Përse Martesa Është e Rëndësishme?
Martesa është shumë më tepër se një kontratë civile me përfitime ligjore. Martesa është një pjesë thelbësore e planit të Perëndisë. Në Bibël na mësohet për pritshmëritë e Perëndisë lidhur me martesën dhe jepen këshilla praktike për marrëdhëniet.
Martesa është një marrëdhënie
Martesa është një koncept i përjetshëm. Ajo synohet të jetë një marrëdhënie e dashur, intime, vetëmohuese midis një burri dhe një gruaje që zgjatë në përjetësi.
Një marrëdhënie dashurie
Në Bibël na mësohet: “Burra, t’i doni gratë tuaja” (Efesianëve 5:25) dhe “mësoj[uni] të reja[ve t’i] duan burrat e tyre” (Titit 2:4). Dashuria në martesë mund të jetë më e thellë dhe më pak vetëmohuese se në çdo marrëdhënie tjetër. Është kjo lloj dashurie që Jezusi pret nga ndjekësit e Tij, dhe është virtyti për të cilin çiftet kanë më shumë nevojë.
Një marrëdhënie intimiteti
Martesa përfshin afërsi shpirtërore, emocionale dhe fizike. Te Dhiata e Vjetër, ne na mësohet: “Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm” (Zanafilla 2:24). Çiftet e martuara synohet të jenë të bashkuara në çdo mënyrë të mundshme.
Intimiteti seksual është një shprehje e dashurisë që sjell lumturi dhe unitet në një martesë. Është gjithashtu fuqia nëpërmjet së cilës çiftet e martuara mund të “shumëzoh[en], [të] mbush[in] tokën” (Zanafilla 1:28). Intimiteti është një bekim që mund të çojë në gëzimin e pakrahasueshëm për të pasur fëmijë si pjesë e njësisë së përjetshme familjare.
Një marrëdhënie vetëmohimi
Shpëtimtari dha mësim: “Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij” (Gjoni 15:13). Çiftet mund të marrin një mësim të fuqishëm nga ky mësim. Si bashkëshort/e, nga ty pritet që në thelb të heqësh dorë nga jeta e vjetër dhe të sakrifikosh shumë nga dëshirat e tua vetjake për shokun ose shoqen tënde më të ngushtë – bashkëshortin ose bashkëshorten tënde. Sa më shumë që të jeni në gjendje ta vendosni të parin bashkëshortin/en tuaj dhe ta mbani përqendrimin te suksesi i partneritetit tuaj, aq më e fortë do të jetë martesa juaj.
Martesa është një zotim
Shumica e martesave bazohen në dashuri – por sfida mund të jetë zgjedhja për ta ruajtur dhe rritur atë dashuri. Pikërisht nga aty fillon zotimi. Perëndia e konsideron martesën si një marrëveshje midis një burri dhe një gruaje si dhe një zotim midis çiftit dhe Atij. Ai pret që ne t’ia përkushtojmë veten marrëdhënies dhe t’i njohim përgjegjësitë, detyrat dhe besnikëritë tona ndaj bashkëshortit e bashkëshortes dhe ndaj Perëndisë. Shkrimet e shenjta mund të na mësojnë se si ta bëjmë këtë.
Jini të duruar
Martesa mund të kërkojë shumë punë. Por të mbajturit mend se ajo bazohet në dashuri na jep drejtim. “Dhe të keni para së gjithash një dashuri të madhe për njeri tjetrin”, këshillon Pjetri te Dhiata e Re, “dashuria do të mbulojë një shumicë mëkatesh” (1 Pjetër 4:8). Ju do të bëni gabime. Bashkëshorti/ja juaj do të bëjë gjithashtu. Jini të duruar dhe të kujdesshëm me njëri-tjetrin. Përballojini kohët e vështira në partneritetin tuaj “me durim, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri, duke u përpjekur të ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes” (Efesianëve 4:2–3).
