Si të Bëhem Anëtar/e i/e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?
Njerëzit mund të mësojnë rreth Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në shumë mënyra. Ju mund të frekuentoni mbledhjet e kishës, të pyesni miqtë tuaj që janë anëtarë se çfarë besojnë, ose të takoheni me misionarët tanë. Pasi të mësoni rreth Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe dëshironi të bëheni anëtar/e, ju mund të zgjidhni të pagëzoheni. Shikojini materialet filmike më poshtë për të dëgjuar histori dhe përvoja nga individë që janë bërë anëtarë.
Perëndia mund t’ju bëjë njeri më të mirë – dhe ju mund të na bëni një Kishë më të mirë! Bashkohuni me ne teksa e adhurojmë Jezusin dhe përpiqemi t’i jetojmë mësimet e Tij.
Lizi nuk ishte në kërkim të Librit të Mormonit. Ai thjesht u shfaq një ditë – pikërisht në Kindle‑in e saj. Ajo vendosi ta lexonte librin dhe kjo gjë rezultoi në ndryshimin e jetës së saj.
Natalia nuk e priste kurrë që një ditar në internet t’ia ndryshonte jetën familjes së saj, por pasi lexoi një publikim rreth Librit të Mormonit në Instagram, ai vërtet i ndryshoi jetën.
Si avokat për shkurorëzimet, që është i shkurorëzuar gjithashtu, jeta për Matin nuk mori drejtimin që ai kishte planifikuar. Por më pas ai takoi dikë që ia ndryshoi këndvështrimin – dhe ata filluan një martesë që mund të zgjatë përgjithmonë.
Marrëdhënia e Tonit dhe Marnias ishte drejt fundit. Ata ishin të palumtur, të shkurajuar dhe në kërkim të një rruge shpëtimi. Dhe ajo erdhi në një mënyrë që as nuk e prisnin – me një trokitje në derë.
Ejani në kishë – çdokush është i ftuar!
Një nga mënyrat më të mira për të mësuar më shumë dhe për fituar një kuptim rreth komunitetit tonë është ta frekuentoni kishën me ne. Nuk ju duhet të jeni anëtar/e për të frekuentuar një shërbesë adhurimi. Vizitorët janë gjithnjë të mirëpritur. Shërbesat tona të adhurimit të dielën përfshijnë marrjen e sakramentit (ose kungatën) dhe pjesëmarrjen në Shkollën e së Dielës dhe klasa të tjera të kishës.
Takohuni me misionarët
Misionarët mund t’ju ndihmojnë që të mësoni rreth bindjeve tona duke dhënë mesazhe të shkurtra rreth Jezusit, planit të Perëndisë për ju dhe mënyrës se si ju mund ta forconi familjen tuaj. Ata mund t’iu përgjigjen pyetjeve tuaja rreth Kishës dhe se si të bëheni anëtar/e. Nëse dëshironi të flisni për tema të tjera ose keni pyetje specifike, thjesht pyesni! Takimi me misionarët nuk do të thotë që keni vendosur të bashkoheni me Kishën. Është thjesht një mënyrë që ju të mund të mësoni më shumë rreth saj.
Pagëzohuni
Si do ta kuptoni nëse dëshironi të pagëzoheni? Ju do ta kuptoni kur të keni një ndjenjë sigurie e paqeje se ajo që keni mësuar, është e vërtetë. Ne e quajmë këtë dëshmi. Kur fitoni një dëshmi për Jezusin dhe ungjillin e Tij, ju mund ta ndiqni shembullin e Tij duke u pagëzuar. Jezusi u pagëzua me anë të zhytjes në lumin Jordan nga Gjon Pagëzori (shihni te Mateu 3:13–17). Jezusi dha mësim: “Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë” (Gjoni 3:5). Ju mund të pagëzoheni ose nga një misionar, ose nga dikush që e keni njohur në kishë.