Gjashtë Mënyra se si Vajtja në Kishë Mund të Jetë Dobiprurëse në Jetën Tuaj

Gjithmonë do të ketë pengesa për të mos e frekuentuar kishën. Ndoshta ju punoni ose dilni për stërvitje të dielave, nuk mendoni se kisha është e nevojshme ose thjesht doni të çlodheni pas një jave të mbingarkuar. Çfarëdo pengese që të hasni, ju do të jeni të bekuar po të zgjidhni t’i zbatoni urdhërimet e Perëndisë për të adhuruar në kishë. Këtu janë gjashtë arsye përse ju duhet të shkoni në kishë:

1

Adhurimi i Perëndisë është një urdhërim

Si një nga Dhjetë Urdhërimet e Tij, Perëndia urdhëroi që ne ta mbajmë ditën e Shabatit të shenjtë (shih Eksodi 20:8–11). Një nga mënyrat se si ne e zbatojmë këtë urdhërim, është të mblidhemi së bashku të dielave për ta adhuruar Perëndinë dhe për t’i dhënë Atij falënderime. Ne forcohemi gjithashtu kur jemi përreth besimtarëve të tjerë, e shohim besimin e tyre dhe i dëgjojmë përvojat dhe dëshmitë e tyre.

2

Sakramenti na ndihmon të kujtojmë Jezusin

Në kishë, ne marrim sakramentin (ose kungimin). Jezusi urdhëroi: “Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim” (1 Korintasve 11:24). Zbatimi i këtij urdhërimi çdo javë në kishë na ndihmon të kujtojmë atë që Jezusi ka bërë për ne dhe të zotohemi për ta ndjekur Atë.

3

Kisha e Perëndisë mbështetet tek ju

Në Bibël, Apostulli Pal e krahasoi Kishën me trupin, me Jezusin si kreun. Ai tha se me qëllim që një trup të funksionojë, çdo anëtar është i rëndësishëm dhe duhet të bëjë pjesën e vet (shih Efesianëve 4:16). Pjesëmarrja në Kishë dhe dhënia e kohës dhe e talenteve tuaja do t’ju përmirësojë dhe forcojë si ju edhe njerëzit përreth jush.

4

Shërbesat e Kishës na mësojnë dhe na ngrenë shpirtërisht

Ajo që mësojmë në Kishë, na jep udhërrëfimin mbi mënyrën si ta ndjekim Perëndinë, si ta përmirësojmë shpirtshmërinë tonë dhe të jetojmë jetë më të mira. Ju mund të ngriheni shpirtërisht nga bashkëbesimtarët dhe nga mundësia për të shërbyer dhe adhuruar. Ju mund ta ndieni gjithashtu Shpirtin e Shenjtë, i cili sjell “ gëzim, paq[e], durim, mirëdashj[e], mirësi [dhe] besim” (Galatasve 5:22).

5

Ju merrni një ndjenjë përkatësie

Kisha është një komunitet ku ne mund të shoqërohemi dhe ta përkrahim njëri-tjetrin. Ju mund të zini miqësi, të keni një ndjenjë përkatësie dhe të ndërtoni një rrjet përkrahjeje tek i cili të mbështeteni. Komuniteti i Kishës na ndihmon “të vajto[jmë] me ata që vajtojnë; po, dhe të ngushëllo[jmë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen” (Mosia 18:9).

6

Perëndia mund t’ju flasë juve

Ju mund t’i gjeni përgjigjet në Kishë. Ndoshta po hasni vështirësi me një pyetje specifike ose ju nevojitet disi drejtim në jetën tuaj. Ndoshta ju thjesht keni nevojë ta ndieni dashurinë e Perëndisë dhe të dini se Ai është pranë. Teksa i dëgjoni predikimet dhe i studioni mësimet e Perëndisë, ju do të keni mundësi të merrni mbresa nga Perëndia. Ai dëshiron të komunikojë me ju dhe Kisha është një vend i mirë për ta dëgjuar zërin e Tij në zemrën dhe mendjen tuaj.

Përse duhet të provoj [të shkoj] në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?

Kjo është Kisha e Rivendosur e Jezu Krishtit

Ka shumë kisha të krishtera dhe mund të jetë e mundimshme për të ditur se cilën kishë të zgjidhni. Në vitin 1820, një djalë i quajtur Jozef Smith u lut për të ditur se me cilën kishë të bashkohej. Perëndia dhe Jezusi iu shfaqën Jozefit dhe i thanë se Kisha që kishte themeluar Jezusi kur Ai ishte në tokë, nuk ekzistonte më. Autoriteti i Perëndisë për të pagëzuar kishte humbur dhe disa mësime ishin ndryshuar. Perëndia e thirri Jozefin që të ishte profeti i ri, si Moisiu ose Noeu, për ta rithemeluar Kishën e Tij: Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Në afërsi gjendet një bashkësi

Ne i mirëpresim të gjithë njerëzit që të vijnë të adhurojnë me ne. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme po rritet në mbarë botën dhe njerëzit e të gjitha gjuhëve, kulturave dhe rrethanave janë të ftuar në mbretërinë e Perëndisë. Ju me gjasë mund të gjeni një bashkësi vendore pranë shtëpisë suaj.

Ejani të frekuentoni një shërbesë në kishë. Të gjithë vizitorët janë të mirëpritur!
Gjejeni një Kishë Pranë Jush