në kryq, Jezusi i mposhti mëkatet e kryera këtu në tokë nga të gjithë fëmijët e Perëndisë, duke filluar nga Adami dhe Eva. Nëse e ndjekim Atë dhe pendohemi kur bëjmë zgjedhje të gabuara, ne mund të shpëtohemi nga vdekja shpirtërore, ose nga ndarja prej Perëndisë. Jezusi gjithashtu mposhti vdekjen fizike kur vdiq dhe u ngrit nga varri tri ditë më vonë. Për shkak të Tij, ne të gjithë mund të ringjallemi dhe jetojmë përgjithmonë.

Mësoni më Shumë rreth Qëllimit të Jetës dhe Planit të Perëndisë