Si Mund ta Përballoj Humbjen e një Njeriu të Dashur?
Hidhërimi që shoqëron humbjen e një njeriu të dashur, është po aq i pashmangshëm sa vetë vdekja. Vajtimi është një proces i dhembshëm, por mbështetja te Perëndia mund t’ju ndihmojë ta kaloni atë. Këtu janë katër mënyra se si besimi mund t’ju ndihmojë të përballeni me hidhërimin.
Lejojeni veten ta ndiejë hidhërimin
Dhembje. Pikëllim. Zemërim. Mpirje emocionale. Të gjitha këto janë ndjenja të natyrshme që i kemi kur përballemi me humbjen e një personi të dashur. Asnjëra prej këtyre ndjenjave nuk përbën gabim ose mungesë besimi. Përjetimi i emocioneve që vijnë me hidhërimin, është pjesë e të qenit njerëz.
“Çdo gjë ka stinën e vet”, shpjegon Bibla. “Një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur, … një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur, një kohë për të mbajtur zi dhe një kohë për të hedhur valle” (Predikuesit 3:1–2, 4). Njohuria se vdekja dhe hidhërimi janë të nevojshëm mund të mos e pakësojë dhimbjen, por mund ta bëjë lumturinë më të ëmbël në kohën e saj të përshtatshme. Hidhërimi nuk është dobësi, papërsosuri ose shenjë keqbërjeje. Ai është pjesë e domosdoshme e vdekshmërisë.
Shprehini ndjenjat tuaja
Perëndia e di se do të përjetoni hidhërim në këtë jetë, por qëllimi nuk është t’i nënshtroheni atij të vetëm. Ai dëshiron që të kërkoni të gjeni ngushëllim. “Lum ata që vajtojnë”, – dha mësim Jezusi, – “sepse ata do të ngushëllohen” (Mateu 5:4). Mbështetja te Perëndia dhe tek të tjerët mund t’jua lehtësojë pikëllimin dhe t’ju sigurojë përkrahje.
Shprehjani hidhërimin tuaj Perëndisë
Përpara se Jezusi ta ngrinte mikun e Tij Llazarin së vdekuri, Ai iu lut Perëndisë, Atit të Tij, për forcë dhe udhërrëfim. Derdhjani shpirtin tuaj Perëndisë në lutje. Ai do t’ju ndihmojë të ndieni paqen dhe dashurinë e Tij.
Shprehjani hidhërimin tuaj miqve
Kur Llazari u sëmur dhe vdiq, komuniteti shkoi te motrat e tij, Marta dhe Maria, “për t’i ngushëlluar” (Gjoni 11:19). Pranojeni shërbimin dhe gatishmërinë për t’ju dëgjuar të njerëzve përreth jush, të cilët duan të ndihmojnë. Kur të ndiheni gati, është e rëndësishme që ta shprehni humbjen tuaj, dhimbjen tuaj dhe zemërimin tuaj. Marta e bëri të ditur zhgënjimin e saj prej faktit që Jezusi kishte qenë larg kur Llazari vdiq. Jezusi ia tregoi dashurinë e Tij për të dhe qau me të.
Bëni pyetje dhe kërkojini përgjigjet
Përballja me vdekjen mund të na afrojë më shumë me Perëndinë, por mund të na bëjë edhe ta vëmë në pikëpyetje planin e Tij. Ne mund t’ia drejtojmë pyetjet tona Perëndisë në lutje. Neve na është premtuar: “Lypni dhe do t’ju jepet” (Mateu 7:7).
Në shkrimet e shenjta, Perëndia i jep përgjigje shumë pyetjeve të vështira rreth jetës dhe vdekjes. Këtu janë disa pyetje që mund të keni, së bashku me përgjigjet që gjenden në Biblën e Shenjtë dhe Librin e Mormonit:
Kini besim
Perëndia e di se si ndiheni. Për shkak se ju do, Ai vajton me ju kur ju jeni të hidhëruar. Ai dëshiron që ju të jeni të lumtur dhe Ai e ka bërë të mundur atë.
Shpirti i Shenjtë sjell paqe
Në Bibël, Shpirti i Shenjtë quhet Ngushëlluesi. Shpirti i Shenjtë ka fuqinë “për [t’i] ngushëlluar tërë ata që pikëllohen” (Isaia 61:2). Njerëzit që e përjetojnë këtë ngushëllim hyjnor, e përshkruajnë atë si ngrohtësi, plotësi, qetësi dhe paqe. Ajo është përmbushje e premtimit të Jezusit: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time” (Gjoni 14:27).
Jezu Krishti e mposhti vdekjen për të gjithë
Për shkak të flijimit dhe Ringjalljes së Jezu Krishtit, “varri nuk ka fitore dhe thumbi i vdekjes është gëlltitur në Krishtin. Ai është drita dhe jeta e botës; po, një dritë që është pa mbarim që nuk mund të errësohet kurrë; po, dhe gjithashtu një jetë që është pa mbarim, që nuk mund të ketë më vdekje” (Mosia 16:8–9). Ne të gjithë do të ringjallemi dhe mund të jemi përsëri me familjet dhe njerëzit tanë të dashur. Ndërkohë, ne mund të gjejmë shpresë dhe shërim nëpërmjet dashurisë së Jezu Krishtit.
Juve ju është premtuar gëzim
Lumturia është pikërisht qëllimi i Perëndisë për jetën tuaj. Gëzimi ynë nuk do të jetë i qëndrueshëm, por “Perëndia do të th[aj]ë çdo lot nga sytë [tuaj]; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan” (Zbulesa 21:4).
Dhimbja prej hidhërimit është reale, por po ashtu është paqja që vjen nga Perëndia. Nëse po përballeni me humbjen e një njeriu të dashur, rrethojeni veten me çdo burim mbështetjeje dhe paqeje. Nëpërmjet lutjes, studimit të shkrimeve të shenjta dhe përkrahjes prej njerëzve të dashurve, ju mund të gjeni shpresë dhe ngushëllim të vërtetë.