Çfarë Ndodh në Tempujt e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?
Tempujt janë shtëpi të Zotit, ku anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme shkojnë rregullisht për të adhuruar. Brenda këtyre ndërtesave të shenjta, anëtarët besnikë të Kishës bëjnë premtime me Perëndinë, ndiejnë Shpirtin e Tij dhe afrohen më shumë me Të nëpërmjet ceremonive të shenjta të quajtura ordinanca.
Çfarë ndodh vërtet brenda një tempulli të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme?
Brenda tempujve, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kryejnë ordinanca apo ceremoni të shenjta. Kur anëtarët marrin pjesë në këto ordinanca, ata tregojnë zotimin e tyre për ta ndjekur Jezu Krishtin dhe për të marrë bekime e drejtim nga Perëndia. Ka tri ordinanca kryesore që ndodhin brenda tempujve.
Pagëzimet për të vdekurit
Jezusi dha mësim se për të hyrë në mbretërinë e qiejve, kërkohet pagëzimi. Po njerëzit që vdesin pa e pasur mundësinë që të pagëzohen?
Në tempuj, anëtarët besnikë të Kishës pagëzohen në emër të këtyre njerëzve – një praktikë që gjithashtu zuri fill gjatë kohëve biblike. Pjesëmarrësit vishen me të bardha dhe pagëzohen me anë të zhytjes për pjesëtarët e familjes që ndërruan jetë pa qenë të pagëzuar në Kishën e Tij. Pagëzimet për të vdekurit u japin atyre që kanë ndërruar jetë, mundësinë të zgjedhin ose jo për ta pranuar atë pagëzim dhe për ta ndjekur Jezu Krishtin.
Ceremoni martesore
Ceremonitë martesore të quajtura vulosje në tempull gjithashtu ndodhin brenda tempujve. Ngaqë Perëndia dëshiron që ne të jemi përgjithmonë të lumtur, martesa dhe lidhjet familjare janë paracaktuar të zgjatin shumë përtej kohës “derisa vdekja t’ju ndajë”.
Gjatë një vulosjeje në tempull, nusja dhe dhëndri gjunjëzohen dhe bashkojnë duart sipër një altari të thjeshtë. Ata premtojnë ta nderojnë dhe ta duan njëri‑tjetrin plotësisht dhe zotohen që ta ndjekin Jezu Krishtin. Në këmbim, atyre u premtohen bekimet e vulosjes të marrjes së gjithçkaje që ka Ati, përfshirë që do ta kenë martesën dhe familjen e tyre përgjithmonë, edhe përtej vdekjes.
Dhurimi
Fjala dhurim do të thotë dhuratë. Ata që e marrin dhurimin në tempull marrin bekime të ndryshme, të tilla si njohuri më të madhe mbi qëllimet e Perëndisë dhe fuqinë për t’i bërë ballë tundimit dhe për ta ndjekur Jezu Krishtin.
Në ceremoninë e dhurimit, na mësohet për dashurinë e Perëndisë për të gjithë fëmijët e Tij dhe për planin e Tij për lumturinë e tyre. Pjesëmarrësit shkëmbejnë premtime të veçanta me Perëndinë, të cilat quhen besëlidhje. Ata bëjnë besëlidhje që t’iu binden urdhërimeve të Perëndisë dhe ta ndjekin Jezu Krishtin. Në këmbim, Perëndia premton bekime të mrekullueshme në këtë jetë dhe mundësinë për të jetuar me Të si familje të përjetshme pas kësaj jete.
Tempulli i Uashington D.K.‑së
Tempulli i Konsepsionit, Kili
Tempulli i Solt‑Lejk‑Sitit, Jutë
Tempulli i Fort‑Lodërdejllit, Floridë
Tempulli i Bernës, Zvicër
Tempulli i Tihuanës, Meksikë
Tempulli i Parisit, Francë
Tempulli i Laies, Havai
Tempulli i Tusonit, Arizonë
Tempulli i Akrës, Ganë
Kush mund të hyjë brenda tempujve?
Pasi një tempull ndërtohet apo restaurohet, të gjithë janë të mirëpritur të marrin pjesë në një shtëpi të hapur për publikun dhe të vizitojnë tempullin. Pasi një tempull të jetë përkushtuar, gjithkush është ende i mirëpritur të shijojë terrenet e bukura dhe qendrat e vizitorëve. Mirëpo, paskëtaj, hyrja brenda tempujve rezervohet për anëtarët besnikë të Kishës që dëshirojnë të marrin pjesë në ceremonitë e tempullit.
Tempujt e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë vende paqeje, lumturie dhe shërbimi. Ata na ndihmojnë të bëhemi më të afërt me Perëndinë, të mësojmë rreth planit të Tij dhe t’u shërbejmë atyre që kanë ndërruar jetë duke u dhënë mundësinë t’i marrin ordinancat shpëtuese të cilat nuk kishin mundësi t’i merrnin në këtë jetë.