Rëndësia e Adamit dhe Evës

Për shkak se Adami dhe Eva ranë, ne të gjithë jemi në gjendje të vijmë në tokë për të marrë një trup, për të mësuar dhe për t’u bërë më shumë si Perëndia dhe Jezu Krishti që të mund të kthehemi për të jetuar me Ta sërish një ditë.

Adami dhe Eva në Kopshtin e Edenit

Kush ishin Adami dhe Eva?

Adami dhe Eva ishin dy njerëzit e parë që erdhën në tokë dhe morën një trup. Ata jetuan si bashkëshort e bashkëshorte në Kopshtin e Edenit, një parajsë ku ata nuk përjetuan ndonjë kundërshtim dhe si rrjedhojë nuk kishin ndonjë kuptueshmëri për gëzimin ose pikëllimin, kënaqësinë ose dhembjen.

Kur ishin në Kopshtin e Edenit, Adami dhe Eva jetuan në praninë e Perëndisë. Perëndia u tha se, nëse hanin frutën e pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes, ata do të bëheshin njerëz të vdekshëm dhe do të përjashtoheshin nga Kopshti i Edenit dhe prania e Tij. Megjithatë, atyre iu dha fuqia për të zgjedhur për veten e tyre.

Si ranë Adami dhe Eva?

Adami dhe Eva zgjodhën që ta hanin frutën e pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes, ndonëse Perëndia i kishte urdhëruar që të mos e hanin. Kjo i detyroi Adamin dhe Evën që të largoheshin nga prania e Perëndisë dhe solli një gjendje që njihet si Rënia. Shumë fe të krishtera japin mësim se Adami dhe Eva mëkatuan dhe se ne të gjithë jemi të ndëshkuar për shkak të zgjedhjes së tyre të gabuar.

Mirëpo, ne besojmë të kundërtën. Neni ynë i dytë i Besimit shpall: “Ne besojmë se njerëzit do të ndëshkohen për vetë mëkatet e tyre dhe jo për shkeljen e Adamit”. Ndonëse Adami dhe Eva nuk iu bindën vërtet urdhërimit të Perëndisë dhe duhej që të përjetonin pasojat, zgjedhja e tyre ishte një pjesë e rëndësishme e planit të Perëndisë.

Çfarë domethënie ka për ne Rënia e Adamit dhe Evës?

Adami dhe Eva u larguan prej parajsës për t’u përpjekur për përparim. Për shkak se ata e hëngrën frutën, ne të gjithë kemi mundësinë që të lindim në tokë dhe të mësojmë e të përparojmë. Ne të gjithë mund të mësojmë ndryshimin midis së mirës dhe së keqes, mund të përjetojmë gëzim dhe të rritemi e të bëhemi më të mirë. Ne të gjithë gjithashtu do të përjetojmë trishtim dhe, përfundimisht, vdekjen. Por për shkak se Jezu Krishti dha jetën e Tij për ne, ne të gjithë mund t’i mposhtim pasojat e Rënies. Ne të gjithë do të ringjallemi dhe nëse jetojmë me drejtësi dhe e ndjekim Jezusin, ne të gjithë mund të shëlbohemi dhe të kthehemi për të jetuar sërish me Perëndinë.

Mësoni më Shumë rreth Biblës, Perëndisë dhe Dashurisë së Tij