Jini të gëzuar
Nuk është detyra e bashkëshortit/es tuaj/suaj që t’ju bëjë të lumtur gjithë kohën. Që të dy duhet të punoni për të kultivuar lumturi në martesën tuaj. Ndaj gjeni kohë për të biseduar, për të qeshur, për t’u argëtuar. “Gëzohu me nusen [ose burrin] e rinisë sate” (Fjalët e Urta 5:18) dhe “gëzoje jetën me [bashkëshortin/en] që do për të gjitha ditët e jetës tënde” (Predikuesit 9:9).
Jini dashamirës
Të jesh i martuar do të thotë që do të shohësh çdo anë të bashkëshortit/es tënd/e: të mirën, të keqen, pikat e forta, të metat. Ndihmoni për ta ndërtuar besimin e partnerit/es tuaj/suaj. Jepuni forcë dobësive të tij ose të saj. Bëjuni komplimenta në vend të kritikave. “Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njeri me tjetrin, duke e falur njëri- tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin” (Efesianëve 4:32).
Martesa shugurohet nga Perëndia
Perëndia e krijoi marrëdhënien burrë–grua si një partneritet të barabartë me Adamin dhe Evën (shih Zanafilla 2:24). Martesa është në qendër të planit të Perëndisë për lumturinë tonë gjatë kësaj jete dhe lumturinë tonë të përjetshme në jetën tjetër.
Martesa është thelbësore në planin e Perëndisë
Jeta juaj këtu në tokë ka një qëllim. Ju jeni këtu si pjesë e planit të Perëndisë. Përpara se ndonjëri nga ne të lindte, ne ekzistuam si shpirtra në qiell. Perëndia krijoi këtë tokë në mënyrë që ne të mund të kemi mundësinë për të pasur trupa fizikë dhe për të mësuar e për t’u rritur. Kur martohemi, na jepet mundësia e shenjtë për të sjellë fëmijë në këtë botë dhe marrim përgjegjësinë solemne për t’u kujdesur për ta. Për shkak se Perëndia i do fëmijët e Tij, Ai dëshiron që secili prej ne të marrë dashuri, përkrahje dhe kujdes. Kjo ndodh më së miri nëpërmjet një martese të ndershme dhe të përkushtuar.
Martesa mund të zgjatë përgjithmonë
Jeta juaj në tokë nuk është fillimi dhe as fundi i ekzistencës suaj. Pasi të vdisni, shpirti juaj do të vazhdojë të jetojë në botën e shpirtrave dhe do të presë ditën kur shpirti dhe trupi juaj fizik do të bashkohen së bashku përjetësisht në ringjallje. Perëndia dëshiron që marrëdhëniet tona të çmuara e të dashura të vazhdojnë gjithashtu për përjetësinë. Ky bashkim i përjetshëm është i mundur kur një burrë e një grua dhe familjet vulosen në tempujt e shenjtë, ku ata me autoritetin e duhur nga Perëndia përmbushin premtimin e Jezusit se “gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej” (Mateu 16:19).
Bekimet e martesës ende mund të vijnë
Jo të gjithëve do t’u jepet mundësia që të martohen në këtë jetë. Dhe jo të gjithë kanë martesa që zgjatin. Jo të gjithë fëmijët lindin nga një nënë dhe atë i martuar, dhe jo të gjithë ata që martohen janë në gjendje të kenë fëmijë. Por Perëndia e do secilin prej fëmijëve të Tij. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, nëse jemi besnikë ndaj Perëndisë, Ai do të dëmshpërblejë për çdo humbje ose mungesë të mundësive që përjetojmë në këtë jetë (shih Zbulesa 7:17). Kur ktheheni tek Ai, ju do të shpërbleheni me lumturi dhe paqe tani dhe pas vdekjes. Ndërsa ia kushtojmë plotësisht veten Atij, secili nga ne do të kenë mundësinë që të marrë gjithçka që ka Ati ynë Qiellor.