Kush Jam Unë?
Kush jam unë? Përse jam këtu? A ka rëndësi jeta ime? Shkrimet e shenjta na mësojnë që ne jemi fëmijë të Perëndisë me një identitet dhe qëllim unik.
Ju jeni një fëmijë i Perëndisë
Perëndia është Ati i shpirtit tuaj. Sikurse etërit në tokë i duan dhe kujdesen për fëmijët e tyre, Ati juaj Qiellor dëshiron që të ketë një marrëdhënie me ju. Ju jeni “pasardhës të Perëndisë” (Veprat e Apostujve 17:29) dhe, si fëmija i Tij, keni potencial të pafundmë.
Ju jeni i/e veçantë
Ju jeni një individ i pashoq. Perëndia ju krijoi me pika të forta unike. Ju keni potencialin hyjnor të bëheni personi që Perëndia dëshiron që të jeni, varianti më i mirë i vetes suaj.
Perëndia ju njeh
Perëndia ju njeh personalisht. Ai po kujdeset për ju dhe i di me saktësi vështirësitë që po hasni, dhe i di me saktësi aftësitë që ju janë dhënë për t’i kaluar ato. Ai dëshiron t’ju shohë të keni sukses dhe të arrini potencialin tuaj të plotë. Ai dëshiron që ju të ktheheni të jetoni me Të përsëri pas kësaj jete.
Mësoni rreth planit të Perëndisë për ne
Përpara se të lindnit, ju jetuat me Perëndinë, Atin tuaj Qiellor. Ai ju njihte, ju donte dhe ju mësoi zgjedhjet që do t’ju çonin drejt lumturisë afatgjatë. Kjo periudhë quhet jeta para lindjes.
Perëndia donte që ne të vinim në tokë që të merrnim një trup fizik. Këtu, ne përballemi me sfida dhe situata që na ndihmojnë të mësojmë dhe të rritemi që të mund të bëhemi më shumë si Ai.
Perëndia e dinte se ne do të bënim gabime, kështu që Ai zgjodhi Jezusin që të vinte në tokë dhe të vuante për mëkatet tona. Flijimi i Jezusit na lejon të marrim falje dhe na lejon të pastrohemi prej mëkateve tona në mënyrë që ne të mund të jetojmë sërish me Perëndinë një ditë.
Këtu në tokë, ne nuk e mbajmë mend që kemi jetuar me Perëndinë. Si rrjedhim, ne duhet të kemi besim dhe të mësojmë të zgjedhim midis së drejtës dhe së gabuarës. Jeta nuk është e lehtë, por kohët e vështira na lejojnë ta çmojmë lumturinë dhe paqen.
Jezusi vuajti dhe vdiq për mëkatet tona. Por kjo nuk na e heq përgjegjësinë. Ne duhet të zgjedhim ta pranojmë Jezusin duke u penduar kur bëjmë gabime, duke u pagëzuar dhe duke i zbatuar urdhërimet e Tij.
Kur vdesim, shpirti dhe trupi ynë ndahen. Shpirti ynë shkon në botën e shpirtrave. Ai është një vend pushimi e lumturie për ata që kanë bërë zgjedhje të mira, dhe një gjendje ferri për ata që kanë bërë zgjedhje të këqija.
Bota e shpirtrave nuk është vendmbërritja ose gjykimi përfundimtar. Në fakt, ngaqë Perëndia është kaq i dashur dhe i drejtë, atyre njerëzve në ferr që asnjëherë nuk morën vesh për Jezusin, u mësohet ungjilli i Tij dhe u jepet mundësia që ta pranojnë Atë.
Jezusi e mposhti vdekjen që ne të gjithë të mund të jetojmë përsëri. Kjo quhet ringjallje. Kur ringjallemi, shpirtrat dhe trupat tanë ribashkohen. Trupat tanë do të jenë të përsosur dhe nuk do të vdesin kurrë më.
Jezusi do të na gjykojë në përputhje me veprimet tona dhe dëshirat e zemrës sonë. Ai do të jetë aq i mëshirshëm sa mundet. Për shkak se veprimet dhe dëshirat tona janë të shumëllojshme, qielli përfshin mbretëri ose shkallë të ndryshme lavdie.
Ati ynë Qiellor dhe Jezusi jetojnë në mbretërinë çelestiale. Nëse jetoni sipas mësimeve të Jezusit dhe pastroheni nga mëkati nëpërmjet flijimit të Tij, ju do të shkoni atje. Ju do të jetoni në prani të Perëndisë dhe do të përjetoni gëzim të përhershëm.
Njerëzit që refuzojnë ta pranojnë ungjillin e Jezu Krishtit, por që përndryshe jetojnë jetë të ndershme, do të marrin një vend në mbretërinë terrestriale.
Ata që vazhdojnë në mëkatet e tyre dhe nuk pendohen, do të marrin një vend në mbretërinë telestiale.
Perëndia ju do
Pavarësisht nga e kaluara juaj apo se sa gabime keni bërë, Perëndia ju do. Ai na do edhe kur marrin vendime të këqija e kur ndihemi të padenjë për dashurinë e Tij. Ndërkohë që dashuria jonë ndonjëherë mund të jetë e pamjaftueshme, e cekët ose madje egoiste, dashuria e Perëndisë është e palëkundur (shihni tek Isaia 54:10), e “përjetshme” (Jeremia 31:3) dhe vetëmohuese (shihni te 1 Gjoni 4:9). Perëndia do që ta ndihmojë secilin prej nesh që të gjejë gëzim. Ai ju do, shqetësohet për ju dhe dëshiron të komunikojë me ju nëpërmjet lutjes. Dashuria e Perëndisë gjendet pranë dhe është në dispozicion për ju sot dhe përditë.
Ju keni një qëllim
Për shkak se Perëndia është një Atë i përsosur, Ai dëshiron t’ju bekojë e japë drejtim që të gjeni paqe e gëzim në jetën tuaj. Ai ka një plan për çdonjërin nga fëmijët e Tij. Ndërsa vijmë tek Ai, Ai mund të na udhërrëfejë që të gjejmë qëllim në jetë. Ai dëshiron që ju të ktheheni në praninë e Tij dhe të jeni përgjithmonë të lumtur. Ju mund ta bëni këtë duke e ndjekur Jezu Krishtin dhe duke i përdorur talentet tuaja për t’i shërbyer Perëndisë dhe fëmijëve të Tij.
Ju keni dhunti dhe sfida unike
Tiparet dhe aftësitë tuaja ju bëjnë unik. Perëndia ju jep përvoja të caktuara që t’ju ndihmojë të rriteni dhe t’i përdorni tiparet dhe aftësitë tuaja. Ai gjithashtu ju jep dhunti që ju ndihmojnë të bekoni jetën e njerëzve të tjerë dhe të mposhtni sfidat që do të hasni në jetë.